Padre Marin Sirdani, ofm martire della Chiesa Albanese Padre Marin Sirdani, ofm martire della Chiesa Albanese

At Marin Sirdani, françeskan e historian, në përvjetorin e vdekjes

Më 14 shkurt kujtojmë Atë Marin Sirdanin, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë Atë Marin Sirdanin, françeskan e studiues i madh i historisë, në përvjetorin e vdekjes.

Françeskani At Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit.

Atë Marin Sirdani lindi më 15 janar 1885 në Guci, studioi në kolegjin Françeskan në qytetin e Shkodrës. Studimet filozofike e teologjike i kreu në Vjenë, kohë kur Atë Marini studioi së shumti edhe historinë, lëndë me të cilën do të merrej për gjatë tërë jetës së tij. Më 1909 do të kthehej në Shqipëri, ku do të vijonte misionin e tij meshtarak në bashkësi të ndryshme kishtare famullitare si në Kthellë, Pishkash, Bazë-afër Burrelit e Matit, kohë e zona të cilat ai do t’i shfrytëzonte për botimin pak vite ma vonë të veprës “Skenderbeu simbas gojëdhanave”.  Vepër kjo e cila plotësonte boshllëqet e detajet për të cilat e kishte porositur françeskani i jashtëzakonshëm Atë , mbi gjithë traditën popullore, toponomastikën dhe legjendat mbi Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. 

Atë Marini nga Pishkashi transferohet me mision meshtarak si mësues në Troshan. Mbas Luftës së Parë Botërore fillon aktivitetin si shkrimtar e historian. Në vitin 1922 e thërrasin në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan, ku bashkë me Atë Gjergj Fishtën e Imzot e shumë intelektualë të shquar të Shkodrës, çelin të parin lice me cikël të plotë me emrin “Illyricum”. Atë Marini jepte aty Histori dhe Doktrinë të Krishterë; në të njëjtën kohë u bë strumbullari i një rrethi intelektualësh të rinj të fushave të ndryshme shkodranë. 

Profesori i ditur pas pak kohe u emërua Drejtor i Gjimnazit. Ndërkohë shkruan veprat "Skenderbegu mbas gojdhanash" më 1926 (kryevepra e tij, ku përmblodhi mbetjet e fundit të kujtimeve popullore arbnore për heroin e Kombit), "Për historinë kombëtare", monografia "Shqypnija e Shqyptarët" më 1941, "Vepra kombëtare e Françeskanëve", si dhe legjenda që sot janë në thesarin e kësaj fushe në revistat  e “Leka”, ashtu edhe në shumë gazeta të kohës, pse ai kishte aftësinë e rrallë të komunikonte me të gjitha shtresat, ashtu edhe me intelektualë të prejardhjeve të ndryshme krahinore e fetare. 

Në kohën kur qe bërë Epror (Guardian) i Kuvendit të Françeskanëve në Lagjen Arra e Madhe në Shkodër, dëshmoi interesim të jashtëzakonshëm e aftësi po të tilla në komunikimin me të rinjtë duke treguar interesim e bërë deri sakrifica, që më se një herë i shkaktuan edhe telashe, për arsimimin dhe edukimin e të rinjve. Mbi rolin e vlerave të Atë Marin Sirdanit si edukator më së miri rrëfejnë fjalët e Atë Gjergj Fishtës: “Rinia e Shkodrës nuk e di ende ç’personalitet i shquem gjendet në mes tyne”.

Veprave të përmendura të Atë Marin Sirdanit i shtojmë "Historija e provincës françeskane në Shqipëri" si dhe mjaft shkrime e vepra tjera botuar në "Hyllin e Dritës" si për shembull "Për çka fajësohet Skënderbegu, Kontributi i katolikëve në Shqipëri, Nora e Kelmendit, Varri i Skënderbeut" si dhe botime mbi çështje të tjera . Atë Zef Pllumi pohonte se janë afër 5 apo 6 vëllime gati për t’u botuar me këto shkrime të Atë Marinit mbi çështje të rëndësishme kombëtare e kishtare të shqiptarëve. 

Atë Marin Sirdani pësoi edhe përndjekje të ashpër, u burgos për dy vjet vetëm pse ishte françeskan e prift i Kishës katolike.  Vdiq më 14 shkurt në vitin 1962 në Shkodër pranë Kuvendi françeskan te Arra e Madhe, pesë vjet para se feja të ndalohet në Shqipëri, e kujtojmë se ishte vëllai i folkloristit, etnografit e martirit të krishterë në Shqipëri, dom Aleksandër Sirdanit.

Mbi figurën e veprën e françeskanit studiues të historisë së kombit e të kishës shqiptare, të dëgjojmë Agron Gjekmarkajn nga Tirana...

Të dëgjojmë Agron Gjekmarkajn nga Tirana.
14 shkurt 2021, 15:01