Kardinali Parolin me Konferencën ipeshkvnore të Kamerunit Kardinali Parolin me Konferencën ipeshkvnore të Kamerunit 

Kardinali Parolin çon në Kamerun mesazhin e Papës për paqe e pajtim

Afërsia dhe vëmendja e Papës Françesku për Kamerunin dhe Kontinentin afrikan, në homelinë e kardinalit Pietro Parolin, me rastin e vënies së Palios kryeipeshkvit të Bamendës, Andrew Bkea Fuanya, në Kamerun.

R. SH. - Vatikan

“Papa është shumë i vetëdijshëm për vështirësitë që jetuat këto vite e që vijoni t’i jetoni: kërkon për ju ngushëllimin e Zotit, posaçërisht për ata që  ishin viktima të dhunës ose që, në këtë krizë, humbën miq e dashamirë”. Kështu u shpreh kardinali Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë homelisë me rastin e vënies së Palios  kryeipeshkvit të Bamendës, Andrew Bkea Fuanya, në Kamerun. Hirësia e Tij i shprehu, kështu, afërsinë e Françeskut, popullsisë kameruneze e, më në përgjithësi, Kontinentit afrikan, tokë e pasur me humanizëm, por e prekur nga vuajtje të shumta. Papa - shtoi kardinali Parolin- “ka të njëjtën dëshirë për paqe e pajtim, që lartohet drejt Zotit nga kjo tokë e dashur dhe e mrekullueshme”.

Pajtim, mëshirë, mikpritje

Kardinali Parolin arriti në Kamerun të enjten e kaluar, i shoqëruar nga imzot Ivan Santus, zyrtar i Seksionit të Sekretarisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Shtetet. Shtegtimi i tij është shenjë konkrete e angazhimit të përbashkët, solidar e pjesëmarrës, për të mbrojtur e për të promovuar dinjitetin, mirëqenien, respektin e mirëpritjen e të gjithëve, posaçërisht në rrethanat aktuale të emergjencës humanitare, krijuar nga  coronavirusi.

Në bashkim me Papën

“Palio - shpjegoi Sekretari i Shtetit gjatë Meshës, kremtuar në Katedralen e Bamendës - është simbol i lidhjes së veçantë me Papën: i endur me leshin e qengjave të bekuar nga Ati i Shenjtë në Festën e Shën Anjezes, simbolizon figurën e Bariut të Mirë, që shkon në kërkim të deles së humbur të cilën, si e gjen, e vë mbi shpatulla. Përfaqëson rolin që luan Kryeipeshkvi në Provincën kishtare, në bashkim me Atin e Shenjtë. Është shenjë me kuptim shumë të pasur, që përuron me forcë mandatin e çdo Kryeipeshkvi të ri: shërbesa e tij vihet, që në fillim, nën shenjën e bashkimit, të dëgjesës e të unitetit me Papën, të bashkëndarë me sivëllezërit ipeshkvij”.

Farë shprese

Duke iu drejtuar, më pas, besimtarëve, kardinali Parolin i nxiti t’i kundërvihen dhunës, përçarjes dhe luftërave vëllavrasëse, që e bëjnë të vuajë shumë këtë tokë:

“Kush lufton kundër së keqes, që banon në zemrën e tij - theksoi me forcë - bëhet mbartës i së mirës e i paqes në familjen e vet, ndërmjet miqve, në bashkësi: e bëhet, në këtë mënyrë, shpresë për të gjithë - theksoi akoma kardinali Parolin, duke prekur, kështu, drejt e në plagët e Afrikës, me dëshirën e zjarrtë për t’i parë të shëruara.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit e përfundoi homelinë duke kujtuar se  dymijëvjet mrekullimi para Jezusit e kërkimit të vazhdueshëm të Tij, janë shenja tepër të çmueshme, që duhen ruajtur me kujdes e dashuri:

“Nuk duhet të pushojmë kurrë së reflektuari mbi këtë Mister, për të shmangur rrezikun e krenisë shpirtërore të ndokujt, që beson se di gjithçka për Jezusin, pa  e kuptuar se Zoti është gjithnjë shumë më i madh nga sa mund të kuptojmë ne, njerëzit”- theksoi në përfundim.

Të shumtë, besimtarët që e ndoqën kardinalin Parolin, duke marrë pjesë në Meshën e kremtuar në Katedralen e Bamendës, në shenjë e afërsie me kryeipeshkvin Fuanya e edhe bashkimi të hareshëm ne Papën, përfaqësuar në këtë ditë feste nga kardinali Sekretar i Shtetit.

31 janar 2021, 16:49