Kalendari i 14 shkurtit kujton Shën Çirilin, Shën Metodin dhe Shën Valentinin

Festa e Shën Valentinit u bën thirrje të rinjve e të gjithë njerëzve ta përgatisin zemrën për një akt kaq fisnik e të rëndësishëm të jetës, siç është dhurimi i plotë i vetes tjetrit për dashuri dhe me dashuri të përkushtuar e të pakushtëzuar. Shën Çirili e Shën Metodi, vëllezër, bashkëpajtorë qiellor të Evropës, Apostuj të Popujve sllavë.

R.SH. - Vatikan

Kisha përkujton festën e Shën Çirilit, murg dhe Shën Metodit, ipeshkëv – vëllezër, bashkëpajtorë qiellor të Evropës, Apostuj të Popujve sllavë. Gjithnjë më 14 shkurt përkujtohet edhe Shën Valentini, ipeshkëv.

 Shën Cirili e Metodi

Përkujtimi liturgjik i Shën Cirilit e Metodit, në këtë periudhë historike na ndihmon në përforcimin e lidhjes shpirtërore, përmes fesë ndërmjet banorëve të Kontinentit të Vjetër dhe për të kërkuar mbrojtjen e tyre qiellore, që zgjerimi i Bashkësisë Evropiane të ndihmojë për të marrë frymë me të dyja mushkëritë. Shën Çirili, Murg dhe Shën Metodi ipeshkëv, më 31 dhjetor të vitit 1980 me Letrën Apostolike “Egregiae virtutis” u shpallen “Pajtorë qiellor të Evropës” nga Gjon Pali II së bashku me Shën Benediktin, të cilin më 24 tetor 1964 e pati shpallur “Pajtor i Evropës” Papa Pali VI me Letrën Apostolike “Pacis Nuntius”.

Çirili e Metodi vëllezër të një gjaku e të një feje, lindën në Thesalonia ( Selanikun e sotëm në Greqi) në fillim të shekullit IX-të. Me kulturë bizantine, hyjnë në marrëdhënie të ngushta me Kishën e Kostandinopojës, u bënë misionarë, së pari ndër Katarët e Krimesë e më vonë ndër popujt e Panonisë e të Moravisë së Madhe. Krijuan alfabetin sllavë e përkthyen në këtë gjuhë Shkrimin Shenjt ( Biblën) dhe tekstet e liturgjisë latine, për t’ia hapur popujve të ri thesaret e Fjalës së Zotit e të Sakramenteve.

Për këtë mision apostolik, pësuan mundime e vuajtje të çdo natyre, por i përballuan të gjitha vështirësitë me besnikëri e dashuri të patundur duke predikuar Ungjillin e Krishtit e duke përhapur Mbretërinë e Zotit. Papa Adriani II e pranoi veprën e tyre duke miratuar gjuhën sllave për shërbime liturgjike. Me fjalë tjera, Papa Adriani II lejoi që gjuha e re sllave të përdorët në kremtime të Liturgjisë Hyjnore ndër popujt sllavë. Shën Çirili vdiq në Romë më 14 shkurt të vitit 869, në moshën 42 vjeçare dhe është varrosur në Bazilikën e Shën Klementit gjithnjë në Romë. Shën Metodi, i shuguruar ipeshkëv i Sirmios ( Sremska Mitrovicës së sotme) qe emëruar legat i Papës pranë Sllavëve, ndërsa vdiq në Velehrad ( Cekinë e sotme) më 6 prill 885.

Këtyre dy shenjtorëve të mëdhenj, misionarëve të palodhur që tërë jetën ia kushtuan përhapjes së Ungjillit ndër popujt sllavë, e që përpiluan dy alfabete për ta: çirilicen dhe gllagolicen, për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar vlerat ungjillore në jetën e tyre, Papa Shën Gjon Pali II më 2 qershor 1985 ua kushtoi njërën prej Enciklikave të tij: “Sllavorum Apostoli”. Po përfundojmë duke thënë se me të drejtë Shën Çirili e Shën Metodi konsiderohen Etër të krishterimit e të kulturës së popujve sllavë, urëlidhëse për bashkimin e plotë ndërmjet Kishave më të lashta me Kisha e reja.

Shën Valentini, ipeshkëv i Terni

Gjithnjë sot më 14 shkurt, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Valentinin, ipeshkëv i Ternit të Italisë, pajtori i të fejuarëve dhe i njerëzve të dashuruar. Pra, Shën Valentini është një shenjtor që mbron ata njerëz që lejojnë zemrën e tyre të drejtohet e të udhëhiqet nga dashuria e vërtetë për Zotin dhe për të afërmin. Në shumë vende të botës, kjo festë e Shën Valentinit është Ditë kushtuar Dashurisë. Kjo festë orvatet t’i japë një kuptim e shije të vërtetë dashurisë ndërnjerëzore duke i thirrur të gjithë të rinjtë të jenë të kujdesshëm sidomos në periudhën shumë të rëndësishme të jetës së tyre, sikur është periudha e njohjes dhe e përgatitjes së thellë e të sinqertë të tyre për dashurinë e kurorëzuar me sakramentin e martesës.

Festa e Shën Valentinit u bën thirrje të rinjve e të gjithë njerëzve ta përgatisin zemrën për një akt kaq fisnik e të rëndësishëm të jetës, siç është dhurimi i plotë i vetes tjetrit për dashuri dhe me dashuri të përkushtuar e të pakushtëzuar.

Emri i Shën Valentinit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.

Tekste të tjera e përmendin Shën Valentinin që në vitin 197, si qytetar e ipeshkëv i Ternit e, sidomos, si njeri i famshëm për shenjtërinë e jetës, për bamirësinë e përvujtërinë, për apostullimin e zellshëm e për mrekullitë. U burgos nën Aurelianin Perandor dhe iu pre koka në Romë. Ishte data 14 shkurt 273. Trupi iu mbart në Terni, ku ndodhen edhe sot e kësaj dite reliket e tij.

Shën Valentini pajtor qiellor i të dashuruarve

Shenjti nderohet si pajtor i të dashuruarve. Pse? Festa e ipeshkvit e martirit Valentin lidhet me festimet e lashta greke, italike e romake, që organizoheshin për nder të zotave paganë Panit, Faunit e Luperkut. Këto festime lidheshin me pastrimin e arave dhe ritet e pjellorisë. Me që nisen të bëheshin tepër të çthurura, qenë ndaluar nga Augusti dhe Gelasi.

Kisha i kristianizoi këto rite pagane dhe e njohu Shenjtin si mbrojtës i të fejuarve e të dashuruarve, në prag të bashkimit me kurorën e martesës e të lindjes së fëmijëve. Sipas legjendës, Shenjti martir, dashuronjës i trëndafilave, ua dhuronte këto lule erëmira çifteve të fejuara për t'u uruar bashkim të lumtur. Prej këndej festa e Shën Valentinit është përplot me aromën e trëndafilave, simbol i dashurisë ndërmjet burrit e gruas. Vetë Zoti është dashuri. Në dashuri gjinden paqja, bashkimi i familjes dhe i mbarë njerëzimit.

14 shkurt 2021, 08:32