At Lombardi: misioni i Radio Vatikanit në shërbim të Papës

Po botojmë disa fragmente nga një artikull shkruar me rastin e 90-vjetorit të Radio Vatikanit, nga ish-drejtori i emitentes, botuar në numrin e ri të revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica” - “Qytetërimi Katolik”.

R.SH. - VATIKAN

Më 12 shkurt 2021 mbushen 90 vjet nga Dita kur Piu XI përuroi, me Radiomesazhin e famshëm - “Udite o cieli…” - Stacionin e Radio Vatikanit, ndërtuar me dëshirën e Papës nga Gulielmo Marconi e besuar kujdesit të jezuitit Atë Giuiseppe Gianfranceschi. Ishte drejtori i parë i Radio Vatikanit së cilës, që në fillimet e veta, iu ngarkua një mision i qartë. Do të ishte mjet në shërbim të Papës për ministerin e tij: kumtimin e Ungjillit në botë dhe udhëheqjen e bashkësisë universale të Kishës Katolike. Ky mision vijoi në kohë dhe u ripohua shpesh herë nga Papët, duke i garantuar një identitet të fuqishëm institucionit….[…]

Zëri i Papës

Radio Vatikani […] lindi më 1931, në rrethanat e ngritjes së shpejtë të Shtetit të ri të qytetit të Vatikanit[...]. Stacioni radio, i ndërtuar nga Markoni, ishte në parararojë të teknologjisë së kohës, i aftë për të kryer shërbimin telegrafik e telefonik në mënyrë të pavaraur nga Italia. Falë valëve të shkurtëra, në një “eter” akoma të papopulluar në tepri nga transmetime të panumërta, edhe me një fuqi të reduktuar mund të dëgjohej  në të pesë kontintetet. Në fillim të jetës, Radio Vatikani qe mjeti falë të cilit  katolikët e botës mundën ta dëgjonin për herë të parë drejtpërdrejt zërin e Papës […].

Vitet ’30 janë vitet e pushtetit totalitarist. Piu XI mban qëndrime të guximshme e, ndërsa retë e zeza dynden mbi njerëzimin, bota i drejton sytë plot me besim kah Kisha. Kërkesa për transmetime në disa gjuhë, për të orientuar e për të mbështetur besimtarët në vendet evropiane, rritet me shpejtësi. Atë Filippo Soccorsi, i emëruar në udhëheqje të radios më 1934 (vetëm 34 vjeç), pas vdekejs së parakohshme të atë Gianfranceschit, nuk i kushtohet vetëm përmirësimit të strukturave teknike - si antena e re, që ngrihet mbi Kopshtet e Vatikanit, e njohur me epitetin “gishti i Papës”, por edhe plotësimit të kërkesës që radioja ta pasuronte përmbajtjen e programeve. Emitentja vatikanase u pranua, kështu, në vitin 1936, në Bashkimin Ndërkombëtar të Radiopërhapjes, me njohjen e natyrës së saj të veçantë, që e autorizonte për ta ushtruar veprimtarinë radiofonike pa kurrfarë kufizimi gjeografik. Për shkak të mjeteve të pakta në dispozicion, atë Soccorsi kërkoi bashkëpunimin e vëllezërve jezuitë të kombeve të ndryshme për përgatitjen dhe paraqitjen e teksteve. Ishte e natyrshme që t’i kushtohej vëmendje e posaçme transmetimeve në gjuhën gjermane.

Në tragjedinë e luftës: në shërbim të paqes e solidaritetit me të vuajturit

[…] Në prag të luftës, më 1939, Radio Vatikani vijoi transmetimet e rregullta në gjuhën italiane, franceze, angleze, gjermane, spanjolle, portugeze, polake, ukrainase, lituane. Ishte tashmë pikë referimi për Kishën, që po jetonte tragjedinë e tmerrshme, me rolin e vet të pazëvendësueshëm në denoncimin e dhunës, në mbrojtjen e viktimave, në inkurajimin e rezistencës e në ngjalljen e shpresave, që dukeshin të humbura përgjithmonë. Mbeten të famshme “Radiomesazhet” e Piut XII në kohën e luftës, që priteshin me ankth e dëgjoheshin me vëmendjen më të madhe në mbarë Evropën. Ishte zëri më i lartë e më autoritar, që ngrihej mbi palët në konflikt në ato vite të tmerrshme, për të kërkuar drejtësi e paqe. Por gjatë luftës Radioja e Vatikanit ishte e famshme edhe për një shërbim tjetër. U bë mjeti krysor i angazhimit, nisur sipas dëshirës së Piut XII me “Zyrën  e Informacionit të Sekretarisë së Shtetit”, lindur që në vitin 1939, për të rigjetur civilët dhe ushtarakët  e humbur  si dhe të burgosurit, duke u dhënë lajme për ta familjeve e duke rikrijuar mundësinë për ndonjë lidhje sado të vogël ndërmjet tyre: një përshëndetje, një kujtim…

