Quaresima, Gesù in Croce, grazia che salva Quaresima, Gesù in Croce, grazia che salva 

Krezhmët kohë për të luftuar të keqen me Krishtin

Duke u nisur nga realiteti i jetës së përditshme, i jetës konkrete me batica e zbatica, Kisha na kujton edhe se Udha e Kryqit qё pёrshkoi Jezusi është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi egoizmin, të paqes mbi dhunën, tё dashurisё mbi urrejtjen e tё jetёs mbi vdekjen.

R.SH. - Vatikan

Udha e kreshmëve, qё kemi filluar tё Mërkurën e Pёrhime mё 17 shkurt, njё kohё liturgjike prej dyzetë ditësh që do të na shpjerë te tre ditëshi i Pashkës, kur do të kujtojmë mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Zotit tonё Jezu Krisht, që përbën thelbin e zemrës së shpëtimit tonë. Kreshmët na përgatisin për këtë çast mjaft të rëndësishëm, prandaj janë një kohë domethënëse, që shënon një kthesë rrënjësore që mund të favorizojë te secili prej nesh shndërrimin e madh, apo kthimin.

Kështu, të përshkosh kohën shpirtërore e liturgjike të Kreshmëve do të thotë të përsëritësh premtimin personal e komunitar për t’i bërë ballë së keqes së bashku me Jezu Krishtin, tё ecёs pas Mёsuesit e Shёlbuesit, Udhёs sё Kryqit. Këtë na kujton Kisha, me ritin e përhimjes, që ditën e së Mërkurës së Përhime, kur filloi kohën e përgatitjes shpirtërore të besimtarëve, e gjatё tёrё kohёs liturgjike e shpirtёrore tё Kreshmёve, për kremtimin e Pashkëve.

Duke u nisur nga realiteti i jetës së përditshme, i jetës konkrete me batica e zbatica, Kisha na kujton edhe se Udha e Kryqit  qё pёrshkoi Jezusi është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi egoizmin, të paqes mbi dhunën, tё dashurisё mbi urrejtjen e tё jetёs mbi vdekjen.

Në  fillimin e Kreshmёve, me lutje, agjërim dhe ritin e përhimjes, kemi filluar Kohën e Kreshmëve, e vazhdojmё tё bëjmë një pyetje: Çka do të thotë të hysh në Kreshmë? E si duhet jetuar kjo kohë që i paraprin festës së Pashkëve?. Kisha përgjigjet duke treguar të vetmen rrugë, atё tё Jezusit, që duhet përshkuar edhe ne, sё bashku me Tё, në luftën kundër së keqes e tё keqit. Do të thotë të fillosh një kohë impenjimi të posaçëm në luftën shpirtërore për t’iu kundërvënë së keqes, që është e pranishme në botë, në secilin nga ne e rreth nesh. Kjo do të thotë ta shikosh të keqen në sy dhe të jesh gati të luftosh kundër pasojave e, posaçërisht, kundër shkaqeve të saj, deri në shkakun e fundit, që është shejtani apo djalli i mallkuar.


Kuptimi i Kreshmëve, ka të bëjë edhe me përgjegjësinë e secilit nga ne në betejën kundër së keqes e tё keqit. Do të thotë, pra, të mos e shkarkosh problemin e së keqes mbi të tjerët, mbi shoqërinë, mbi bashkësinë dhe mbi Hyjin, por t’i njohësh mirë përgjegjësitë personale dhe ta marrësh mbi vete me vetëdije pjesën që të takon, duke ecur gjurmëve tё Jezusit. Lidhur me këtë, për ne të krishterët tingëllon më urgjente se kurrë thirrja e Krishtit për ta marrë secili ‘kryqin’ e vet, çdo ditë, e për ta ndjekur me përvujtëri e besim Mësuesin Hyjnor.

E mos të harrojmë se Kryqi nuk është sinonim me gjëmën, me fatkeqësinë, që duhet të bësh çmos ta shmangësh, por mundësi që të ecësh në gjurmët e Krishtit e kështu të fitosh forcë në luftën kundër mëkatit e kundër së keqes. Rruga e kryqit tё Jezu Krishtit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi vetëdashjen, të paqes mbi dhunën. Po t’i shikojmë në këtë këndvështrim e dritë, Kreshmët janë vërtetë rast i mirë impenjimi asketik e shpirtëror, mbështetur mbi forcën e hirit të Zotit.

Mesazhi që Kisha vijon t’ia drejton besimtarëve gjatë Kreshmëve, na kujton fjalët e Jezusit pikërisht në fillim të misionit të tij publik, të cilat i dëgjojmë të përsëritura shpesh këto ditë Krezhmësh. Është ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit, për t’u lutur e për të bërë pendesë. Ta mirëpresim ftesën e Kishës, që i bën jehonë asaj të Krishtit, e t’i lutemi të hyjmë me fe në Kreshmë, për ta jetuar këtë kohë me gëzim shpirtëror e impenjim bujar.

24 shkurt 2021, 10:40