Dita e Lutjes për viktimat e abuzimeve Dita e Lutjes për viktimat e abuzimeve

Kreshmët: në të premten e parë, lutja për viktimat e abuzimeve

Faqe e re interneti e Komisionit Papnor për mbrojtjen e të miturve, që përkujton Ditën e lutjes për ata, të cilët kanë pësuar abuzime. Nisma do të zhvillohet në shumë kisha në fillim të Kreshmëve

R.SH. - Vatikan

Lutja, si pjesë e procesit të shërimit për personat e abuzuar, për familjet e tyre dhe për bashkësitë e besimtarëve. Në faqen e re të internetit, në anglisht, Komisioni Papnor për mbrojtjen e të miturve, www.tutelaminorum.org, njofton se Dita e Lutjes për të abuzuarit, të premten e parë të Kreshmëve, do të kremtohet në dhjetra kisha lokale. Në Irlandë, për shembull, do të ndizen qirinj në katedrale dhe në famulli të ndryshme, ndërsa në kishat e Skocisë dhe të Polonisë, nesër, 19 shkurt, do të kremtohen liturgji të veçanta.

Lutje sensibilizimi

 Në fund të vitit 2016, Papa Françesku – lexohet në faqen e internetit - u shkroi Konferencave Ipeshkvnore të gjithë botës, duke u kërkuar të zgjidhnin një kohë të përshtatshme gjatë vitit liturgjik për të kremtuar një Ditë Kombëtare Lutjesh për viktimat e abuzimit. Një nismë e mbështetur nga Papa, me kontributin e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve. “Lutja – shpjegohet në tekst - është mjet i rëndësishëm për të sensibilizuar të gjithë Kishën mbi realitetin e abuzimeve, për të nxitur vëmendjen” ndaj këtij argumenti, por edhe “vigjilencën” e punën “parandaluese”.

Kremtimi i Ditës nëpër botë

Në katër vitet e fundit, shumë Konferenca Ipeshkvnore dhe dioqeza të ndryshme e kanë vënë në jetë këtë propozim. Në Australi, Kisha kremton Ditën e Lutjes më 11 shtator, që përkon me Ditën Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve. Konferencat Ipeshkvnore të Afrikës së Jugut i kushtojnë tri ditë nismës, e cila kulmon në të Dielën e dytë të Ardhjes.

Shumë Kisha Evropiane - nga Spanja në Zvicër - e kanë lidhur nismën me të dielën më afër Ditës Botërore të Fëmijëve, më 20 nëntor. Vende të tjera, si Franca dhe Belgjika, kanë themeluar Ditët Kombëtare të Lutjes dhe Agjërimit për njerëzit e abuzuar. Në faqen e internetit të Komisionit Papnor gjenden doracakë dhe ide për organizimin e Ditës, me lutje dhe liturgji pendestare.

18 shkurt 2021, 11:33