Shtegtim në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku Maria mbretëron

Të Mërkurën e Javës I të Kreshmëve, Mesha do të kremtohet në orën 17.30, në Kishën stacionale, ku takojmë Marinë, që thirret me emrat më të lartë: Mbretëreshë, Nënë, Shpëtim! E vetë “shtëpia” ku banon, “Shën Maria, Shpëtimtare e Popujve Romakë”.

R.SH. - Vatikan

Stacioni i së mërkurës së Javës I të Kreshmëve do të kremtohet në bazilikën e dytë më të madhe romake, në tempullin më të njohur marian, e do të  rikthehet po aty edhe Ditën e Pashkëve, në përfundim të udhës pendestare.

Kishat stacionale të Kreshmëve, vende të shpirtit shtegtar

Kishat stacionale të Kreshmëve janë vende të shpirtit shtegtar. Vende shenjte. E shenjte, të gjitha elementet që i përbëjnë. E tregon këtë bazilika të cilën po e kujtojmë sot, kushtuar Zojës Salus Populi Romani. Një harmoni e plotë formash, ngjyrash, përshpirtërie, ku ndjehet me forcë të veçantë bukuria e fesë. E edhe kuptimi i saj. E nën këtë strehë nuk të pret vetëm bukuria e pashoqe, por edhe, e sidomos, ndjenjat që burojnë prej saj e që trondisin shpirtin e besimtarit. Ndjehet menjëherë se artistët, që punuan brenda këtyre mureve, provuan emocione të jashtëzakonshme, prekën me dorë atë “dashuri”, e cila mishërohet pastaj, në ceremonitë, kryevepra në llojin  e vet, ashtu si në pikturat e skulpturat që flasin nga muret e ngrehinës shenjte, e cila pret e përcjell në shekuj artistë e besimtarë nga të katër anët. E në qendër të  botës së bukurisë - ngadhënjen figura, që mishëron një nga idealet më të larta të krishterimit.

Në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe mbretëron Gruaja, që u bë Nëna e Krishtit e ditë për ditë, edhe nënë e secilit prej nesh. Bazilika është një himn guri e ngjyrash, kushtuar Asaj e Amësisë së saj. Muret flasin për amësinë e saj. Pikturat, për bukurinë. Reliket, për lindjen e Krishtit… Na flet posaçërisht   Shpella e parë e Betlehemit që u pikturua në histori, realizuar nga Arnolfo di Cambio, në vitin e largët 1291, tani në muzeun përbri. Kur shkel në Kishën, që të duket e ngjashme me parrizin, gati-gati beson se ke hyrë në mbretërinë e dritës. Prandaj mund ta kuptojmë pse romakët kanë kaq shumë devocion për këtë kishë e pse edhe kush nuk është i devoçëm, bëhet menjëherë, pasi të ketë shkelur në këtë skaj mahnitës të botës, që të kujton parajsën. 

Pamë, çka nuk shlyhet kurrë nga kujtesa

Më 27 mars të vitit të kaluar, në çastin më të dhimbshëm të pandemisë së Covid-19, pamë çka na mbeti, pastaj, e pashlyeshme në mendje e në zemër: në Sheshin e Shën Pjetrit pamë Papën Françesku vetëm, në terr, nën shiun  e akullt të asaj pranvere të pazakontë, ndërsa lutej para Krishtit të Kryqëzuar të Shën Marcelinit dhe figures së Salus Populi Romani, që kishte ardhë nga Bazilika - në Shesh, për t’i shpëtuar përsëri “Popujt e saj”, si dikur, kur pati dëbuar nga bota murtajën shkatrrimtare. Krishti i Kryqëzuar e Nëna e Tij, Shpëtim i popujve, janë gjithnjë mes të vetëve  në çastet më të vështira, kur i madh e i vogël u drejtohen me lutje të zjarrta, që t’i shpëtojnë. Ashtu siç ndodhi në kohën e Papës Gregori i Madh, kur i qe lutur po kësaj Zoje për ta larguar kolerën e cila, në vitin e largët 590, linte, në kalim, vetëm kufoma e gërmadha.

Papa Françesku është i lidhur me Zojën e Dëborës deri në atë pikë, sa t’i nisë e t’i përfundojë këtu shtegtimet e tij nëpër botë, me një tufë lule në dorë, një falënderim e një lutje zemre, pas takimit me popujt e ndryshëm të rruzullit.

