Gjykatësi Mohamed Mahmoud Abdel Salam Gjykatësi Mohamed Mahmoud Abdel Salam

Gjykatësi Abdel Salam: miliona njerëz prisnin nxitjen drejt vëllazërimit

Bota po përgatitet të kremtojë për herë të parë, më 4 shkurt, Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor. Një nga njerëzit, që ndihmoi për këtë, është gjykatësi egjiptian Abdel Salam. Në intervistën e tij për Vatican News, nënvizon se kremtimi vjetor i Vëllazërimit Njerëzor “do të rinovojë idetë dhe vizionet për realizimin e tij”

R.SH. - Vatikan

Mohamed Mahmoud Abdel Salam, ish-këshilltar i Imamit të Madh të Al-Azharit, shehut Ahmad Al-Tayyeb, është gjykatës i Këshillit Shtetëror Egjiptian. Gjatë karrierës së tij, ka promovuar dialogun në shoqëri dhe ka marrë pjesë në hartimin e ligjeve për t’i vënë fre dhunës së kryer në emër të fesë. Më 3 shkurt 2019 u bë e njohur se Papa Françesku, në fund të marsit, do t’i jepte gjykatësit Abdel Salam, Çmimin “Commenda con Placca dell’Ordine Piano” (Vlerësimi me Medaljen e Urdhërit të Piut IX), në shenjë mirënjohjeje për impenjimin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Al-Azharit dhe Kishës Katolike. Në gusht 2019, ai u zgjodh Sekretar i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, që synon arritjen e objektivave të përfshira në Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, për Paqen Botërore dhe për Bashkëjetesën.

Pikërisht në prag të Ditës së parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, gjykatësi Abdel Salam i dha një intervistë Vatican News. Në të, ai flet për kuptimin e këtij kremtimi të ri ndërkombëtar, që vë në dukje se idealet e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën janë mirëpritur nga njerëzit, por nënvizon edhe ç’do të thotë të përfshihesh personalisht në zbatimin e Dokumentit…

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila e shpall përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, Ditë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor dëshmon se njerëzimi është bërë i vetëdijshëm për rëndësinë e vëllazërimit në krijimin e marrëdhënieve dhe të ardhmërisë së brezave. Kjo rezolutë vjen në një kohë shumë delikate, në të cilën njerëzimi po përballet me krizën e paparë të shkaktuar nga epidemia e koronavirusit, si dhe me një përshkallëzim të dhunës dhe urrejtjes: sfida që mund të përballohen vetëm me solidaritet dhe vëllazërim ndërmjet gjithë anëtarëve të familjes njerëzore. Rëndësia e kësaj rezolute qëndron në faktin se e kthen vëllazërimin njerëzor në përgjegjësi për një solidaritet me natyrë globale, pasi e gjithë bota merr pjesë në realizimin e këtyre parimeve fisnike dhe, çdo vit, i rison idetë dhe vizionet për realizimin e tyre, me synimin për të frymëzuar tolerancë dhe bashkëjetesë.

Vitin e kaluar, me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të Dokumentit historik mbi Vëllazërimin Njerëzor nga Papa Françesku dhe Imami i Madh, Ahmad Mohamed al-Tayyeb, ju pohuat se ky dokument është “burim frymëzimi për gjithë njerëzimin” dhe se realizimi i vëllazërimit njerëzor ka nevojë për mbështetjen e vendimmarrësve, të krerëve fetarë e të mediave. Nga çasti që u bëtë anëtar i Komitetit të Lartë, çfarë vutë re? Si kontribuonin njerëzit e këtyre sektorëve në realizimin e vëllazërimit njerëzor?

Me të vërtetë, jemi dëshmitarë të qasjeve të ndryshme humanitare, përdorur nga udhëheqësit fetarë, vendet dhe institucionet. Pasi Shenjtëria e Tij Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayeb, bën të lindë një model historik, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, shumë krerë fetarë u konfrontuan me Dokumentin. Në veprimtaritë tona të fundit, vumë re një dëshirë të madhe për bashkëpunim nga ana e krerëve fetarë dhe e institucioneve ndërkombëtare. Me këto institucione, po bashkëpunojmë për nisma premtuese e disa shtete po e zbatojnë në mënyrë interesante Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe themeluan Qytetin Humanitar të Emirateve për të mirëpritur, pa asnjë diskriminim, qytetarë të vendeve të ndryshme, të dëmtuara nga vatrat e para të koronavirusit. Më pas, u dërguan ndihma të gjithë atyre, që kishin nevojë, pa marrë parasysh orientimin politik. Kur Komiteti i Lartë e ftoi botën të lutet e të përgjërohet për njerëzimin, miliona njerëz, anembanë globit, iu përgjigjën kësaj thirrjeje, sikur të kishin pritur dikë t’i merrte për dore dhe t’i çonte drejt horizontit të vëllazërimit e të solidaritetit.

Ju morët pjesë edhe në konferencën për shtyp, ku u paraqit Enciklika e fundit e Papës Françesku “Fratelli tutti”. Në fjalën që mbajtët, deklaruat se “Krishterimi dhe Islami kanë lindur jo shumë larg në kohë... duke siguruar një shtyllë të re për të vërtetën, të mirën, lirinë dhe vëllazërimin”. Çfarë do të thotë për ju të punoni krah për krah me besimtarët e traditave të tjera fetare?

Natyrisht, u ndjeva shumë i nderuar kur Shenjtëria e Tij Papa Françesku më ftoi të merrja pjesë në paraqitjen e këtij mesazhi të rëndësishëm humanitar, që plotëson “vëllain” e tij, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore, prandaj, e lexova Enciklikën me shumë kujdes. Në fakt, kur e lexon, e kupton menjëherë thellësinë e punës kërkimore, të analizës dhe të trajtimit të çështjeve e temave, që kanë të bëjnë me paqen dhe vëllazërimin njerëzor. Për shembull, në fjalët e Atit të Shenjtë mbi migrantët dhe refugjatët, perceptohet zemra e madhe e Papës Françesku, i cili nuk ka asnjë paragjykim fetar ose etnik, por flet vetëm si njeri, që i ndjen vuajtjet e të afërmit. Këto cilësi njerëzore, që e dallojnë Atin e Shenjtë dhe Imamin e Madh, Shehun e Al-Azharit, janë mishërimi i vlerave të paqes dhe të dashurisë, të pranishme në Islam dhe Krishterim. Pikërisht ato duhet të karakterizojnë marrëdhëniet ndërmjet besimtarëve të të dyja feve, por edhe të feve të tjera, cilado qofshin. Pavarësisht se disa shprehin ende dyshime për mundësinë e arritjes së vëllazërimit dhe i shohin këto përpjekje larg nga realiteti, modeli i gjallë i mishëruar nga Imami al-Tayeb dhe nga Papa Françesku – ai i vëllazërimit njerëzor dhe i bashkimit ndërmjet dy prej krerëve më të mëdhenj fetarë, që ndryshojnë për nga gjuha, raca, kultura dhe sigurisht, feja, e megjithatë, janë dakord përsa i përket dashurisë, bashkëjetesës, bashkëpunimit për të mirën e njerëzimit - është përgjigjja praktike për të gjithë ata, që mendojnë se vënia në jetë e këtij dokumenti është e pamundur.

01 shkurt 2021, 14:16