Kreshmë: e Mërkura e Përhime Kreshmë: e Mërkura e Përhime 

Kreshmët. Kardinali Piacenza: aktualiteti dhe kuptimi i pendesës

Kardinali Mauro Piacenza, kryependestar i Gjykatës së Pendestarisë Apostolike, u drejtohet besimtarëve me një letër, përmes së cilës shpjegon domethënien e thellë të gjesteve, që Kisha fton të praktikohen në kohë kreshmore. Kohë pendese - shkruan - por edhe pjesëmarrjeje në fitoren përfundimtare të Krishtit mbi të keqen, e vetmja që mund t’i sjellë gëzim e shpëtim njerëzimit, të cilin pandemia e vuri para një prove të rëndë.

R. SH. - Vatikan

Kreshmët dhe pandemia: dy kohë, njera që ndjek ditë për ditë kalendarin liturgjik dhe jetën e Kishës, tjetra, që ndikon ditë për ditë mbi jetën e mbarë njerëzimit, përdorin disa fjalë të përbashkëta, që dukeshin si të vjetëruara, të paktën në Perëndim. Nga ky konstatim e nis reflektimin e tij, propozuar besimtarëve, kardinali Mauro Piacenza, përmes një letre, botuar sot.  Pikërisht sot - lexojmë në të - “qytetarëve të gjithë botës u kërkohet të heqin dorë, të paktën pjesërisht, nga ushtrimi i lirive personale, ta flijojnë “stilin e jetës së tyre”, duke respektuar masat higjienike-shëndetësore, marrë nga autoritetet përkatëse, "edhe kur nuk i lejojnë të jenë të pranishëm e as t’i japin lamtumirën e fundit ndonjë familjari të shtruar në spital, në grahmat e fundit”.

Kufizime e pendesë, në pritje të një ardhmërie më të mirë

Që t’i nxisin qytetarët për këtë mënyrë sjelljeje, e cila më parë as që mund të mendohej, mjetet e komunikimit - vëren kardinali Piacenza -  propozojnë tre mesazhe: denoncimin e “ndonjë rreziku, për të cilin secili duhet të përgjigjet për vete e për tjetrin; kumtimin e një horizonti të ardhshëm, sa më pozitiv; sigurimin se “pritja dhe flijimi i kërkuar do të kenë një fund”. Kardinali vëren se, së paku pjesërisht, këto janë edhe koordinatat e pendesës së krishterë në kohë Kreshmësh. E shpjegon se në Lutjet e së Mërkurës së Përhime i kërkojmë Zotit të nisim me agjërim e pendim udhën e kthesës, që na ndihmon në luftën kundër shpirtit të së keqes, armik gjithnjë në pritë. Por menjëherë pas, hapet para nesh edhe horizonti pozitiv, fitorja e Kryqit të Krishtit, në të cilën të gjithë ftohen të marrin pjesë. E, së fundi, përcaktohet edhe mbarimi i luftimit, përfaqësuar nga “numri shenjt” i 40 ditëve, kohë e pendesës dhe e kthesës së vërtetë.

Fitorja e Krishtit shpëton korp e shpirt

Në Letrën e kryependestarit apostolik nënvizohet se “e keqja, për të cilën flitet në këtë rast, si dhe fitorja mbi të”, kanë rëndësi të pakrahasueshme  për jetën e njeriut, mbasi lidhen jo vetëm me të mirën e përkohshme të shëndetit trupor, por sidomos, me të mirën më rrënjësore, me shëlbimin e amshuar të shpirtit e të korpit”. Kardinali Piacenza vijon të kujtojë  se pikërisht për këtë arsye Kreshmët nisin me përhimjen dhe formulën pendestare: “Mendo se hi ke qenë e në hi do të kthehesh”,  e cila na kujton  se jemi krijesa që varemi plotësisht nga Zoti, jeta e të cilave është e paracaktuar të marrë fund, prandaj e ka “në qiellin e madh të Zotit, e jo në të mirat e tokës, kuptimin e plotë e synimin e fundit”. Hirësia e tij shpjegon, më pas, kuptimin e pendesës së krishterë: ajo - shkruan - ka brenda vetes një gëzim të thellë, që buron nga përpjekja për të marrë nga Zoti, çka nuk mund ta arrijmë kurrë me forcat tona, duke iu përgjigjur  me gjithë vetveten asaj Dashurie, krejt hyjnore e krejtësisht njerëzore, që në Krishtin, e mori mbi vete  të keqen e botës e me Kryqin dhe ngjalljen e Tij, e rinoi universin e dërmuar nga mëkati. Pendesa e krishterë - vijon - është virtyt i dhuruar nga Shpirti Shenjt, përmes të cilit njeriu ia dorëzon  jetën Zotit, duke pranuar të vuajë me Të e të marrë pjesë, kështu, në jetën e re me Krishtin që, duke iu nështruar mundimeve të Kryqit, “u ul në të djathtën e fronit të Zotit”.

Pendesa e vërtetë kristiane i dhuron një fytyrë të re së sotmes

Nga prania e gjallë e Shpëtimtarit, “qendër e kozmosit dhe e historisë”, marrin formë - pohon kardinali Piacenza - ndjetet që i përkasin traditës liturgjike e shpirtërore të Kishës: gjykimi i drejtë mbi vetveten, në rrëmimin e ndërgjegjes; kthesa kah Zotit, me gjithë vetveten e edhe me vëllezërit; përmasa e praktikës së lutjes, agjërimit e lëmoshës; kujtesa e përditshme e Krishtit, që bëhet i pranishëm përmes ofertës së ‘lutjeve kreshmore’; kujtimi i Mundimeve të Tij shëlbuese në praktikën e përshpirtshme të Udhës së Kryqit; leximi i Psalmeve pendestare; i litanive të shenjtorëve, që përbëjnë "shumicën" e banorëve të botës së Zotit; procesionet, urgjente për sot; kundrimi plot dashuri i Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur, në kremtimin e dhurimit eukaristik; lutjet, plot me besim e dashuri drejtuar Zojës së Dhimbshme, që merr pjesë plotësisht në lumninë e Ngjalljes.

E Asaj t’i drejtohemi - përfundon Letra e kardinalit Piacenza - që të na ndihmojë të bëjmë një pendesë të vërtetë kristiane, “e vetmja që mund ta  ta shndërrojë në rast shëlbimi, emergjencën aktuale pandemike, duke risjellë ndër zemra gëzim e liri”.

 

19 shkurt 2021, 14:11