Zoja Shpëtimi i Popullit Romak

Zoja Shpëtimi i Popullit Romak,  siç përkthehet nga latinishtja, është ikonë bizantine, e pikturuar rreth shekujve V e XIII. U prek disa herë, ndaj datimi i saj nuk është aspak i lehtë. Sipas Pontifikalit romak Helena, nëna e Kostandinit e pati sjellë nga Kostandinopoja, në Romë e, sipas këtij burimi, duhet të jetë edhe më e lashtë, domethënë duhet të jetë realizuar rreth shekullit IV. Në fillim u quajt “Regina Coeli” - “Mbretëresha Qiellore”, u zhvendos disa herë e shumë shpejt nisi të nderohej si mrekullibërëse. U quajt edhe acheropita, domethënë, që nuk ishte pikturuar nga duar njerëzore, e realizuar nga Shën Luka Ungjilltar. Ndodhet në Kapelën aktuale Paolina, apo Borghese, që nga viti 1613.

Bazilika 

Po mundohemi të përmbledhim në pak rreshta, mijëra vjet historie. Kryebazilika papnore arqipeshkvnore e Shën Marisë së Madhe njihet edhe me emrin “Liberiane”, sepse  besohet të jetë themeluar nga Papa Liberio, pas një mrekullie sa të jashtëzakonshme, aq romantike, të denjë për Zojën që do të banonte aty: rënies së dëborës më 5 gusht të vitit 352. Fenomen që riprodhohet edhe sot e kësaj dite përmes flaurimit të një shiu me petale të bardha nga tavani, ditën  e festës të Zojës së Dëborës! Gjurmë historike la aty edhe Papa pasardhës, Siksti III, ndërmjet vitit 432 e 440, një vit pas Koncilit të Efezit, që e pati njohur Marinë si Theotòkos, Nënë Hyjnore e Zotit.

Papa Françesku është i lidhur me Zojën e Dëborës deri në atë pikë, sa t’i nisë e t’i përfundojë këtu shtegtimet e tij nëpër botë, me një tufë lule në dorë, një falënderim e një lutje zemre, pas takimit me popujt e ndryshëm të rruzullit. 

Ta vizitojmë së bashku Bazilikën më të lashtë të Zojës

Rikthehemei tek bazilika, më e lashta ndërmjet bazilikave romake, që i afohet më shumë se të gjitha, bazilikave origjinale paleokristiane: me tri navata të ndara me shtylla, me kapitele të stilit jonik,  e ndriçuar nga njëzet e një dritare në të dy krahët, më vonë të mbyllura. Kësaj periudhe i përket cikli i mozaikëve me skena nga Besëlidhja e Vjetër dhe e Re në navatat anësore, nga të cilat ruhen vetëm 27. Ndër to mund të vërehet filli i kuq, që lidh temat stilistike më të lashta të epokës imperiale, me ato  paleokristiane. Mbi harkun triumfal soditen mozaikë të tjerë të shkëlqyer, me sfondin e tyre të artë, por më të stereotipuar, në të cilët paraqiten skena  nga Fëmijëria e Krishtit e posaçërisht, fragmente të frymëzuara nga Ungjijtë apokrifë. Të gjitha këto skena janë të studiuara me kujdes, për t’i bërë të dukshme konceptet e Koncilit të Efezit e, njëkohësisht, edhe për të pohuar primatin e Kishës romake mbi  botën e krishterë.

Hollësi të tjera, për t’u soditur – e për t’u lutur

Për t’u soditur, edhe dyshemetë kozmateske si dhe portiku i fasadës, i rrënuar një herë e pastaj i rindërtuar gjatë ndërhyrjeve që u bënë me rastin e Jubileut të parë, atij të vitit 1300, nën papninë e Papës Niccolò IV, me shtesën e një absidi të ri, stolisur me mozaikë nga Jacopo Torriti, në vitin 1293. Aty mund ta sodisim edhe sot e kësaj dite Zojën e rrethuar nga engjëjt, realizuar me stil bizantin. Nuk mund të mos kënaqesh duke soditur, më pas, edhe absidën, me Kurorëzimin e Virgjërës Mari,  shoqëruar nga disa shenjtorë: në të majtë, Shën Pali e Shën Françesku, në të djathtë, Shën Gjon Pagëzuesi, Shën Gjoni Ungjilltar e Shëna Ndou. Ehuuu! Sa gjëra të tjera mund të soditen në këtë Bazilikë, që pret e përcjell shtegtarë në shekuj, edhe kur pandemitë besojnë, më kot, se mund t’i mbyllin dyert e kishave…

Kumbonarja

 fundi, nuk duhet harruar kumbonarja  romanike, që vjen deri në kohët tona nga vitet 1375-1376 e që vijoi të lartohet rreth shekullit XV aq, sa  maja e saj të ngrihet mbi të gjitha kumbonaret të Romës. Të duket sikur nga ajo majë syri i amtar i Zojës vigjëlon mbi Qytetin e Amshuar, Qytet i Marisë!

28 shkurt 2021, 12:04