Battesimo di Gesù Battesimo di Gesù 

Shenjtorët e Javës 10-17 janar

E diel, 10 janar, Kisha kremton festën e Pagëzimi të Zotit tonë Jezu Krisht në lumin Jordan. Thuhet se Pagëzimi është mister. E ja misteri i Pagëzimit: Zoti ka dashur të na shpëtojë duke shkuar Ai vetë në fund të errësirës së vdekjes.

R.SH. - Vatikan

E diel, 10 janar, Kisha kremton festën e Pagëzimi të Zotit tonë Jezu Krisht në lumin Jordan. Thuhet se Pagëzimi është mister. E Ja misteri i Pagëzimit: Zoti ka dashur të na shpëtojë duke shkuar Ai vetë në fund të errësirës së vdekjes.

E kremtja e Pagëzimit tё Jezusit është një festë, që përmban në vetvete një vlerë të jashtëzakonshme zbulese. Zbulon misterin e Krishtit e bashkë me të, edhe misterin e ne besimtarëve të pagëzuar me ujin e shuguruar nga Krishti. Lind nga zemra, pasi Zoti përulet, vdes për ne, e që para se ta bëjë këtë na tregon vullnetin e Tij hyjnor për të na shëlbuar. E gjithë kjo duket në skenën e Pagëzimit, ku Krishti Zoti vetë i nënshtrohet ritit të pendimit. E bëri këtë për të na ftuar të gjithëve të kemi konsideratë të lartë për ritin e pagëzimit, me të cilin rilindim në një jetë të re.

Po më 10 janar, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Aldon, murg benediktin irlandez, i varrosur në Pavi, Itali, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët “ora et labora”- “lutu dhe puno”.

Të hënën më 11 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin.

Të martën më 12 janar, kalendari përkujton Shën Çesarin, ipeshkëv. Në fakt ishte ky që shkroi Rregullën e urdhrit murgar në të cilin do të bënte pjesë e motra, Urdhër që bazohet tek heqja dorë nga çdo pronë private, klauzura e përjetshme, përjashtimi nga juridiksioni ipeshkёvnor dhe bindja ndaj superiores së quajtur “mater”.

Të mërkurën më 13 janar, kalendari përkujton Shën Hilarin e mbiquajtur “Athanasi i Perëndimit”, ipeshkëv i Puatjesë, që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Niçesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”.

Të enjten më14 janar, kalendari përkujton Shën Feliçin e Nolës, ipeshkëv, martir. Varri i tij njihet nga tradita e krishterë si “Ara veritatis” – “Altari i së vërtetës” sepse edhe pas vdekjes bënte mrekullira duke nxjerrë në shesh të vërtetën dhe duke luftuar gënjeshtrat dhe shpifjet.

Të premten më 15 janar, kalendari kishtar përkujton shën Palinvetmitar, shën Maurin, shën Sekondinën e shën Probon. Ungjilli përshkruan mrekullitë e Jezusit, që rriten nga dita në ditë dhe nënvizon se si njerëzit i besonin gjithnjë e më tepër Birit të Zotit. Do të këndoj në amshim dashurinë për Zotin.

Të shtunën më 16 janar, kalendari kishtar përkujton shën Marçelin I, shën Ticianin, shën Tamarin dhe të Lumin Jozef Tovini.

Të dielën e ardhshme më 17 janar, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 2-të të kohës së zakonshme gjatë vitit liturgjik kishtar.  

Gjithnjë më 17 janar, kalendari përkujton shna’Ndoun, abat dhe shën Marçelin ipeshkëv. Po më 17 janar kujtojmë ditën e dialogut e të reflektimit ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve.

10 janar 2021, 11:34