Kërko

Udienza del Papa alla Signora Bernice Albertine King, 2018-03-12 Udienza del Papa alla Signora Bernice Albertine King, 2018-03-12  

Papa: ëndrra e Martin Luther King për harmoninë e barazinë është aktuale

Në një mesazh dërguar sё bijës Berenice, me rastin e ditës së Martin Luther King, Papa Françesku nënvizon se "është e mundur të punojmë së bashku për të krijuar një komunitet të bazuar mbi drejtësinё dhe mbi dashurinё vëllazërore".

R.SH. - Vatikan

Përshëndetja dhe bekimi i Papës u mbërrin, përmes një mesazhi, pjesëmarrësve qё mё 18 janar përkujtojnë: "Ditёn e Martin Luther King", një nga festat më të rëndësishme kombëtare në Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs, në të cilën kujtohen e nderohen jeta dhe përkushtimi i Martin Luther King jJr, udhëheqës i lëvizjes për të drejtat civile për afrikano-amerikanët. Teksti i Papёs i drejtohet bijës së tij Bernice Albertine King, edhe ajo aktiviste e apasionuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ashtu si ati, e Presidente e King Center të Atalantës.

Tё jemi artizanë të paqes

"Në botën e sotme - shkruan Papa Françesku nё mesazhin e tij - në të cilën shumëfishohen sfidat që kanё tё bёjnё me padrejtësitë shoqërore, ndarjet dhe konfliktet që pengojnë realizimin e së mirës së përbashkët, ëndrra e Martin Luther King për harmoninë dhe barazinë midis të gjithë njerëzve, qё u arrit përmes betejës së padhunshme e instrumenteve paqësore, mbetet gjithmonë e rëndësishme dhe aktuale”.

Duke cituar enciklikën ‘Fratelli tutti’, Papa Françesku ripohon se "çdonjёri prej nesh ёshtё i thirrur të jetë artizan i paqes, duke bashkuar e jo duke përçarë, duke shuar urrejtjen e jo duke e kultivuar atë, duke i hapur rrugët e dialogut". Në këtë mënyrë, vazhdon Papa, ne do të jemi në gjendje ta shohim veten jo si "të huaj", por si tё afërt, në dritën e vërtetë të dinjitetit tonë të përbashkët si bijë të të Plotfuqishmit Zot. "Vetëm me angazhimin e vazhdueshëm të përditshëm për ta bërë këtë vizion konkret - vazhdon Papa - është e mundur të punojmë së bashku për të krijuar një komunitet të bazuar mbi drejtësinë dhe mbi dashurinë vëllazërore".

Rruga e padhunshme

Qershorin e kaluar, tё nesërmen e 'Freedom Day', L'Osservatore Romano dhe Vatican News e intervistuan të bijën e Martin Luther King jr, Bernice Albertine King, e cila foli mbi betejën e padhunshme për barazinë, duke theksuar përkimin ndërmjet babait të saj dhe Papës Françesku, të cilin e ka takuar dy herë në Vatikan, gjatë viti 2018

Duke kujtuar thirrjen e Papës për të mos zgjedhur rrugën e dhunës sepse sjelle e çon në vetëshkatërrim, Bernice King theksoi se, “mjetet që përdorim duhet të jenë në përkim me cakun, ku duam të arrijmë. E ky cak është paqja. Natyrisht nuk mund ta sigurojmë paqen, duke përdorur metoda të dhunshme. E kjo  përkon plotësisht me mendimin e babait tim. Ai thoshte - sepse e besonte, ashtu si e besoj edhe unë - se mospërdorimi i dhunës është përgjigjja që i duhet dhënë problemeve themelore politike e morale të kohës sonë.

Në fjalimin e tij të fundit “U ngjita në maje të malit” - që e mbajti një natë para se ta vrisnin, pati thënë: “Nuk bëhet fjalë për të zgjedhur ndërmjet dhunës e mospëdorimit të saj në botën tonë. Sot  duhet zgjedhur ndërmjet mospërdorimit të dhunës e mos-ekzistencës! Në këtë pikë kemi arritur!” E kjo është pikërisht pika, ku vijojmë të jemi edhe sot. Duhet të zgjedhim ndërmjet kaosit e bashkësisë. Dhuna çon në kaos. Mospëdorimi i saj, në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të barabartë, më njerëzore e më paqësore”.

18 janar 2021, 18:52