Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini

Komunikimet shoqërore, Ruffini: “shtypi katolik duhet të mbrojë lirinë në të vërtetën”

Shtypi katolik duhet të punojë "me përvujtërinë për ta pranuar pjesën që i takon, por edhe me ambicien se do t’ia dalë; pa komplekse inferioriteti, duke synuar të përfshijë në komunikim të gjithë ata (e mes tyre, sidomos të rinjtë), që nuk presin tjetër veçse njerëz, që e ngrenë zërin për ta dhe u japin përgjigje pyetjeve mbi të vërtetën, të cilat nuk trajtohen nga sistemi i mediave”. Kështu shkruan prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, në editorialin e së përjavshmes së dioqezës italiane të Rietit, “Frontiera”

R.SH. - Vatikan

Shtypi katolik shërben “për të krijuar një horizont kuptimor. Për të parë e për të treguar gjëra, që të tjerët nuk i shohin. Për të mbrojtur një hapësirë ​​lirie në të vërtetën dhe për t’ia ofruar të gjithëve, në një kohë kur e vërteta, liria e mendimit dhe bashkëndarja janë mall gjithnjë e më i rrallë”. Kështu shkruan prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, në editorialin e së përjavshmes së dioqezës së Rietit, “Frontiera”, e cila botohet sërish pas 5 vitesh.

Duke përmendur fjalët e Papës Françesku në 60-vjetorin e UCSI-t (Bashkimi i Shtypit Katolik Italian), Ruffini nënvizon se ndihet nevoja e “mediave, që dinë të dallojnë të mirën nga e keqja, të raportojnë historikun e fakteve, të punojnë për kohezionin shoqëror. Për këtë shërben “Frontiera” (Kufiri), që vetëm duke gabuar masën, mund të quhet gazetë e vogël – shkruan më tej. - Nuk do të ekzistonte asnjë përmasë kombëtare, nëse nuk do të kishim praninë territoriale; asnjë ndjenjë përkatësie në një fat të përbashkët, nëse kjo nuk do të bazohej në territoret dhe në historitë, kulturat e kujtimet e tyre”.

Aspekti lokal në kohën e rrjeteve shoqërore

Sfida, sipas prefektit, ka të bëjë me “konceptimin e ngjarjeve lokale në kohën e rrjeteve shoqërore, ku nuk ekziston më as qendra e as periferia, aq sa vende periferike si Cupertino, ose Palo Alto, janë bërë qendra e qytetërimit të të ashtuquajturave ‘big data’”. E ka të bëjë edhe me “konceptin global, i cili nuk bie në banalitet, vetëm nëse parashikon shumëllojshmërinë e larminë. Ky është kufiri juaj e joni.

Në këtë betejë - përfundon prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini,- jemi të thirrur të gjithë. Me përvujtërinë për ta pranuar pjesën që na takon, por edhe me ambicien se do t’ia dalim; pa komplekse inferioriteti, duke synuar të përfshijmë në komunikimin tonë të gjithë ata (e mes tyre, sidomos të rinjtë), që nuk presin tjetër veçse njerëz, që e ngrenë zërin për ta dhe u japin përgjigje pyetjeve mbi të vërtetën, të cilat nuk trajtohen nga sistemi i mediave”.

19 janar 2021, 08:35