Një grua irakiane duke u lutur Një grua irakiane duke u lutur 

Parolin: shtegtimi i Papës në Irak për t’i inkurajuar të krishterët

Në një intervistë, transmetuar nga kanali televiziv katolik francez Kto, kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, ndalohet posaçërisht tek shtegtimi i Papës Françesku në Irak. Prek edhe tema të tjera , ndërmjet të cilave, reformën e Kuries, marrëveshjen me Kinën dhe krizën, jo vetëm shëndetësore, lidhur me pandeminë

R. SH. - Vatikan

Përpjekja e Kishës sot është të jetë e aftë për t’ua kumtuar Ungjillin  njerëzve të kohës sonë”. E “Kisha në dalje është vërtet e aftë për t’ua çuar ujin e freskët të Ungjillit njerëzve të sotëm, që kanë etje, edhe atëhere kur mendojnë se nuk kanë nevojë për të”. Kështu u shpreh Kardinali Parolin gjatë intervistës, transmetuar dje pasdite nga kanali televiziv  katolik francez Kto.

Reforma e Kuries

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi reformën e Kuries, kardinali nënvizoi  se “janë bërë hapa  të dukshme përpara”. “Në fakt - shpjegoi - reforma tashmë është realizuar, posaçërisht përsa i përket pjesës ekonomike”. Kujtoi, më pas, se u krijuan tre organizma të reja: Këshilli për Ekonominë, Sekretaria për Ekonominë dhe Zyra e Revizorit të përgjithshëm. U reformua edhe sektori i komunikimit, me krijimin e Dikasterit për Komunikimin. E pastaj kujtoi edhe disa bashkime: katër këshilla u shkrinë  në Dikasterin  për Shërbimin  e Zhvillimit  e Gjithanshëm Njerëzor. Puna më e madhe u krye, e tani mbeten për t’u bërë edhe disa hapa. Po hapa të vegjël, në krahasim me atë që tashmë u krye - pohoi.

Në shërbim të Ungjillit

Duke kujtuar akoma reformën, Kardinali Parolin pohoi se tani u duhet dhënë “një shtytje përpara” hapave të bëra, përmes Kushtetutës Apostolike me titullin e përkohshëm “Predikojeni Ungjillin”, që mendohet të botohet sivjet. Titulli i bocës së përkohshme - kujtoi kardinali Parolin - na kujton që tani optikën me të cilën u punua për reformën e Kuries, besuar Këshillit të Kardinajve.

Sekretari i Shtetit të Vatikanitt  nënvizoi edhe se “Ati i Shenjtë  deshi të merrej drejtpërdrejt me problemet, që lindën, pikërisht për ta bërë Kurien romake sa më transparente që të jetë e mundur.

Shtegtimi i Papës në Irak

Sekretari i Shetit  u ndalua, më pas, tek gjendja e të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe tek shtegtimi i Papës Françesku në Irak, i parashikuar për datat 5 deri më 8 mars. Pavarësisht nga vështirësitë që paraqet ky shtegtim, Papa dëshiron të shkojë në Vendin e Gjirit posaçërisht për t’i inkurajuar  të krishterët. Në shumë shtete të rajonit vërehet “hemorragjia e të krishterëve”, për shkak të konflikteve e të dhunës. Në këto troje “bashkësia e krishterë është pakësuar dhimbshëm”. E Papa e ndjen fuqimisht nevojën të shkojë e t’u japë guxim të krishterëve, t’i ftojë ta vijojnë dëshminë e tyre, pavarësisht nga vështirësitë. Tema tjetër  e shtegtimit papnor lidhet edhe me dialogun ndërfetar. Prej këndej, shtegtimi i Françeskut në Irak është edhe rast për t’i inkurajuar reformat politike dhe stabilitetin në vend.

Vëllazërimi njerëzor

Temë tjetër, në qendër të intervistës, ishte ajo që iu kushtua Dokumentit mbi Vëllazërimin njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku dhe  Imami i madh i Al-Azhar më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi. E ky, theksoi, është progres i madh në marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve”. Në këtë dokument “pranohen si të përbashkëta disa parime themelore: fakti se jemi të gjithë krijesa  të Zotit e se, prej këndej, duhet ta ndjejmë fuqimisht vëllazërimin”; pranohet edhe fakti se nuk mund të justifikohet asnjë lloj dhune në emër të Zotit. Kujtohet, pastaj, kontributi i feve në ndërtimin e një bote më të drejtë e më solidare.

Kisha - shpjegoi më tej kardinali Parolin - nuk ka rol politik. Lidhur me temat e mëdha, që angazhojnë bashkësinë ndërkombëtare, si çështja migratore dhe ndryshimet klimatike, detyra e saj është “të ndriçojë ndërgjegjet”. Misioni i Kishës nganjëherë mund t’i kundërvihet mendimit sundues. Selia e Shenjtë, në kontekstin ndërkombëtar “kërkon t’i bëjë njerëzit të reflektojnë mbi pasojat që mund të ketë zgjedhja e këtyre rrugëve”. Synimi kryesor i Kishës është  “të shpëtojë dinjitetin e njeriut”.

Më pas kardinali Parolin kujtoi edhe se u rinovua për dy vjet Marrëveshja e përkohshme e Selisë së Shenjtë me Kinën.

Pandemia: jemi të gjithë në një barkë!

Duke u ndaluar edhe tek kultura e kujdesit reciprok për përballimin e pandemisë, kardinali Parolin theksoi se nuk duhet ta humbasim shpresën, përndryshe horizontet mbyllen. Jemi të gjithë në të njëjtën barkë, ndaj nuk duhet të mbyllemi brenda vetes, por të kujdesemi për njëri-tjetrin. E - nënvizoi në përfundim të intervistës kardinali Parolin - duhet të kemi besim se vaksina do të na ndihmojë të dalim nga kjo krizë”.

30 janar 2021, 13:51