2018.12.19 Natale Natività Gesù Bambino Adorazione dei pastori 2018.12.19 Natale Natività Gesù Bambino Adorazione dei pastori 

Epifania: askush të mos ketë frikë nga Krishti

Në solemnitetin e Epifanisë së Zotit kremtojmë dëftimin e Krishtit para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë,të ardhur nga Lindja. Kremtojmë Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtegtimit të popujve në kërkim të shpëtimit. Liturgjia në këtë festë, vë në dukje se kanë kaluar mbi 20 shekuj që kur një mister i tillë u zbulua dhe u realizua në Krishtin, por ai akoma nuk është përmbushur krejtësisht, prandaj misioni i Kishës është akoma në fillimet e veta.

R.SH. - Vatikan

Sonte është nata e festës së Dëftimit të Zotit, Ujit të Bekuar. Nesër Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre. Solemniteti i Dëftimit të Zotit është festë e mirësisë së Hyjit dhe e dashurisë së Tij për njerëzit.

Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Kisha katolike e ritit latin, kremton Dëftimin e Krishtit para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë, të ardhur nga Lindja. Kisha kremton Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtegtimit të popujve në kërkim të shpëtimi, prandaj askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij. Shfaqja e Jezu Krishtit para Mbretërve Dijetarë përfaqëson edhe Dëftimin e Kishës e të misionit të saj universal para botës. 

Liturgjia e Kishës, në këtë festë, vë në dukje se kanë kaluar mbi 20 shekuj që kur një mister i tillë u zbulua dhe u realizua në Krishtin, por ai akoma nuk është përmbushur krejtësisht, prandaj misioni i Kishës është akoma në fillimet e veta. Krejt Koncili II i Vatikanit pati në bazë qëllimin e vetëm për t’i shpallur njerëzimit bashkëkohor Krishtin, dritën e botës. Në Koncilin e përmendur nga zemra e Kishës, duke filluar nga personalitetet më të larta të hierarkisë, doli si e domosdoshme, nxitur nga Shpirti i Shenjtë, dëshira për një dëftim të ri të Krishtit në botë; në një botë, që epoka moderne e kishte shndërruar thellësisht e, që për herë të parë në histori gjendej para sfidës së një qytetërimi global, ku qendra nuk mund të ishte më Evropa e as ata që quhen Perëndim apo Veri i botës.

Dilte kështu kërkesa për të gjetur jo vetëm një rend të ri politik dhe ekonomik, por njëkohësisht edhe shpirtëror e kulturor. Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, gjendemi në thelb të kësaj faze të historisë njerëzore, e tematizuar rreth fjalës “globalizim”. Një sfidë e vështirë, pikërisht sepse jemi të përfshirë në të: një rrezik i forcuar shumë nga përhapja e jashtëzakonshme e mas-mediave, të cilat shpesh në vend që ta përmirësojnë, duket se e dobësojnë aftësinë tonë për të qenë dritë e krip e epokës ku jetojmë. Pra, nga Koncili II i Vatikanit po përmendim mesazhet, që etërit konciliarë i drejtuan njerëzimit: i pari i drejtohej qeveritarëve, i dyti njerëzve të shkencës. Këtyre di kategorive, dokumenti “Nostra Aetate” shton edhe kategorinë e tretë njerëzish. I referohet udhëheqësve shpirtërorë të feve të mëdha jo të krishtera.

Pas mёse 2 mijë vjetësh, në figurat e Mbretërve Dijetarë mund të njohim një lloj paraqitje simbolike të këtyre tri përmasave, që përbëjnë njerëzimin modern: përmasën politike, atë shkencore e atë fetare. Festa e Dëftimit të Zotit na i tregon Dijetarët në shtegtim, pra, në një moment kërkimi, që në fund të fundit, ka si pikë mbërritjeje Krishtin. Edhe Zoti, është në shtegtim drejt njeriut. Jezusi erdhi për t’u takuar me njerëzimin. Për hir të dashurisë, Ai u bë histori brenda historisë së njerëzimit. Prandaj Kisha në këtë solemnitet i fton me forcë përfaqësuesit e traditave të mëdha fetare jo të krishtera të konfrontohen me dritën e Krishtit, i cili nuk erdhi në botë për të zhdukur, por për të çuar deri në fund, atë që dora e Zotit ka shkruar në historinë fetare të qytetërimit botëror, sidomos në shpirtrat e mëdhenj, që kanë kontribuar në përparimin e njerëzimit me diturinë dhe shembullin e tyre të virtytshëm.

Krishti është dritë dhe drita nuk mund të errësojë, por vetëm të ndriçojë, qartësojë, zbulojë. Prandaj, askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij! E nëse në rrjedhën e historisë, të krishterët, duke qenë njerëz me kufizime e mëkatarë, e kanë tradhtuar nganjëherë me sjelljet e tyre, kjo vë akoma më shumë në dukje se drita është Krishti e se Kisha e reflekton këtë dritë vetëm duke mbetur e bashkuar me Të.

Na vjen në ndihmë pikërisht shembulli i Mbretërve Dijetarë. Ata e kishin parë kometën, por kjo nuk do të kishte mjaftuar, nëse ata nuk do të kishin qenë njerëz të gatshëm t’ia hapnin zemrën së Vërtetës. Ashtu si Dijetarët, edhe ne jemi të thirrur t’ia hapim mendjen dhe zemrën Krishtit. E Kisha sot të gjithë njerëzve të kohës sonë u thotë: mos kini frikë nga drita e Krishtit! Drita e tij është shkëlqimi i së vërtetës. Ndriçohuni prej tij, o popuj të botës; lini që t’ju mbështjellë me dashurinë e tij e do të gjeni rrugën e paqes.

05 janar 2021, 10:10