Gallagher: dialog dhe marrëdhënie shumëpalëshe për një botë të lirë nga armët bërthamore

Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, shpjegon për mediat e Vatikanit impenjimin e Selisë së Shenjtë në favor të Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore, që hyn në fuqi më 22 janar

R.SH. - Vatikan

Përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është “i pamoralshëm”, siç është edhe “zotërimi” i armëve bërthamore. Më 24 nëntor 2019, nga Memoriali i Paqes në Hiroshima, Papa Françesku lartoi britmën e tij për një botë përfundimisht të lirë nga armët bërthamore. Njëmbëdhjetë muaj më vonë, tetorin e kaluar, u ratifikua Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPAN), i cili hyn në fuqi të premten, më 22 janar. Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, foli për këtë me mediat e Vatikanit.

Gallagher shpjegon se “deri në miratimin e Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPAN), në vitin 2017, nuk kishte asnjë mjet ligjor ndërkombëtar, që i ndalonte shprehimisht armë të tilla”. Hyrja e tij në fuqi “ e zhduk këtë hendek ndërmjet llojeve të ndryshme të armëve të shkatërrimit në masë”. Objektivi kryesor i Traktatit, shpjegon kryeipeshkvi, “është t’i ndalojë armët bërthamore pa mëdyshje, duke i vendosur ato në të njëjtën kategori me armët e tjera të shkatërrimit në masë, si armët kimike dhe biologjike, tashmë të ndaluara. Në këtë mënyrë, edhe armët bërthamore bëjnë pjesë në ato armë, përdorimi dhe zotërimi i të cilave duhet të stigmatizohet dhe de-legjitimohet vazhdimisht. Kjo është një nga arsyet e impenjimit të Selisë së Shenjtë për hyrjen në fuqi të Traktatit dhe për pjesëmarrjen e saj aktive në procesin e hartimit të tij. Shumë nga dispozitat përmendin drejtpërdrejt ose jo, centralitetin e njeriut, paradigmën humanitare dhe lidhjet e ngushta të Traktatit me paqen”.

Më pas, imzot Gallagher thekson se “duhet vazhduar puna, me angazhimin e të gjithë protagonistëve qeveritarë dhe jo-qeveritarë; duhen intensifikuar përpjekjet për t’iu kundërvënë presioneve kundër multilateralizmit dhe për të kapërcyer dinamikën e dyshimit dhe të mosbesimit. Pastaj, ka një aspekt tjetër domethënës, paraqitur plotësisht në TPAN: rëndësia e edukimit për paqen dhe çarmatimi në të gjitha aspektet e tij, si edhe ndërgjegjësimi ndaj rreziqeve dhe pasojave të armëve bërthamore për brezin e tashëm dhe të ardhshëm. Edukimi dhe ndërgjegjësimi janë dy gurë të rëndësishëm, që kontribuojnë në krijimin e mozaikut të një bote të lirë nga armët bërthamore, por kërkojnë nisma të rëndësishme për të promovuar një kulturë, që i hedh poshtë armë të tilla, një kulturë të jetës dhe të paqes, një kulturë përkujdesjeje”.

Duke pasur parasysh si e ka ndryshuar botën koronavirusi, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet pohon se “pandemia e Covid-19 po na mëson shumë: në fakt, një nga mësimet është rëndësia e rishikimit të konceptit tonë të sigurisë. Paqja dhe siguria ndërkombëtare nuk mund të bazohen mbi kërcënimin e shkatërrimit të njëri-tjetrit, ose të asgjësimit të përgjithshëm e, as në ruajtjen e ekuilibrit, duke zëvendësuar ‘forcën e ligjit’ me ‘ligjin e forcës’. Paqja dhe siguria duhet të arrihen përmes dialogut dhe solidaritetit, përmes drejtësisë, zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, respektimit të të drejtave themelore të njeriut, përkujdesjes për krijimin, promovimit të strukturave edukative dhe shëndetësore, përmes mirëbesimit ndërmjet popujve”.

 “Në këtë këndvështrim – përfundon imzot Gallagher – duhet shkuar përtej parandalimit të luftës përmes zotërimit të armëve bërthamore. Krijimi i një bote pa armë bërthamore është pjesë e kësaj strategjie largpamëse, bazuar në vetëdijen se ‘gjithçka është e lidhur’, në atë perspektivë të ekologjisë së gjithanshme, që e përcakton aq mirë Papa Françesku në ‘Laudato si’’. TPAN shkon në këtë drejtim. Kjo strategji mund të ndërtohet vetëm përmes një dialogu të orientuar vendosmërisht drejt së mirës së përbashkët dhe jo drejt mbrojtjes së interesave të fshehta, ose të veçanta”.

21 janar 2021, 16:40