Do të jetë i Lum Giovanni Fornasini, martir i Luftës II Botërore
R. SH. - Vatikan
Njihemi me historinë e një famullitari, të ngjashme me shumë histori të tjera, fisnike jashtë çdo mase, pavarësisht nga tmerret e përditshme të luftës. Protagonist i saj është don Giovanni Fornasini, meshtari të cilit Papa Françesku ia njohu sot martirizimin.
Në shërbim të nevojtarëve, në ferrin e luftës
Prift dioqezan, don Fornasini lindi më 23 shkurt 1915 në Pianaccio të Lizzano në Belvedere, në provincën e Bolonjës. Gjatë Luftës II Botërore, kur ishte famullitar, ia hapi qelën e tij shumë të pastrehëve, ndihmoi sa mundi të burgosurit e të dënuarit me vdekje. E kështu ditë e natë, deri më 13 tetor 1944. Atë ditë e lajmëruan se në varrezën e Shën Martinit të Caprarës do të pushkatohej një grup njerëzish. E ai rendi menjëherë për t’u dhënë Sakramentet e fundit, atyre që prisnin plumbin e pushtuesve. Shkoi e nuk u pa më. Humbi! Deri më 24 prill 1945, kur u gjet trupi i tij i masakruar mizorisht!”.
Gjatë audiencës së sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa dekretoi lumnimin e tij të ardhshëm e njëherësh me të, njohu virtytet heroike të shtatë shërbëtorëve të nderuar të Zotit. Janë:
Don Michele Arcangelo Maria Antonio Vinti, njeri i fesë, i njohur për veprimtarinë e tij të palodhur si rrëfyes;
Ruggero Maria Caputo, drejtues i shquar shpirtrash;
Shëbëtorja e Zotit Maria Giuseppa e Jezusit, themeluese e Kongregatës së Murgeshave të Krygjës Shenjte;
Giacomo Masarnau Fernández, laik vinçencian, apostull i mëshirës;
Pasquale Canzii, seminarist, që vdiq në lule të moshës, duke e pranuar me fe të gjallë vullnetin e Zotit;
Jérôme Lejeune, besimtar laik, mjek i Papëve, kryetar i parë i Akademisë Papnore për Jetën;
Së fundi i njihen virtytet heroike edhe shërbëtores së Zotit Adele Bonolis, themeluese e veprave të asistencës e të rilindjes shoqërore.