Kardinali Cantalamessa, predikimi i Kreshmëve Kardinali Cantalamessa, predikimi i Kreshmëve 

Cantalamessa: kthesa është hop përpara në jetën e Ungjillit

Predikatari i Shtëpisë Papnore, Kardinali Raniero Cantalamessa, mbajti sot paradite, në Sallën Pali VI, në praninë e Kuries Romake, meditimin e parë të Kreshmëve me temë: “Po ju, ç’thoni: kush jam unë?” Kthesa e vërtetë, kujtoi kardinali kapuçin, kërkon të kalohet nga ideja e një Zoti që kërkon, që urdhëron, që kërcënon, në idenë e një Zoti, që vjen me duar plot, për të na dhuruar gjithçka.

R. SH. - Vatikan

Meditimin e parë të Kreshmëve kardinali Cantalamessa ia kushtoi kumtimit programatik, me të cilin Jezusi nisi predikimin e Tij publik: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”(Mk 1,15).  Duke vijuar me ftesën  për ta medituar gjithnjë  këtë thirrje të Zotit për kthesë, përherë aktuale.

E për këtë kthesë - vijoi predikatari papnor -  Besëlidhja e Re flet tri herë. Në secilën e prej tyre shpaloset një mendim i ri. Të tre fragmentet së bashku krijojnë idenë e plotë mbi metanoien ungjillore. Domethënë, mbi ndryshimin rrënjësor të mënyrës së të menduarit, të gjykuarit, të ndjerit, kur besojmë në një fe të re. Kthesa mund të bëhet në çdo stinë të jetës - shpjegoi predikatari papnor - Rëndësi ka që secili prej nesh të zbulojë nga duhet të niset.

Kthehuni, domethënë besoni!

Kthesa e parë, ajo që e ndjejmë që në fillim të predikimit të Krishtit, jehon fuqimisht në fjalët: “Kthehuni e besojini Ungjillit!”. E menjëherë na lind pyetja: “Po, ç’ kuptim ka fjala ‘kthesë’”? Para Jezusit, fjala kthehuni kishte gjithnjë kuptimin e “kthimit mbrapa”, kur ndokush e ndjente se kishte gabuar rrugë, kishte shkelur ligjin dhe e kishte harruar besën e lidhur me Zotin. Kthesë do të thoshte të riktheheshe te besa e parë. Në këtë rast fjala kthesë të kujtonte se duhej të ndërroje zakone, të mos bëje këtë a atë gjë…

Po në buzët e Jezusit kuptimi i kësaj fjale ndryshon. Kthehuni  nuk e ka më kuptimin e kthimit mbrapa të Besëlidhjes së Vjetër. Përkundrazi, nënkupton një hop cilësor, një hap para, për të hyrë në Mbretërinë e Zotit.

“Kthehuni e besoni” nuk janë  dy veprime të ndryshme: janë i njëjti veprim themelor: kthehuni, domethënë besoni:

“E gjithë kjo - pohoi Kardinali kapuçin - kërkon një kthesë të vërtetë, një ndryshim të thellë të mënyrës së konceptimit të marrëdhënieve tona me Zotin,  që vjen me duar plot, për të na dhuruar gjithçka. Është kthimi nga “ligji” në “hir”, që Shën Pali e kishte aq për zemër”.

Të shpërqendrohemi nga vetja për t’u ripërqendruar tek Krishti

Thirrja për kthesë përsëritet kur Krishti flet me dishepujt, që e pyesin njëri-tjetrin kush prej tyre do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellit. E Jezusi u përgjigjet se po të mos kthehen e të bëhen si fëmijët, nuk do të hyjnë në Mbretërinë qiellore. Në këtë rast, duhet vërtetë të kthehen mbrapa e të bëhen rishtas si fëmijët:

“Kjo është kthesa e atij, që ka hyrë në mbretëri, i ka besuar Ungjillit e  është prej kohe në shërbim të Krishtit. Është kthesa jonë. Pa të, ‘revolucion i vërtetë kopernikian’, nuk mund të hyhet në mbretëri. Duhet të shpërqendrohemi nga vetja për t’u ripërqendruar tek Krishti”.

Vendimtar, vërshimi i Shpirtit Shenjt

Po, si mund ta vëmë në jetë këtë kthesë? Kush është i interesuar - kujtoi predikatari – përveç një rrëfimi të mirë, merr pjesë në takimet e katekizmit, ku vihet në lidhje me të vërtetat dhe realitetet e fesë, në përpjekjen për të hyrë në kontakt personal me Jezusin e ngjallur e të gjallë. Gjë që nuk mund të bëhet vetëm. Kthesën e vërtetë mund ta bëjmë vetëm përmes Shpirtit Shenjt! Është i vetmi që mund të na ndryshojë:

 “Sekreti është të themi një herë ‘Eja, o Shpirti Shenjt!’, por ta themi këtë me gjithë zemër, duke e lënë Shpirtin të vijë ashtu si dëshiron ai, jo si dëshirojmë ne, mundësisht pa ndryshuar asgjë në mënyrën tonë të jetesës e të lutjes”. Të kujtojmë premtimin solemn të Jezusit në Ungjillin e në meshën e djeshme:  

Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira [te Luka: “Shpirti Shenjt do t’ju japë] atyre që ia lypin”.

Pagëzimi në Shpirtin Shenjt është mjet i thjeshtë dhe i fuqishëm për përtëritjen e miliona besimtarëve, në të gjitha Kishat e krishtera. Nuk numërohen njerëzit, që ishin të krishterë vetëm për emër të cilët, falë kësaj përvoje, u bënë të krishterë të vërtetë: të kushtuar sakramenteve, aktivë në ungjillëzim e të gatshëm për të kryer detyra baritore në famulli. Një kthesë e vërtetë: nga ftohtësia, në zell të zjarrtë. Duhet t’ia themi edhe ne vetvetes, atë që Shën Agostini ia pëshpëriste shpesh, gati me përbuzje, vetes, kur dëgjonte histori që flisnin për burra e gra të cilët e braktisnin botën, për t’iu kushtuar plotësisht Zotit: “Në se ky e ajo e bëjnë këtë, po unë, pse të mos e bëj?”.

T’i kërkojmë Nënës së Zotit - përfundoi predikatari -  të na nxjerrë atë hir, që e nxori nga i Biri në Kanë të Galilesë:

“Përmes lutjes së saj, në atë rast, uji u shndërrua në verë. T’ia kërkojmë edhe ne ndërmjetësimin që uji e ftohtësia jonë të shndërrohen në verën e zellit të ri. Në verën që për Rrëshajë i dehu apostujt me dehjen e Shpirtit e i bëri  ‘njerëz të zjarrtë në Shpirtin Shenjt’”.

26 shkurt 2021, 12:32