Në një dokumentar, 50 vitet e Komisionit Teologjik ndërkombëtar

Prodhuar nga Vatican Media, një video përshkruan, me një sërë dokumentesh, historinë dhe perspektivat e punës së kryer nga teologët katolikë në institucionin kishtar të themeluar në vitin 1969 nga Papa Pali VI

R.SH. - Vatikan

Falë bashkëpunimit ndërmjet Komisionit Ndërkombëtar Teologjik (CTI) dhe Vatican Media, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të këtij institucioni, u prodhua një dokumentar me titull “Komisioni Ndërkombëtar Teologjik në 50 vitet e jetës së tij: historia, rrugëtimi, perspektivat”. Transmetuar paraprakisht gjatë kremtimit zyrtar të 50-vjetorit në Romë, në dhjetor 2019, tani, ai mund të shihet nga të gjithë. Kush dëshiron mund të mësojë më shumë rreth këtij institucioni, fryt i Koncilit II të Vatikanit. Ilustruar me dokumente të pasura arkivore (fotografi, video, pjesë nga fjalimet papnore...) dhe i shoqëruar nga një tekst shpjegues, dokumentari, që zgjat rreth dhjetë minuta, përbëhet nga tri pjesë kryesore.

E para ka natyrë historike dhe paraqet arsyet, që e çuan shën Palin VI në themelimin e Komisionit, në vitin 1969. Siç vërente shën Gjon Pali II, qëllimi kryesor ishte “vazhdimi i përhershëm i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet barinjve të Kishës dhe teologëve, që pati karakterizuar veprimtarinë e Koncilit II të Vatikanit” (Shën Gjon Pali II, Fjalimi në CTI, 1994). Dokumentari përshkon disa faza, që kanë shënuar historinë e këtyre viteve, si edhe kujton disa nga protagonistët më të shquar, përfshirë mbërritjen e grave të para teologe, më 2004.

Pjesa e dytë ka të bëjë me metodat e, sidomos, me frymën që udhëheq punën e Komisionit. Janë zgjedhur tri fjalë kyçe: “pluralizëm”, “kolegjialitet” dhe “eklezialitet”. Pluralizmi rezulton nga natyra ndërkombëtare e institucionit, ndërsa kolegjialiteti dëshmon se shërbimi i teologut, përveçse personal, është edhe komunitar e kolegjial. Pra, ushtrohet brenda dhe për gjithë Kishën dhe jetohet në solidaritet me ata, që kanë të njëjtën thirrje. “Eklezialiteti” do të thotë që puna kërkimore teologjike varet nga feja e Kishës dhe e vë atë në shërbim të misionit të saj.

Pjesa e tretë dhe e fundit e dokumentarit paraqet disa nga 29 dokumentet e botuara nga Komisioni. Tregohet sa ngushtë lidhen këto dokumente me jetën e vetë Kishës. Ky dokumentar do ta bëjë të njohur për një publik më të gjerë Komisionin Ndërkombëtar Teologjik, institucion i përkushtuar ndaj misionit doktrinor të Kishës: “Shkoni dhe bëjini nxënës të mi të gjithë popujt” (Mt 28,19).

26 janar 2021, 15:14