Gesù - Vangelo - la vocazione dei primi apostoli Gesù - Vangelo - la vocazione dei primi apostoli 

Fjala e Zotit e Dielës së 3-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Ungjilli Markut (Mk 1,14-20), na sjell fjalët e Jezusit: “Kthehuni e besoni në Ungjill!” dhe na tregon për fillimin e predikimit të Jezusit qё fillon në Karfanaum, në Galile. Të kthehesh tek Zoti nuk do të thotë vetëm të ndryshosh mënyrën e jetesës, por edhe mënyrën e të menduarit. Është një ndërrim i mendësisë. Nuk është fjala për të ndryshuar veshjet, por sjelljet.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. 

3 DIELE GJATE VITIT 'B - FJALA E ZOTIT

Tema kryesore e Fjalës Hyjnore të kësaj të diele është “THIRRJA e ZOTIT”, thirrja urgjente për t’u kthyer me shpirt e me zemër në udhën e Hyji, për të besuar në Të dhe per te pranuar Mësimin e Tij. Kështu edhe këtë të diele, kemi një ngjarje që  na rrëfen “thirrjen” e katër dishepujve të parë të Zotërisë Jezus (Mk 1,14-20), pikërisht siç degjuan në Ungjillin të dielës se kaluar nga Gjoni (Gjn 1, 35-42). 

Ungjilli i kësaj së diele, nga Marku (Mk 1,14-20), na sjell fjalët e Jezusit: “Kthehuni e besoni në Ungjill!” dhe na tregon për fillimin e predikimit të Jezusit qё fillon në Karfanaum, në Galile, në tokën e banuar në pjesën më të madhe nga paganët, ‘gjeografikisht periferike’ nga Jerusalemi ‘e fetarisht e papastër’ për ‘përzierjen e atyre njerëzve që nuk i përkisnin popullit tё Izraelit’. Nga Galileja ‘sigurisht që nuk priteshin gjëra të mëdha për historinë e shpëtimit. E pikërisht nga ky vend’, nga periferia, përhapet “drita e Krishtit”.

Mesazhi i Jezusit ndjek gjurmët e Gjon Pagëzuesit, duke kumtuar Mbretërinë e qiellit. Kjo mbretëri nuk sjell rivendosjen e një pushteti të ri politik, por plotësimin  e besëlidhjes ndërmjet Zotit e popullit të vet që do të përurojë një stinë të paqes e të drejtësinë. Për ta lidhur këtë pakt të besëlidhjes me Zotin, çdonjëri është i thirrur të konvertohet, të kthehet, duke shndërruar mënyrën personale të të menduarit dhe të të jetuarit. Është më rëndësi kjo: të kthehesh tek Zoti nuk do të thotë vetëm të ndryshosh mënyrën e jetesës, por edhe mënyrën e të menduarit. Është një ndërrim i mendësisë. Nuk është fjala për të ndryshuar veshjet, por sjelljet.

Çka e dallon Jezusin nga Gjon Pagëzuesit është stili e metoda. Jezusi zgjedh të jetë një profet itinerant, endacak. Nuk rri duke i pritur njerëzit, por lëviz e shkon për t’i takuar ata. Jezusi është gjithmonë për udhë! Daljet e tij të para misionare ndodhin buzë liqenit të Galilesë, në kontakt me turmën, posaçërisht me peshkatarët. Aty Jezusi jo vetëm që shpall ardhjen e mbretërisë së Zotit, por kërkon shokë për t’i anëtarësuar në misionin e tij të shpëtimit.

Këtu takon dy çifte vëllezërish: Simonin e Andreun, Jakobin e Gjonin. Janë peshkatarë, e janë duke punuar. Jezusi i thërret për ta ndjekur pas. Thirrja i gjen në kulmin e veprimtarisë së tyre të përditshme. Pra, Zoti na dëftohet jo në një mënyrë të jashtëzakonshme a të bujshme, por në jetën e nё punёn tonë të përditshme. Aty duhet ta gjejmë Zotin, e aty Ai na dëftohet, na bënë ta ndjejmë dashurinë e tij në zemrën tonë, e aty – duke biseduar me Të në jetën e përditshme – ndërron zemra jonë. Përgjigja e katër peshkatarëve është e menjëhershme dhe e gatshme: “Menjëherë i lanë rrjetat dhe shkuan pas Tij.