Radio Vatikani nisi të organizojë emisione të posaçme, përmes të cilave kërkonte lajme për të humburit dhe shpërndante mesazhe të shkurtëra për familjet e të burgosurve, emrat e të cilëve shqiptoheshin ngadalë nga zërat “metalike” të spikerave të Radios. Këto transmetime arritën në 70 orë javore, me nga 12-13 orë në ditë. Ndërmjet vitit 1940 e 1946 u transmetuan gjithsejt 1.240.728 mesazhe, në 12.105 orë transmetimi. Në disa raste transmetimet nisën të bëhen edhe me altoparlante në kampet e të burgosurve. Dëshmitë e falënderimet për këtë shërbim qenë të panumërta e tejet prekëse. E kjo është një nga faqet më të bukura të historisë së Radio Vatikanit.

Një zë për “Kishën e heshtimit”

Me përfundimin e luftës, Radio Vatikani shoqëroi, me transmetimet e saj, klimën e rindërtimit moral dhe shpirtëror të vendeve të rrënuara nga konflikti, ndërsa zjenin përgatitjet për Vitin e Madh Shenjt 1950, kohë  e rigjallërimit të jetës së Kishës.

Po ndërkaq shumica e vendeve të Evropës lindore kishte rënë nën zgjedhën e regjimeve komuniste e Kisha katolike ishte vënë në shënjestër të persekutimit të egër. Sfidë e re, kjo, para Radio Vatikanit, që praktikisht u bë për besimtarët e vetmja rrugë përmes së cilës mund të ushqenin lidhjen e tyre me Papën e me Kishën Universale e të kishin një mbështetje për fenë e tyre. Ndonëse me burime të kufizuara, programet e vendeve të lindjes evropiane nisën të shumëfishohen e të bëhen gjithnjë më aktive. Në fund të viteve ’40, programit polak - që së bashku me atë italian, anglez, francez, spanjoll e gjerman – që fliste në një nga gjuhët kryesore të transmetimeve, iu shtuan ato të gjuhës çeke, sllovake, hungareze, lituane, letone, ruse, kroate, sllovene, ukrainase, rumune, bullgare, bjelloruse e, pak më vonë, edhe programi i gjuhës shqipe. Për dekada të tëra, gjatë gjithë kohës së persekutimit komunist, transmetimet e Radio Vatikanit patën transmetime të rregullta e të sigurta për besimtarët, rregulltarët, priftërinjtë e ipeshkvijtë e burgosur, të cilëve u krijuan mundësinë e vetme për ta jetuar fenë e tyre.

Për këto vite mund të tregohen histori të pafundme, tronditëse. Në disa vende e disa periudha, kur persekutimi ishte më i egër, dëgjimi i Radio Vatikanit ndalohej rrebtësisht. Madje mund të bëhej shkak për dënime të rënda, deri në burgim e, në disa raste, edhe në pushkatim! Për disa gjuhë, si ajo polake e sllovake, dëgjimi ishte shumë i lartë, ndërsa për të tjera,  ku katolikët ishin pakicë, dëgjuesit nuk ishin të shumtë, por parimi që u printe etërve të Radio Vatikanit, sipas ndjetit të Papës, nuk synonte të tërhiqte turma. Ishte të plotësonte nevojat fetare të dëgjuesve.

