90-vjetori i Radio Vatikanit

R.SH. - Vatikan

Radio Vatikani, zëri i Papës për gjithë botën, mbush 90 vjeç. Emitentja e projektuar dhe e realizuar nga Guglielmo Marconi, me porosi të Papës Piu XI, informon, çon shpresën e Ungjillit dhe mesazhin e Atit të Shenjtë anembanë globit. Për ditëlindjen e saj, ajo hap një faqe të re e bëhet edhe Web radio, pra, transmeton në internet.

“E kremtojmë këtë çast historik me mirënjohje për gjithka është bërë nga ata që erdhën para nesh e, njëkohësisht, me vështrimin drejt së ardhmes. Radioja është një medium, që ka ditur të transformohet me kalimin e kohës, pa e humbur kurrë vlerën dhe bukurinë e saj - vëren prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini. - Radioja ka këtë veçori të bukur, të hyn thellë në shpirt, sepse dëgjon zërin. Përqendrohesh te zëri. Radioja nuk ngutet. Kërkon vëmendje. Sot, edhe Radio Vatikani projektohet në të ardhmen, duke ruajtur origjinalitetin dhe identitetin e vet. Në ADN-në e Radios, siç e dëshironte themeluesi i saj, Papa Piu XI dhe jezuitët, të cilëve iu besua emitentja 90 vite më parë, bëjnë pjesë shërbimi për Kishën, Papën dhe njeriun kudo ndodhet e çfarëdo lloj feje e kulture t’i përkasë.

Pra, ne po kremtojmë një histori që, praktikisht, përshkoi gjithë vitet ‘900, që i rezistoi fashizmit dhe komunizmit, që i bëri ballë Luftës II Botërore dhe Luftës së Ftohtë; e është perspektivë për një të ardhme misionare, bazuar në forcën plot mirësjellje të fjalës së thënë e të dëgjuar. Por, jo vetëm kaq: Radioja përbën edhe rrënjët e fuqishme mbi të cilat po rritet pema e Vatican News, portali ku pasqyrohen ngjarjet e Kishës dhe mësimet e Papës në 43 gjuhë e që në vitin 2020, pati 250 milion faqe të lexuara në gjithë botën. E është projekti, që lindi sot, ai i Web radios, i cili do t’i japë mundësinë kujtdo në botë ta dëgjojë Radio Vatikanin në gjuhën e vet, përmes smartphone, ose kompjuterit. Për çdo gjuhë - një radio, një programim, një lidhje të përforcuar me dëgjuesit. Një hap tjetër i vogël në udhëtimin e Dikasterit për Komunikimin, disa nga mediat e të cilit kremtojnë këtë vit përvjetorë të rëndësishëm (25-vjetori i faqes vatican.va, dhjetor 2020; 160-vjetori i “L’Osservatore Romano”), duke e hedhur vështrimin drejt së ardhmes e duke e ndërtuar atë së bashku”.

Radio Vatikani mbush 90 vjeç, një çast historik i rëndësishëm, kremtuar në mes të reformës mediatike të Selisë së Shenjtë, dëshiruar nga Papa Françesku. Sot, emitentja flet 41 gjuhë (gjuhën shqipe, amharike, arabe, armene, bjelloruse, braziliane, bullgare, çeke, kineze, kroate, ewondo, esperanto, frënge, indiane, angleze, italiane, kikongo, kiniaruanda, kirundi, kisuahili, latine, letone, lingala, lituane, malajalame, malgashe, polake, portugeze, rumune, ruse, sllovake, sllovene, somale, spanjolle, tamil, gjermane, tigrine, tshiluba, ukrainase, hungareze, vietnameze).

“Po kremtojmë 90-vjetorin, ndërsa vijon një nga sprovat më të mëdha për gjithë njerëzimin, për shkak të pandemisë Covid-19 - nënvizon përgjegjësi i radios, Massimiliano Menichetti - misioni ynë ka qenë gjithmonë të mos lëmë askënd vetëm e të çojmë kudo shpresën e kumtit të krishterë, zërin e Papës dhe interpretimin e fakteve nën dritën e Ungjillit. Kjo kohë shtron pyetje dhe na sfidon më tej. Përveç shërbimit të tele-radiokronikave në disa gjuhë, kemi menduar programe të reja, podkaste, kemi publikuar audiolibra, për t’u qëndruar pranë të gjithëve, për të arritur në çdo cep të planetit. Në këto muaj, përveç informimit, vazhdojmë të mbledhim dhe të tregojmë histori afërsie, ndihme, solidariteti, çojmë përshpirtëri, tregojmë fytyrën e Kishës dhe të gjithë asaj pjese të shoqërisë, që ndërton ura, shpesh në heshtje, ndihmon dhe përfshin”.

Menichetti thekson si ka ndryshuar emitentja papnore vitet e fundit: “Reforma e dëshiruar nga Papa – vëren ai - na ka projektuar në një përmasë të re, në të cilën nuk jemi më vetëm radio, por një realitet i integruar, ende për udhë. Personeli i Radio Vatikanit, që vjen nga 69 vende të ndryshme, faktikisht, bëri të mundur lindjen e portalit Vatican News, në të cilin gjenden video, fotografi, audio, rrjete shoqërore e tekste”.

Pluraliteti dhe larmia e vendeve nga vjen personeli i Radio Vatikanit e përfaqëson mirë përmasën universale të emitentes, e cila e ka pasur gjithnjë shumëgjuhësinë dhe multikulturalizmin si element kualifikues të programimit të saj.

 Giacomo Ghisani, përfaqësues ligjor i Radio Vatikanit dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të European Broadcasting Union (EBU), nënvizon se “Radio Vatikani është plotësisht i integruar në bashkësinë ndërkombëtare të emitenteve të shërbimit publik radioteleviziv, në veçanti në European Broadcasting Union (EBU), në të cilin është anëtare themeluese, si edhe në African Broadcasting Union. Pjesëmarrja në jetën shoqërore të këtyre bashkësive është pjesë e misionit të Radios së Papës, e cila, në mbështetje të shërbimit petrin e në lidhjen e qendrës së katolicizmit me vende të ndryshme të botës, ndërvepron, bashkëpunon, bashkëndan dhe diskuton me emitentet e vendeve të tjera çështjet dhe vlerat kryesore, që frymëzojnë veprimtarinë e saj, me synimin për të siguruar informacion të saktë në shërbim të së mirës së përbashkët. Ky rrjet i gjerë marrëdhëniesh shprehet edhe përmes marrëdhënieve të partneritetit, që Radio Vatikani mban me shumë radio, katolike dhe jo-katolike, rajonale dhe lokale, si dhe me faqet e internetit, që ritransmetojnë programet në gjuhë të ndryshme të Radios, duke bërë kështu të mundur arritjen deri në skajet më të largëta të tokës”.

Më 12 shkurt fillon edhe aventura e Web radios (https: //www.vaticannews.va/it/epg.html). Debutimi do të jetë në italisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht dhe armenisht. Gjatë këtij viti do të krijohen rreth 30 programime në emision të drejtpërdrejtë, që përkojnë me po aq gjuhë, që mund të dëgjohen si në faqen e internetit të radios, ashtu edhe përmes App, aplikacionit aktual të Radio Vatikanit. Radio Vatikani sot transmeton përmes satelitit, DAB +, dixhitalit tokësor, internetit dhe natyrisht, valëve herciane. Nuk duhet të harrojmë se sidomos valët e shkurtra mishërojnë kërkesën e fuqishme të Papës Françesku për të arritur periferitë e botës.

12 shkurt 2021, 07:39