Ne, të krishterët e sotëm kemi gëzimin për ta shpallur e dëshmuar fenë tonë sepse ka qenë ai kumtim i parë, sepse kanë qenë ata burra të përvujtë e guximtarë si Pjetri, Andreu, Jakobi e Gjoni që i janë përgjigjur me bujari thirrjes së Jezusi. Në brigjet e liqenit, në një tokë të paimagjinueshme, ka lindur komuniteti i parë i dishepujve të Krishtit.

Njohja dhe ndërgjegjësimi për këtë zanafillë, urojmё të nxisë në ne dëshirën për të sjell fjalën, dashurinë dhe përdëllimin e Jezusit Zot në çdo kontekst, edhe në realitetet më të vështira e të ashpra, pra, ta çojmë Fjalën e Tij në të gjitha periferitë! Të gjitha hapësirat e jetës njerëzore janë terren ku duhet hedhur fara e Ungjillit, që të sjell frytet e shpëtimit.

                                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I-rë (Jon 3, 1-5.10) Ninivasit u kthyen prej sjelljes së tyre të keqe.

Lexim prej Librit të Jonës profet
Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha: “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit.
E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “ Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposët!”
Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin.
Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për dënimin, me të cilën u ishte kërcënuar se do t’ua çoj dhe nuk ua çoi. Fjala e Zotit!

Psalmi 25 (24)
Ref: M’i mëso, o Zot, shtigjet e tua

_________
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
Sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
Në ty shpresoj gjithmonë.
_________
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
Dhe dashuria jote është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e paudhësitë e rinisë sime:
Të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
-për hir të mirësisë sate, o Zot.
_________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
Mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
Të përvuajturve u prin në drejtësi,
Të butëve ua mëson udhën e vet.
_________
 

Leximi i dytë (1 Kor 7, 29-31) Trajta e kësaj bote po kalon

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Ja, ç’dua të thëm, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. Fjala e Zotit!

Alleluja!
Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, t’ju japë syve të zemrës suaj dritë,
që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.
Aleluja!

UNGJILLI (Mk 1, 14-20) Kthehuni e besoni Ungjillit!

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut
Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!”
Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllain e Simonit, duke gjuajtur peshk – ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatar njerëzish!” Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij. Fjala e Zotit!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit: E DIELA III GJATË VITIT

TAKIMI ME JEZUSIN E SHNDËRRON JETËN . Jon 3, 1-5.10; Ps 25 (24); 1 Kor 7, 29-31; Mk 1, 14-20

Në leximet e kësaj së diele, Fjala e Hyjit futet si «shpatë» në jetën tonë. E, në fakt, Letra e drejtuar Hebrenjve përdor pikërisht këtë imazh për të folur për veprintarinë që mund të bëjë Fjala e Hyjit në shpirtin e njeriut: «Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehash. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin.» (4, 12) 

Këtë Fjalë që ndërhyn si «shpatë», e gjejmë tek Letra e parë që Shën Pali u drejton Korintasve që dëgjuam në leximin e dytë sot: «O vëllezër, koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin; ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë sikurse të mos e gëzonin.»

Pse Shën Palin thekson me kaq forcë fjalë të tilla? Cila është arsyeja që e bën atë të na duket si dikush që i ka mbyllur sytë mbi realitetin e jetës së përditshme? Si ka mundësi që na duket kaq indiferent ndaj ndjenjave më të përditshme e normale të jetës së njeriut? Patjetër se psikologët – ose, më saktë, ata që mendojnë se dijnë t’i japin përgjigje çdo reagimi njerëzor vetëm duke u nisur nga ana psikologjike – këtu do të kënaqeshin duke na e paraqitur Shën Palin si një personalitet me probleme, si dikush që ka ftohje emocionale, ftohje e cila, sipas tyre, duhet t’i ketë rrënjët në ndonjë traumë të pësuar në jetë.