Prandaj gjuhët e transmetimeve drejt Vendeve të Lindjes kanë qenë gjithnjë gjysma e gjuhëve, që fliteshin para mikrofoneve të Radio Vatikanit. E kur, pas shumë vitesh, ranë muret, mirënjohja  e besimtarëve dhe e popujve  mundi, më në fund, të shprehej në format më prekëse, siç e dëshmojnë 40.000 letrat, që arritën  vetëm në Programin ukrainas gjatë vitit të parë pas rënies së regjimit sovjetik, ose 10 nëntori i vitit 2005 kur kryeministri i asokohshëm i Shqipërisëzoti Sali Berisha, ishte në Sallën Markoni të Emitentes sonë, për t’i dorëzuar Radio Vatikanit, Çmimin më të lartë, që jep Shqipëria: “Urdhërin Nënë Tereza”,  i cili i shkonte aq për shtat Radios së Papës e Redaksisë shqipe të saj, ose kur më 29 qershor 2017 redaksia shqipe pranë Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim - pranë Radio Vatikanit, ose kur Radio Vatikanit - Vatican News u  vlerësua dhe dekorua nga Presidenti i Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani nё personin e Prefektit të asaj kohe tё Sekretarisë sё Selisё sё Shenjtё për Komunikimin, imzot Dario Viganò dhe nё personin e pёrgjegjёsit e drejtuesit të redaksisë shqipe tё Radio Vatikanit – Vatican News, dom Davi Gjugja, tё cilёve iu akordua titulli i nderit “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.

Mes tjerash Presidenti Bujar Nisha me atë rast tha: "Mirënjohje dhe respekt për çdo gjë që ka bërë Selia e Shenjtë ndër shekuj për shqiptarët në përgjithësi. Për një kohë të gjatë nën diktaturën komuniste, Radio Vatikani ka qenë një zë i lirë dhe i paanshëm, edhe për mbijetesën e identitetit fetar të komunitetit katolik e të komuniteteve tjera, por edhe për konsolidimin e vlerave kombëtare shqiptare. Radio Vatikani ka qenë  një promovues i atyre vlerave që shqiptarët i patën, e i kanë si të shenjta, e të shtrenjta, e që u qenë mohuar gjatë historisë. Kjo radio, e shoqëroi nga afër popullin shqiptar, pa dallim feje a ndonjë përkatësie tjetër, në udhën e kalvarit të tmerrshëm që kaloi gjatë diktaturës ateiste e anti-njerëzore të komunizmit".

Komunikim për bashkim

Në vititn 1970 redaksitë dhe studiot e Radio Vatikanit u transferuan në Pallatin Pio, përballë Castel Sant’Angelo-s,  duke siguruar kështu hapësirat e përshtatshme në atë, që do të bëhej për dhjetra vite selia kryesore e Emitentes. Në vitin 1973, atë Roberto Tucci […] zuri vendin e atë Marteganit në drejtimin e përgjithshëm. Ishim në prag të Vitit Shenjt 1975  e Radio ishte mobilizuar e tëra. Nuk bëhej fjalë vetëm për transmetimin e drejtpërdrejtë të kremtimeve të mëdha papnore, audiencave e ngjarjeve e për të dhënë infomacionin e duhur në të gjitha gjuhët, që Kisha universale ta ndjente veten pjesëmarrëse, por edhe për t’u shërbyer shtegtarëve të shumtë, që do të arrinin ato ditë nga mbarë bota, në Romë […]

Për rritjen e mëtejshme të Radio Vatikanit, në gjysmën e viteve ’70 kontribuoi edhe ardhja e drejtuesve të rinj: e atë Pasquale Borgomeo-s, që do të ishte drejtori i ri dinamik e krijuesi i programeve; i atë Félix Juan Cabasés, drejtor i “Redaksisë qëndrore” më pas i “Shërbimit të Dokumentimit”. I pari do të kultivonte marrëdhëniet shumë të çmuara ndërkombëtare të Emitentes, posaçërisht me Bashkimin Evropian të Radiopërhapjes (UER-EBU); i dyti do të linte një shenjë, që do t’i qëndronte kohës, në organizimin e dokumentimit të programimit redaksional[…]

Radio Vatikani arriti, kështu, pjekurinë e vet të plotë, me rritjen e cilësisë profesionale e gazetareske, që nga Roma e bën zemër pulsante të komunikimit të përditshëm në Kishën Universale. “Komunikim për bashkim”, siç dëshironte Koncili - por edhe protagonizëm aktiv në botën më të gjerë të komunikimit katolik e laik mbi jetën e Kishës. […]

Varianti i plotë i artkullit gjindet në  sitin La Civiltà Cattolica

10 shkurt 2021, 11:30