Biblioteka dhe Arkivi vatikanas, ilaç për humbjen e kujtesës

Dikasteret e Selisë së Shenjtë, të treguara nga brenda: historia, objektivat e “bilanci i misionit”, si funksionojnë strukturat, që e mbështesin misionin e Papës. Biblioteka apostolike dhe Arkivi Apostolik vatikanas, rrëfyer nga kardinali Josè Tolentino de Mendonça, Arkivist e Bibliotekar i Kishës Shenjte Romake

R.SH. - Vatikan

Heshtje - e kujtesë: peshtaf diturie, etje për pafundësinë. Ky ajër thithet në Bibliotekën Apostolike Vatikanase e në Arkivin Apostolik Vatikanas, institucione   që sot shikojnë drejt së ardhmes, i hapin rrugën teknologjisë, pa harruar të ruajnë e të respektojnë dëshmitë e lashta të traditës së Kishës.

Në Bibliotekë, për shembull,  katoliciteti - shpjegon kardinali José Tolentino de Mendonça, Arkivist e Bibliotekar i Kishës Shenjte Romake - nuk është abstraksion, është “përqafim i gjithëdijes  njerëzore”. Biblioteka “institut i ruajtjes e kërkimit” e Arkivi, që zhvillon një veprimtari  “bamirësie intelektuale”, u ndanë që në vitin e largët 1600, nën papninë e Palit V, duke e vënë gjithë trashëgiminë e tyre në shërbim të studiuesve të mbarë botës.

Të dëgjojmë kardinalin José Tolentino de Mendonça, Arkivist e Bibliotekar i Kishës Shenjte Romake.

Cili është kontributi i veçantë që kanë dhënë Biblioteka dhe Arkivi në rrjedhë shekujsh e japin edhe sot në misionin e Selisë së Shenjtë dhe Pasardhësit të Pjetrit?

“Po filloj me një figurë, që më ka mbetur në mendje duke shoqëruar, shpesh herë gjatë këtyre viteve, studiues e vizitorë në Bibliotekë e në Arkivat Apostolike. Kur hyjnë në këto hapësira e kundrojnë pafundësinë dhe cilësinë e pasurisë, që ruhet këtu, mbeten pa gojë. Mendoj se heshtja e tyre nuk është thjeshtë heshtje. I ngjet asaj tronditjeje, për të cilën Blaise Pascal thoshte se shkaktohet nga takimi me pafundësinë.

Për ta kuptuar thirrjen dhe misionin e këtyre institucioneve shumëshekullore, ndoshta gjëja më korrekte është t’i rivendosësh në qendër të përmasës së kujtesës të jetës së Kishës. Sepse Kisha e bazon ekzistencën e saj mbi kujtesën historike e sakramentore të gjesteve e të fjalëve të Krishtit. Sa më e ndërgjegjshme të jetë Kisha për kujtesën e gjallë, që rreh në të, si rreh zemra, dhe i siguron vazhdimësinë, aq më gjallëri do të ketë. E biblioteka dhe arkivi  janë ilaçi më i mirë për ruajtjen e kujtesës!

Në shërbim të kulturës e të dijes

Një nga misionet themelore të Bibliotekës Apostolike, për shembull, është të ruajë disa nga dëshmitë më të lashta të traditës së dorëshkruar të Shkrimeve Shenjte. Vetëm këto do të mjaftonin, për ta quajtur zemra e Kishës. Por, siç kujton edhe Papa Françesku, në Bibliotekën e tij vërshojnë dy lumej ujëplotë: “Fjala e Zotit e fjala e njerëzve”. Këtu preket me dorë ç’do të thotë katolicitet. Këtu katoliciteti nuk është fjalë abstrakte.

Katoliciteti ka qenë e është jetuar nga pasardhësit e Pjetrit si përqafim me gjithçka njerëzore, duke vlerësuar njëlloj të gjitha kulturat e të gjitha format e shprehjes. Kështu u ndërtua kjo “depozitë monumentale e mendimit njerëzor”, që shtrihet në një hark shekujsh, nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Është i njëjti universalitet, që e gjejmë të pasqyruar në Dokumentet e Arkivit Apostolik e që është një lloj zgjatjeje e Librit të Veprave të Apostujve, sepse tregojnë aventurën e krishterimit në kohë e edhe mënyrën sesi Shpirti Shenjt i prin Kishës. Kështu, siç ka thënë edhe Benedikti XVI, bëhet krejt e qartë se Arkivi dhe Biblioteka Apostolike janë “pjesë përbërëse e mjeteve të nevojshme për ta çuar përpara shërbesën e Papës: mjete të domosdoshme për qeverisjen e Kishës”.