E, në fakt, Shën Pali përdor fjalë vërtet të habitshme kur thotë, përshembull: «Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin». Këto fjalë do të tingëllonin shumë të çuditshme në veshët e atij që është mësuar ta shohë bashkëshortin apo bashkëshorten si një idhull. Mjafton të lundrosh pak në rrjetet sociale e, raste kur i thuren fjalë jo dashurie, por idhujtarie njëri-tjetrit, të shfaqen më shumicë përpara. Edhe Shën Pali e dinte mirë rëndësinë që kanë bashkëshortët për lumturinë e njëri-tjetrit, sepse vetë jeta e përditshme e tregon këtë, por i ftonte të krishterët të kenë një maturi që vjen vetëm nga feja e gjallë në Hyjin.

Po ashtu Shën Pali e dinte mirë peshën që sjell hidhërimi i të qarit dhe rëndësinë e bukurinë e gëzimit në jetën e njeriut. E megjithatë ngul këmbë: «Ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim» .

Futen si shpatë këto fjalë në jetën e atij që, kur është në pikëllim dhe vërtet lotët nuk arrin më t’i përmbajë, i duket se për të dielli i lumturisë është shuar një herë e përgjithmonë, si edhe në jetën e atij që është mësuar të bluajë në mendjen e vet se si t’i shtojë vetes sa më shumë raste gëzimi dhe euforie, duke arritur shpesh edhe në shpenzime vërtet absurde në jetën e tij të përditshme.

Jo fort të këndshme do t’i dukeshin fjalët e Apostullit atij që e vlerëson dinjitetit e vet dhe të të tjerëve me mundësinë që ka për të blerë apo për të shitur. E Shën Palit thotë: «Ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten». Tingëllon qesharake kjo fjalë për biznesmenin që, kur zgjohet në mëngjes, mendimet e para që ka në kokë, janë llogaritjet, shitjet, blerjet, fitimet, kontaktet, llogaritë bankare dhe arritjet. S’ka kohë për këtë njeri ngritja e kokës lart, sespe «paratë s’pikojnë prej qiellit» thonë shpesh këta njerëz. Maksimumi, ai mund ta ngrejë kokën lart – tek Ai që rri lart – për t’i kërkuar mbarësi në fitimet e veta. Nëse shkon tek sakrestia e Kishës për të dhënë lëmoshë për ndonjë Meshë, e bën me qëllim që ta “blejë” edhe Zotin me paranë e vet.

Por Shën Pali nuk është i mangët apo i papjekur nga ana afektive. Përkundrazi, në zemrën e tij vlon një dashuri e fortë. Ai flet kështu sepse zemrën e tij e ka ngulur mbi një terren tjetër. Shën Pali ka një dashuri të pamasë për Jezu Krishtin. Prandaj diku tjetër shkruan: «Për mua Krishti është jetë». Ai ka vrull në jetën e tij e jo mpirje. E shtyn dashuria për Krishtin e jo ikja ndaj jetës. Prandaj edhe mund t’i rreshtojë pa drojtje ato fjalët që sapo dëgjuam.

Shën Pali e di se bën mirë ta ngulë këtë «shpatë» në zemrën tonë, sepse – sikurse u kishte ndodhur korintasve të cilëve u drejtohet – mund të ndodhë edhe me zemrën e çdo të krishteri që të jetë e “pushtuar” nga dashuri të tjera. Mund të ndodhë që njeriu të pagëzohet, të krezmohet, të kungohet, të shkojë çdo ditë në kishë, mbase nga ana e jashtme edhe t’ia kushtojë jetën e tij “krejtësisht” Hyjit, por brendësia e tij ka interesa krejt të tjera. Brenda tij mund të mos jetë Krishti qendra.

Shën Pali dëshiron të na e kujtojë se një përzemërsi normale njerëzore nuk duhet të jetohet pa dashurinë thelbësore për Krishtin, se një fatkeqësi apo një gëzim nuk duhet ta zhdukë shikimin nga Krishti dhe se një aktivitet normal për të siguruar jetesën nuk duhet t’ia heqë të krishterit aftësinë për t’u dorëzuar pa kushte në duart e Krishtit.

Kjo e shqetëson Shën Palin. Nuk kanë ndodhur trauma në jetën e tij, por ka ndodhur një takim. Ky takim i shndërroi jetën, siç shohim se ua ndryshoi jetën edhe nxënësve që Jezusi i thërret në Ungjillin e sotëm.

Aty flietet pikërisht thirrjen e katër apostujve të parë që Jezusi mbledh rreth vetes e nuk janë pa rëndësi detajet e kësaj pjese.

