Kërko

SAN GIUSEPPE SAN GIUSEPPE 

Poloni. Imzot Wiktor Skworc: Shën Jozefi, shembull për Kishën e sotme

“Rizbulimi i pasurisë së cilësive shpirtërore e personale të Rojtarit të Shëlbuesit, mund të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e sjelljeve të veçanta, që i japin përgjigje praktike të këqijave të kohëve tona”. Shkruan kështu kryeipeshkvi, imzot Wiktor Skworc, kryetar i Komisionit Baritor të Konferencës ipeshkvnore polake.

R.SH. - Vatikan

“Rizbulimi i pasurisë së cilësive shpirtërore e personale të Rojtarit të Shëlbuesit, mund të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e sjelljeve të veçanta, që i japin përgjigje praktike të këqija të kohëve tona”. Shkruan kështu, në propozimet baritore për Vitin e Shën Jozefit - lexohet në faqen e internetit të ipeshkvisë - kryeipeshkvi imzot Wiktor Skworc, kryetar i Komisionit Baritor të Konferencës ipeshkvnore polake.

Prelati, duke nënvizuar se shembulli i Shën Jozefit mund të ndihmojë për ta kapërcyer krizën aktuale, që po përballon Kisha, Pajtor i së cilës është,   i ftoi besimtarët t’ia porosisin përvujtërisht Rojtarit të Familjes Shenjte problemet e shpërdorimeve mbi të miturit nga përfaqësuesit e bashkësisë kishtare, posaçërisht të klerit, si dhe situatat e krizës shkaktuar nga pandemia në vijim. E meqë “Shën Jozefin e njohim si burrë, që e vlerëson afërsinë e dashurisë bashkëshortore si dhe burimin e saj, që është Shpirti Shenjt, i ftoi të gjithë t’ia besojnë vetveten e familjet e tyre, në këtë Vit Jubilar, për të përballuar një sfidë tjetër, po aq aktuale, që na kujton se duhet të kujdesemi për dhuratën e dashurisë bashkëshortore.

Ftesë e kryeipeshkvit Skworc për përgatitjen e Vitit jubilar

Kryeipeshkvi Skworc fton klerin e laikët të angazhohen në këndvështrimin baritor për përgatitjen e vitit jubilar të Shën Jozefit, sipas porosive të dokumentit të Pendestarisë Apostolike. I inkurajon, më pas, ipeshkvijtë dioqezanë të caktojnë Kishat jubilare me një dekret të posaçëm në dioqezat e veçanta. Së fundi u kërkon mediave dioqezane dhe departamenteve teologjike të marrin pjesë në kremtimet e Viti Jubilar e ta thonë lutjen e Shën Jozefit në dioqezat e famullitë e ndryshme.

Kujton edhe  pesë gjestet, që duhet të bëjë besimtari, i cili dëshiron t’i përngjasë Shën Jozefit.

 Pesë  gjeste, për t’i përngjarë Shën Jozefit

“Për t’i përngjarë Shën Jozefit, së pari, besimtari duhet të bëjë vullnetin e Zotit, duke gjetur kohën e duhur për meditim personal, ose për të marrë pjesë në ndonjë rit shpirtëror, sipas shembullit të Shën Jozefit, i cili ishte gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur zërit të Zotit.

Së dyti, të bëhet mjet i drejtësisë e i mëshirës së Atit, përmes kryerjes së veprave të mëshirës fizike e shpirtërore, si Shën Jozefi, njeriu i drejtë.

Të përtërijë, së treti, bashkimin me Zotin ndërmjet familjarëve, miqve, të fejuarve, përmes Rruzares Shenjte.

Pastaj, së katërti, ta shenjtërojë punën e vet, duke ia besuar ndërmjetësimit të Shën Jozefit ose të lutet për ata, që kërkojnë punë dinjitoze.

Së fundi, t’i lutet Zotit për t’i mbrojtur të krishterët që pësojnë persekutime, duke thënë litanitë e Shën Jozefit ose uratë tipike për ritet lindore”.

E kjo atmosferë lutjeje – kujton - lidhet ngushtë edhe me situatën aktuale, të trazuar thellësisht nga pandemia. Të rikujtosh se Shën Jozefi është Pajtor i Kishës universale, do të thotë edhe t’i lutesh të ndërmjetësojë që të marrë fund sa më shpejt pandemia e, me të, gjithë kjo vuajtje, kjo dhimbje që peshon rëndë mbi shpirtin e njeriut e të botës. E jo më pak, mbi zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.

14 janar 2021, 09:31