Muzetë e Vatikanit drejt hapjes në shkurt

“Synimi, nëse kushtet na lejojnë, është t’i rihapim dyert më 1 shkurt”. Kështu deklaron për Vatican News, drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, që mori pjesë në konferencën online “More Museum” (Më shumë muze). “Muajt e fundit, kontaktet në rrjetet shoqërore janë rritur eksponencialisht, edhe në sajë të bashkëpunimit me Dikasterin e Komunikimit dhe të publikimit të videove ‘Face to face’ (Ballë për ballë)”.

R.SH. - Vatikan

“Synimi është të rihapim Muzetë e Vatikanit në 1 Shkurt. Nuk jemi të sigurt nëse kushtet do të na lejojnë, por do të dëshironim t’i rihapim dyert”. Kështu deklaron për Vatikan News, drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, e cila mori pjesë në konferencën online “More Museum (Më shumë muze): e ardhmja e muzeumeve ndërmjet krizës dhe rilindjes, ndryshimeve dhe skenarëve të rinj”.

Nga shkurti

“Patëm thënë që do të rrinim mbyllur deri më 16 janar e tani komunikojmë se do ta zgjasim mbylljen edhe për 15 ditë të tjera, për t’i rihapur dyert, ndoshta, më 1 shkurt. Këtë vendim kanë marrë eprorët e Guvernatoratit të Selisë së Shenjtë. Shtatë kilometrat e udhës, që përshkojnë vizitorët në Muzetë e Vatikanit, për shkak të numrit të vogël të regjistruar në muajt e verës kur ishim të hapur e, sidomos, sipas parashikimeve për muajt e ardhshëm, nuk përbëjnë problem shëndetësor e nuk janë rrugë për përhapjen e koronavirusit”.

Numër i jashtëzakonshëm vizitash në rrjetet shoqërore

Në konferencën në internet “Më shumë muze”, u reflektua edhe mbi përhapjen e kulturës, që ruhet në gjithë muzetë e botës, përmes rrjeteve shoqërore dhe internetit. “Patëm një rritje të jashtëzakonshme kontaktesh në faqen tonë të internetit dhe në kanalet tona shoqërore Youtube dhe Instagram”, shpjegon Barbara Jatta. “Kjo rritje ishte eksponenciale në periudhën e lockdown. Kanali Instagram sigurisht kontribuoi shumë, sidomos, pas publikimit të një postimi të përditshëm, që realizuam në bashkëpunim me Dikasterin e Komunikimit të Selisë së Shenjtë - Vatikan News, por edhe pas botimit të ‘Face to face’ (Ballë për Ballë).

Është fjala për video të shkurtra, postuar me idenë për ta bërë të qartë se Muzeu vazhdonte punën edhe gjatë mbylljes. Punonjësit e reparteve të ndryshme dhe restauruesit dëshmuan ç’po bënin në atë periudhë. Përdorimi i rrjeteve shoqërore është një mjet që, sipas analizës sonë, funksionon shumë mirë gjatë bllokimit nëpër shtëpi e më pak kur jemi hapur. Shpresojmë të hapim shpejt, që të dyja këto mënyra të ecin paralelisht. Madje, falë një bilete, që nuk kushton shumë, kohët e fundit kemi pasur një rritje të numrit të të rinjve nga 18 deri 30 vjeç, në publikun tonë”.

14 janar 2021, 15:36