Jezusi i thërret dy të parët, Simonin e vëllanë e tij, Andrean, duke u thënë: «Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!» dhe ata, thotë Ungjilli: «Aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij». Pra braktisën mjetin e jetësës së tyre të mëparshme («rrjetat»), për t’u dhënë krejtësisht pas ndjekjes së Jezusit.

Pastaj Jezusi thërret edhe dy të tjerët, Jakobin e Zebedeut e vëllanë e tij, Gjonin, e Ungjilli thotë se edhe ata e ndoqën menjëherë: «Lanë të atin e vet, Zebedeun, në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij». Lanë jo vetëm mjetet e jetesës («rrjetat e lundrën»), por edhe familjen («të atin»). Takimi me Jezusin ka sjellë një ndryshim rrënjësor në jetën e tyre. Jezusi ua ka prekur zemrat me Hirin e vet. Patjetër se këta apostuj ishin vetëm në fillim të njohjes së personit të Jezusit. Do t’u duhet punë që ta arrijnë pjekurinë e fesë së gjallë në Krishtin, por ecja e tyre në fe ka filluar tashmë vrullshëm.

Edhe leximi i parë sot tregon fillimin e një ecjeje të re nga populli i Ninivës, i cili ishte zhytur në vese të rënda. Aq të rënda, saqë Bibla thotë se Hyji deshi ta shkatërrojë atë qytet. Janë mënyra biblike për të treguar seriozitetin e së keqes që sjell mëkati.

Por, kur Jona ua predikoi kthimin kah Zoti, ata ndryshuan jetë: «Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin». Pendesa dhe ndryshimi i jetës, janë pasojat e para të takimit real me Hirin e Hyjit, edhe pse ato kushtojnë shumë mund e këmbëngulje, thuajse po kalon përme një «furre zjarri». Pastaj vjen hovi i një jete të re.

Edhe Shën Pali, që flet për kotësinë e jetës në urrejtje e në mëkate, e ka përshkuar edhe ai vetë këtë «furrë zjarri» të keqardhjes për mëkatet e veta e të pendesës për ta e prandaj nuk druhet të shkruajë me kaq forcë fjalë si ato që cituam. Edhe Shën Pali ka lënë çdo gjë, pastaj, për t’u vënë edhe ai, si apostujt, në ndjekje të sinqertë e të vrushme të Zotit të vet Jezu Krishtit.

Takimi me Jezusin duhet të ndryshojë diçka tek ne ose përndryshe nuk është takim. Mbase jo gjithnjë duhet të sjellë ndryshime përjashta, por përbrenda duhet t’i sjellë patjetër.

Më vjen ndër mend një përrallë e bukur që thotë se, një herë, një mi shkoi tek një magjistar për t’i kërkuar një nder. «Dua të më shndërrosh në mace – i tha miu – sepse kam shumë frikë nga ato». E magjistari ia plotësoi dëshirën.

Por pastaj filloi të kishte frikë nga qeni. Përsëri shkoi tek magjistari dhe ky ia plotësoi dëshirën për t’u shndërruar në qen. Atëherë kishte frikë nga ariu e magjistari e shndërroi në ari. Si ari kishte frikë nga luani, prandaj nuk mund të shëtiste lirshëm nëpër pyll. Përsëri magjistari ia plotësoi dëshirën dhe e shndërroi në luan. Së fundi “luani” filloi të kishte frikë nga njeriu, që kalonte andej pari për gjueti. Shkoi tek magjistari e i kërkoi që ta shndërronte në njeri.

Por kësaj here magjistari ia ktheu: «Nuk ia vlen të të shndërroj përsëri, sepse ti ke ende një zemër prej miu».

Përrallë e lezetshme, që na fton të shikojmë brenda nesh dhe të shohim se për ku është drejtuar zemra jonë! Të shohim nëse takimi me Krishtin e ka shndërruar jetën tonë apo jo.

Nëse e ka shndërruar, atëherë fjalët e Shën Palit do të na duken të ëmbla e madje do ta falënderonim që na e kujtoi edhe një herë se qendra e jetës sonë duhet të jetë gjithnjë vetëm Krishti.

Dom Dritan Ndoci

23 janar 2021, 10:11