As veprimtaria e Bibliotekës dhe e Arkivit nuk shpëtuan dot nga kriza shëndetësore botërore, që e cënoi, e jo pak, lidhjen e studiuesve me bashkësinë shkencore. Si e përballoni emergjencën e çfarë masash keni marrë për të garantuar sigurinë, pa e penguar punën kërkimore?

Arkivi dhe Biblioteka Apostolike bënë ç’ish e mundur për t’i zbutur pasojat  e kësaj krize tejet të rëndë shëndetësore. Nuk kemi mbyllur kurrë, edhe pse për disa muaj  nuk mundëm t’i presim studiuesit. Personeli ynë vijoi punën në smart working  e drejtuesit, të mbështetur nga një ekip i vogël, vijuan edhe ata të punojnë në selitë e tyre. Kërkesat e gjithë atyre, që nuk mund të vinin  fizikisht në Oborrin e Belvederes (seli historike e Bibliotekës dhe e Arkivit, përbri njëra-tjetrit), që na shkruan për të kërkuar innformacione ose  kopje materialesh, u plotësuan rregullisht.

E, kur ish e mundur, shpejtuam t’i hapim dyert edhe për praninë e studiuesve, falë edhe reduktimit të mbylljes gjatë periudhës verore. Natyrisht, duke respektuar të gjitha rregullat shëndetësore, mund  t’i mikpresim edhe  studiuesit, tani për tani me  numër të kufizuar. Sidoqoftë përpjekja që bëjmë, është pritur me kënaqësi të madhe nga miqtë e dijes së pafundme, të cilët e vlerësojnë gjithnjë shumë shërbimin jashtëzakonisht cilësore, që i bën Selia e Shenjtë bashkësisë shkencore ndërkombëtare.

Risitë teknologjike përfaqësojnë një sfidë, që kërkon përtëritje të vazhdueshme, për të ecur me hapin e kohës. Ç’mendim keni për veprimtarinë e dy institucioneve lidhur me ruajtjen e dëshmive, aq delikate, e aq me vlerë, të së kaluarës?

“Siç e kujton shpesh Papa Françesku, nuk jetojmë  vetëm në epokën e ndryshimeve, por kryesisht, në ndryshimin e epokës. Është e vërtetë: jetojmë në një ndryshim epokal me risi të mëdha, që do të ketë, pa dyshim, ndikim të fuqishëm edhe mbi botën e bibliotekave dhe të arkiveve. Një gjë pozitive të paktën e dimë: shoqëritë e së ardhmes do ta vlerësojnë gjithnjë më shumë dijen. E kjo tregon se trashëgimia jonë është, pa asnjë dyshim, pjesë përbërëse e së ardhmes. Ndonëse shumë çështje mbeten ende të hapura. Probleme, që kanë të bëjnë si me  mënyrat e reja të komunikimit njerëzor, ashtu edhe me format e ndërtimit të vetë dijes.

Është e kotë të besosh se kalimi nga analogjiku në dixhitalin mund të bëhet me një klik. Kërkon udhë të gjatë e bashkëpunim të ngushtë. Por të ecësh me hapin e kohës nuk është mundësi: është detyrë. Selia e Shenjtë nuk e ka ndalur, as nuk do ta ndalë hapin në këtë udhë. Fillimi i krijimit të Bibliotekës virtuale ka nisur që prej dhjetë vjetësh, e vijon të përparojë. Kemi tani dy biblioteka, në se mund të shprehemi kështu: një fizike, e një virtuale. Kjo e fundmja përmban, në regjim open acces(me përdorim të lirë) rreth 20% të dorëshkrimeve që ka bibliloteka fizike.

Mendojmë se do të shkojmë përpara. Natyrisht e gjithë kjo kërkon përpjekje të jashtëzakonshme. E kjo dëshmon edhe dashurinë e Selisë së Shenjtë për kulturën, parë si mjet për zhvillimin njerëzor e për paqen. Sepse dija e paqja shkojnë krah për krah!  Por, natyrisht, kemi nevojë për mbështetjen e gjithë të krishterëve e të njerëzve vullnetmirë, të vetëdijshëm për vlerën e pallogaritshme të kulturës. E njëjta gjë vlen edhe për Arkivin Apostolik, ku vijojnë të realizohen planet e mëdha të dixhitalizimit. Po u përgjigjemi me përgjegjësi, sfidave të ardhmërisë!”.

29 mars 2021, 09:31