Me 3 shkurt kalendari kishtar kujton Shëna Vlashin

Sipas traditës, Shёn Vlashi ka qenë ipeshkëv i Sebastes, në Armeni, gjatë paqes konstantiniane. U martirizua në vitin 316. Meqë pati shëruar për mrekulli një fëmijë, të cilit i kishte mbetur në fyt një halë peshku, thirret në ndihmë për sëmundjet e fytit. Për këtë arsye behet edhe bekimi i fytit me dy qirinjtë e kryqëzuar.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike me 3 shkurt përkujtn Shëna Vlashin, mrekullbërës, ipeshkëv i Sebastes, Pajtor qiellor i Raguzës, që kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve, e jo më pak në krahinën e Kurbinit, sidomos në Laç. ku,Pikërisht nën Shenjtëroren e Shëna Ndout, në Laç, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shenjti gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor. Aty edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve e kundërshtar i Perandorit. Pas shumë mundimesh që iu bënë, me qëllim që ta shtrëngonin të mohonte fenë, iu pre koka, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Capadocies, më 3 shkurt të vitit 316 pas Krishtit

Është shkruar shumë për Shëna Vlashin e për vendlindjen e tij. At Shtjefën Gjeçovi e, pas tij, edhe studiues të tjerë, si At Vinçenc Malaj, kanë sjellë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni - siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme.

Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë kishash kudo në botë, e edhe në Romë, ku në kishën e Shenjtit në Campo di Marzo sot u kremtua festa liturgjike e tij. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç tek kisha e Sh’na Vlashit në Durrës, e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë.

Kujtojmë se besimtarët i luten Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur një halë në fyt, që po i merrte frymën.Prandaj gjatë meshëve të sotme, të gjithë të pranishmit ndër kremtime, bënë edhe kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".

02 shkurt 2021, 17:29