Mosha e shtyrë është dhuratë e Zotit

U paraqit sot dokumenti i Akademisë Papnore për Jetën, kushtuar “moshës së tretë” pas pandemisë

R.SH. - Vatikan

“Pleqëria: e ardhmja jonë. Gjendja e të moshuarve pas pandemisë”: ky është titulli i dokumentit të botuar sot, 9 shkurt 2021, me të cilin Akademia Papnore për Jetën, në marrëveshje me Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, propozon një reflektim mbi mësimet, që duhen nxjerrë prej tragjedisë së shkaktuar nga përhapja e Covid-19, mbi pasojat për sot dhe për të ardhmen e afërt të shoqërive tona.

Rishikimi i modelit të zhvillimit

Mësime, që kanë bërë të dalë në pah një vetëdije e dyfishtë: “Nga njëra anë, ndërvarësia e të gjithëve dhe, nga ana tjetër, pabarazi të fuqishme. Të gjithë duhet të përballojmë të njëjtën stuhi, por mund të thuhet se po vozisim me barka të ndryshme: ato më të brishtat fundosen çdo ditë. Është thelbësore të rishikohet modeli i zhvillimit për gjithë planetin” lexohet në tekstin, që vijon reflektimin e filluar me Notën e 30 marsit 2020 (Pandemia dhe Vëllazërimi universal) e të vazhduar me Notën e 22 korrikut 2020 (Humana Communitas në epokën e pandemisë. Reflektime jo aktuale mbi rilindjen e jetës) dhe me dokumentin e përbashkët me Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor (Vaksina për të gjithë. 20 pikë për një botë më të drejtë dhe më të shëndetshme) të 28 dhjetorit 2020. Qëllimi është “të propozohet një rrugë e Kishës, mësuese humaniteti, në një botë të ndryshuar nga Covid-19, për gratë dhe burrat në kërkim të kuptimit dhe të shpresës për jetën e tyre”.

Covid-19 dhe të moshuarit

Gjatë valës së parë të pandemisë, një pjesë e konsiderueshme e vdekjeve nga Covid-19 ndodhën në institucione për të moshuarit, vende që supozohej ta mbronin “pjesën më të brishtë të shoqërisë”, por ndodhi e kundërta: humbën jetën më shumë njerëz se në shtëpi e në ambientin familjar. Në tekst, shpjegohet se faji për këtë nuk duhet kërkuar thjesht në shtëpitë për të moshuar, duke gjetur ndonjë dash për kurban. Përkundrazi, dokumenti nxit të vihen në dukje rezultatet e shkëlqyera të arritura nga ata, që ditën t’i mbrojnë të moshuarit nga koronavirusi. Gjithsesi, vërehet në të, “kemi nevojë për një vizion të ri, një paradigmë të re, që i jep mundësinë shoqërisë të kujdeset për të moshuarit”.

Në vitin 2050, dy miliard njerëz mbi 60 vjeç

Dokumenti i Akademisë Papnore për Jetën thekson se sot, jeta është zgjatur. Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që në vitin 2050, në botë do të ketë dy miliardë njerëz me moshë mbi 60 vjeç, një e pesta e popullsisë. Për këtë arsye, nënvizohet në tekst, të gjitha zonat duhen shndërruar në vende mikpritëse për të moshuarit, sidomos për më të brishtët. Në shoqëritë tona, denoncon Akademia, mbizotëron ideja se pleqëria është moshë pa lumturi, që ka nevojë vetëm për asistencë e për kura mjekësore. Por, pikërisht kjo moshë “është dhuratë e Zotit e pasuri e jashtëzakonshme, fitore për t’u mbrojtur me kujdes edhe kur sëmundja të kthen në invalid e kur dalin në pah nevoja për asistencë të integruar, me cilësi të lartë”. Pandemia e ka përforcuar vetëdijen se mosha e shtyrë është thesar për t’u vlerësuar e mbrojtur.

Një model i ri për shtresat më të ligështa

Përsa i përket asistencës, dokumenti i Akademisë Papnore për Jetën uron të realizohet një model i ri, që siguron vazhdimësinë në shtëpi të disa shërbimeve të jashtme. Në tekst promovohet shërbimi asistencial në shtëpitë e të moshuarve, sipas nevojave të secilit. Rrjeti i solidaritetit duhet të jetë më i gjerë e “jo domosdoshmërisht i bazuar në lidhjet e gjakut me të moshuarit, por edhe në bashkësitë, miqësitë, ndjenjat e përbashkëta, bujarinë reciproke në përgjigjen ndaj nevojave të tjetrit”. Duke pasur parasysh thirrjet e shpeshta të Papës Françesku që të rinjtë të takohen, të bisedojnë e të mësojnë nga të moshuarit, dokumenti nënvizon se pleqëria nuk është fundi i jetës, por afrimi me misterin e amshimit. “Vetëm falë të moshuarve të rinjtë mund të gjejnë rrënjët e tyre dhe vetëm falë të rinjve, të moshuarit rifitojnë aftësinë për të ëndërruar”. Në dokument, nxitet Kisha të kujdeset për përshpirtërinë e të moshuarve dhe për nevojën e tyre për intimitet me Krishtin, para se t’u vijë ora e mbrame.

Brishtësia si magjister

Brishtësia e të moshuarve është mësim jete, vijon më tej dokumenti. “Pleqëria – shkruhet në të – duhet kuptuar edhe në këtë horizont shpirtëror: është mosha e përshtatshme për ta lëshuar veten në duart e Zotit. Ndërsa trupi dobësohet, gjallëria psikike, kujtesa e mendja përkeqësohen, duket gjithnjë e më qartë varësia e njeriut nga Zoti”. Së fundi, thirrja që krejt shoqëria, Kisha, traditat e ndryshme fetare, bota e kulturës, shkollës e të gjitha fushat e shoqërisë ta ndiejnë përgjegjësinë për të ndërmarrë nisma të reja që të moshuarit të shoqërohen e të ndihmohen në kuadrin familjar, në shtëpi, ose në ambiente, që u ngjajnë më shumë shtëpive se spitaleve. “Është fjala për një kthesë kulturore, që duhet vënë në jetë”, përfundon dokumenti.

09 shkurt 2021, 11:57