Papa Francesco, Viaggio apostolico in Svezia, 2016.10.31 Preghiera Ecumenica Comune - Cattedrale Lund, 2021.01.05 Papa Francesco, Viaggio apostolico in Svezia, 2016.10.31 Preghiera Ecumenica Comune - Cattedrale Lund, 2021.01.05  

Katolikët e Luteranët: përpara së bashku në rrugën e unitetit

Një përkthim i ri italisht i Deklaratës së Përbashkët mbi Doktrinën e Shfajësimit, që daton nga viti 1999, u botua më 3 janar 2021. Teksti shënoi një hap vendimtar në dialogun midis katolikëve e luteranëve nё tejkalimin e një nyje themelore të ndarjes midis dy Kishave dhe kjo është çështja e shëlbimit.

R.SH. - Vatikan

Deklarata e Përbashkët mbi Doktrinën e Shfajësimit, nënshkruar nga Katolikët e Luteranët në Augsburg, nё Gjermani, më 31 tetor 1999, pohoi e pranoi se shёlbimi vjen "jo në bazë të meritave tona, por vetëm përmes hirit Tёnzot dhe fesё në veprën shёlbimprurёse të Krishtit”. “Deklarata e përbashkët për Doktrinën e Shfajësimit”, nënshkruar në vitin 1999,  hodhi poshtë mosmarrëveshjet e lashta, që me shekuj i kanë ndarë katolikët e luteranët në konceptimin e të vërtetave themelore të Doktrinës së Shfajësimit, në qendër të Reformës së shekullit XVI. Kjo deklaratë u quajt me tё drejtё një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë të të krishterëve.

Pas 20 vjetësh, botimi i përkthimit të tekstit të azhurnuar italisht, njoftuar nga Këshilli Papnor për Bashkimin e tё Krishterëve dhe Federata Botërore Luterane, është "një hap i rëndësishëm i bërë së bashku, në një përpjekje për të siguruar një shpërndarje më të gjerë të kjo marrëveshje historike ekumenike dhe pёr ta pranuar gjithnjë e mё shumë”. Dikasteri i Vatikanit për Bashkimin e tё Krishterëve shpjegon vendimin për ta bërë publik përkthimin dhe tekstet që e shoqërojnë, pikërisht në ditën kur katolikët e luteranët përkujtojnë 500 vjetorin e shkishërimit të Martin Luterit, mё 3 janar tё vitit 1521, si njё " hap tё vendosur për të vazhduar së bashku udhëtimin nga konflikti deri tek bashkimi”.

Kërkimi i asaj që është e përbashkët brenda ndryshimeve

Në parathënien e përbashkët të botimit italian të Deklaratës sё Shfajësimit, Kardinal Kurt Koch, president i Këshillit Papnor për Bashkimin e tё Krishterëve dhe i Nderuari Martin Junge, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Luterane, shkruajnë: "Ne nuk mund të zhbëjmë historinë e ndarjes, por ajo mund të hyjë pёr t'u bërё pjesë e historisë sonë të pajtimit”.

Botimi i përkthimit italisht të azhurnuar bëhet në kontekstin e përkujtimit të disa momenteve më të rëndësishme të historisë sё Kishës Luterane, që do të kulmojnë me 500 vjetorin e Rrëfimit të Augsburgut, në vitin 2030, me synimin për të kërkuar "atë që është e përbashkët" në kontekstin e dallimeve, apo edhe tё kontrasteve, e në këtë mënyrë pёr tё punuar drejt tejkalimit të dallimeve që i ndajnë Kishat".

Kisha tjera janë bashkuar gjithashtu me Deklaratën

"Katolikët e Luteranët kanë filluar të ecin së bashku në rrugën e pajtimit", pati thёnё Papa Françesku, duke shprehur vlerësimin e tij për pesëdhjetë vjet dialogu ndërmjet Federatës Botërore Luteriane e Kishës Katolike gjatë lutjes ekumenike kremtuar në Lund, tё Suedisё, gjatë vizitёs papnore e cila u zhvillua midis 31 tetorit e 1 nëntorit 2016, për të përkujtuar 500 vjetorin e Reformёs së Martin Luterit. "Përmes dialogut dhe dëshmisë së përbashkët ne nuk jemi më të huaj pёr njёri-tjetrin. Përkundrazi, kemi mësuar se ajo që na bashkon është më e madhe e mё e fortё se ajo që na ndan", deklaruan së bashku me atë rast katolikët e luteranët.

Një dialog që vazhdon në një atmosferë miqësie

Nga viti 1999 deri më sot, në kohë të ndryshme, tre Komunitete të tjera të krishtera botërore, përkatësisht familja e Kishave Metodiste, Kisha Anglikane dhe Kishat e Reformuara, janë bashkuar zyrtarisht në atë që fillimisht ishte marrëveshja Luterano-Katolike. Edhe me këto Kisha, falë Deklaratës së Përbashkët, janë kapërcyer polemika e keqkuptime shekullore.

07 janar 2021, 12:19