La risurrezione di Lazzaro da Gesù Cristo, Marta e Maria presenti La risurrezione di Lazzaro da Gesù Cristo, Marta e Maria presenti 

Përkujtimi i Shën Martës, Marisë e Lazrit është vendosur në Kalendarin Romak

Papa vendosi përkujtimin liturgjik tё Shën Martës, Marisë e Lazrit në Kalendarin Romak më datёn 29 korrik. Dekreti i Kongregatës sё Vatikanit për Kultin Hyjnor nënvizon dëshminë e rëndësishme ungjillore të ofruar nga tre vëllezërit në mikpritjen e Jezusit, nё dëgjimin dhe nё besimin se Ai është ringjallja dhe jeta. Deri më tani, kalendari përmbante vetëm kujtimin e Martës.

R.SH. - Vatikan

Nga ky vit, më datёn 29 korrik, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak do të shënohet përkujtimi i shën Martёs, Marisё dhe Lazrit.  Papa Françesku ka vendosur këtё duke pranuar propozimin e Kongregatës sё Selisё sё Shenjtё për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, e cila ka botuar edhe dekretin pёrkatёs. Deri më tani në Kalendarin e Përgjithshëm Romak gjendej vetëm pёrkujtimi i Martës.

Duke motivuar vendimin, dekreti, i nënshkruar nga prefekti i Dikasterit, kardinal Robert Sarah e nga sekretari, kryeipeshkvi Arthur Roche, nënvizon "rëndësinë e dëshmisë ungjillore" të ofruar nga tre vëllezërit "në pritjen e Zotit Jezus në shtëpinё e tyre, në dëgjimin e vëmendshëm e të përzemërt, nё besimin se Ai është ringjallja dhe jeta”.

“Në shtëpinë e Betanisë - thuhet - Zoti Jezus përjetoi pёrzemёrsinё familjare dhe miqësinë e Martës, Marisë e tё Lazrit, dhe për këtë arsye Ungjilli i Gjonit pohon se Ai i donte ata. Marta me bujari i ofroi mikpritjen, Maria i dëgjoi me vëmendje e përzemërsi i fjalët e tij e Lazri doli menjëherë nga varri nё saje tё urdhrit tё Atij që e mposhti vdekjen”.

Dekreti shpjegon se "pasiguria tradicionale e Kishës latine lidhur me identitetin e Marisë - Magdalenës së cilës iu shfaq Krishti pas ngjalljes së tij, motra e Martës, mëkatare së cilës Zoti i fali mëkatet – pati vendosur qё më 29 korrik në Kalendarin Romak të regjistrohej në vetëm Marta, mirëpo tani ka gjetur një zgjidhje në studimet e kohëve tё fundit, siç  dëshmohet nga Martirologu i sotёm Romak i cili e përkujton edhe Marinë e Lazrin në të njëjtën ditë me Martёn. Më tutje, në disa kalendarë të veçantë të tre vëllezërit përkujtohen së bashku në atë ditë”.

“Me këtë emërtim - përfundon dekreti – përkujtimi liturgjik duhet të vendoset në të gjithё kalendarët dhe librat liturgjikë për kremtimin e Meshës e tё Liturgjisë sё orëve; ndryshimet dhe shtesat që do të adoptohen në tekstet liturgjike, të bashkangjitura këtij dekreti, duhet të përkthehen, tё miratohen e, pas konfirmimit nga ky Dikaster i Vatikanit,  të botohen nga Konferencat Episkopale vendore".

Gjithnjë sot, Papa Françesku vendosi qё në Kalendarin e Përgjithshëm Romak tё regjistrohet pёrkujtimi fakultativ (jo tё detyueshme) i tre doktorёve të Kishës: Shën Gregorit tё Narekut (27 shkurt), Shën Gjonit De Avila (10 maj), Shën Hildegardёs sё Bingenit ( 17 shtator). Kongregata e Vatikanit për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve ka botuar dekretin pёrkatёs.

02 shkurt 2021, 12:50