Natale di Gesù Natale di Gesù 

Papa: Foshnja Betlehemit na fton tё jemi solidarë me nevojtarët

Papa: "Foshnja e Betlehemit na ndihmoftë të jemi të gatshëm, bujar dhe solidar, veçanërisht ndaj njerëzve më të brishtë, të sëmurëve dhe të gjithë atyre që në këtë kohë e kanë gjetur veten të papunë ose në vështirësi tё mёdha".

R.SH. - Vatikan

"Foshnja e Betlehemit na ndihmoftë të jemi të gatshëm, bujar dhe solidar, veçanërisht ndaj njerëzve më të brishtë, të sëmurëve dhe të gjithë atyre që në këtë kohë e kanë gjetur veten të papunë ose në vështirësi tё mёdha". Kёshtu pohon Papa nё njё tweet, sot mё 8 janar 2021, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Foshnja e Betlehemit na fton të ecë në rrugët e vëllazërimit

Në mesazhin e Krishtlindjes, mё 25 dhjetorin e kaluar, Papa Françesku shfletoi faqe historie, foli për fate popujsh, kujtoi çaste dhimbjesh, por edhe shprese e mëshire, mishëruar në Foshnjën e Betlehemit, që lindi për ne të gjithë, që edhe në këtë kohë të trazuar nga pandemia, e fton njerëzimin të ecë në rrugët e vëllazërimit. Nga Betlehemi i Posalinduri rrezaton dashuri e shpresë për mbarë botën! Fëmija Jezus, që  Virgjëra Mari e nxori në dritë, në Betelhem, lindi për të gjithë: është “biri”, që Zoti ia fali mbarë familjes njerëzore.

Falë këtij Fëmije, të gjithë mund t’i drejtohemi Zotit, duke e thirrur “Atë”. Jezusi është Bir i vetëm, asnjë tjetër nuk e njeh Atin, veç Tij. Po ai erdhi në botë pikërisht për të na dëftuar fytyrën e Atit qiellor. E kështu, falë këtij Fëmije, të gjithë mund të quhemi e të jemi vërtet vëllezër: nga çdo kontinent, çdo gjuhë e çdo kulturë, me identitetet e larmitë tona, e megjithatë, të gjithë vëllezër e motra.

Vëllazërim i bazuar mbi një dashuri të vërtetë

Në këtë çast historik, të përshkuar nga kriza ekologjike dhe nga lëkundje të rënda ekonomike e shoqërore, rënduar nga pandemia e koronavirusit, kemi më shumë se kurrë nevojë për vëllazërim. E Zoti na e ofron, duke na dhuruar Birin e tij Jezus: nuk është vëllazërim i bërë me fjalë të bukura, me ideale abstrakte, me ndjenja të paqarta… Jo. Është vëllazërim i bazuar mbi një dashuri të vërtetë, të aftë për ta takuar tjetrin, të ndryshëm nga unë, për të  ndarë bashkë vuajtjet, për t’u afruar e për t’u kujdesur për të, edhe pse nuk është i familjes sime, i etnisë sime, i fesë sime: i ndryshëm nga unë, por im vëlla, ime motër. E kjo vlen edhe për marrëdhëniet ndërmjet popujve e kombeve.

Të jemi të gatshëm, bujarë e solidarë

Foshnja e Betlehemit na ndihmoftë, atëhere, të jemi të gatshëm, bujarë e solidarë, posaçërisht ndaj njerëzve më të ligshtë, të sëmurëve e të gjithë atyre që në këtë kohë mbeten pa punë ose kalojnë vështirësi të rënda  për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë, ashtu si edhe gratë që, në këto muaj mbylljeje, pësuan shumë dhunë shtëpiake.

Biri i Zotit i frymëzoftë ata që kanë përgjegjësi politike e qeveritare për bashkëpunim të ri ndërkombëtar, duke nisur nga fusha shëndetësore, në mënyrë që të gjithëve t’u garantohen vaksinat e mjekimet. Përballë sfidës, që nuk njeh kufij, nuk mund të ngrihen mure; jemi të gjithë në të njëjtën barkë, çdo njeri është im vëlla. Në secilin shikoj pasqyrimin e fytyrës së Zotit e në ata që vuajnë, shquaj Zotin, që më kërkon ndihmë. E shoh në të sëmurin, në të varfërin, në të papunin, në të përjashtuarin, në migrantin.

Krishti Fëmijë i shëroftë plagët tona njerëzore

Ditën, në të cilën Fjala e Zotit bëhet fëmijë, t’i sjellim sytë kah fëmijët e shumtë që në mbarë botën, posaçërisht në Siri, në Irak e në Jemen, i paguajnë akoma haraç të rëndë luftës. Fytyrat e tyre i shkundin ndërgjegjet e njerëzve vullnetmirë, duke i nxitur që të përballohen e konfliktet e të punohet me guxim për të ndërtuar një ardhmëri me paqe. Qoftë kjo koha e përshtatshme për t’u dhënë fund tensioneve në të gjithë Lindjen e Mesme e në Mesdheun lindor.

Krishti Fëmijë i shëroftë plagët e popullit të dashur sirian, i cili prej më se një dekade tronditet thellë nga lufta e nga pasojat e saj, kohët e fundit të rënduara edhe më shumë nga pandemia. E ngushëlloftë popullin irakian dhe të gjithë ata, që angazhohen në udhën e pajtimit, posaçërisht yazidët, të goditur rëndë nga vitet fundit të luftës. I sjelltë paqen Libisë e premtoftë që faza e re e bisedimeve në vijim, t’i japë fund çdo forme të armiqësisë në vend.

Foshnja e Betlehemit i dhuroftë vëllazërimin tokës

Foshnja e Betlehemit i dhuroftë vëllazërimin tokës, që e pa duke lindur. Izraelitët e palestinezët fitofshin besimin reciprok për të kërkuar paqen e drejtë e afatgjatë përmes dialogut të drejtpërdrejtë, të aftë për fituar mbi dhunën, për t’i kapërcyer mëritë endemike e për t’i treguar botës bukurinë e vëllazërimit.

08 janar 2021, 12:39