Kërko

Kryqi i Krishtit Kryqi i Krishtit 

Do të jetë i Lum Giovanni Fornasini, martir i Luftës II Botërore

Papa Françesku autorizoi shpalljen e Dekreteve, që do ta çojnë në nderimet e altarit meshtarin emilian, Giovanni Fornasini, vrarë nga urrejtja për fenë në vitin 1944, duke njohur edhe virtytet heroike të tetë Shërbëtorëve të Zotit.

R. SH. - Vatikan

Njihemi me historinë e një famullitari, të ngjashme me shumë histori të tjera, fisnike jashtë çdo mase, pavarësisht nga tmerret e përditshme të luftës. Protagonist i saj është don Giovanni Fornasini, meshtari të cilit Papa Françesku ia njohu sot martirizimin.

Në shërbim të nevojtarëve, në ferrin e luftës

Prift dioqezan, don Fornasini lindi më 23 shkurt 1915 në Pianaccio të Lizzano në Belvedere, në provincën e  Bolonjës. Gjatë Luftës II Botërore, kur ishte famullitar, ia hapi qelën e tij shumë të pastrehëve, ndihmoi sa mundi të burgosurit e të dënuarit me vdekje. E kështu ditë e natë, deri më 13 tetor 1944. Atë ditë e lajmëruan se në varrezën e Shën Martinit të Caprarës do të pushkatohej një grup njerëzish. E ai rendi menjëherë për t’u dhënë Sakramentet e fundit, atyre që prisnin plumbin e pushtuesve. Shkoi e nuk u pa më. Humbi! Deri më 24 prill 1945, kur u gjet trupi i tij i masakruar mizorisht!”.

Gjatë audiencës së sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa dekretoi lumnimin e  tij të ardhshëm e njëherësh me të, njohu virtytet heroike të shtatë shërbëtorëve të nderuar të Zotit. Janë:  

Don Michele Arcangelo Maria Antonio Vinti, njeri i fesë, i njohur për veprimtarinë e tij të palodhur si rrëfyes;  

Ruggero Maria Caputo, drejtues i shquar shpirtrash;

Shëbëtorja e Zotit Maria Giuseppa e Jezusit, themeluese e Kongregatës së Murgeshave të Krygjës Shenjte;  

Giacomo Masarnau Fernández, laik vinçencian, apostull i mëshirës;  

Pasquale Canzii, seminarist, që vdiq në lule të moshës, duke e pranuar me fe të gjallë vullnetin e Zotit;  

Jérôme Lejeune, besimtar laik, mjek i Papëve, kryetar i parë i Akademisë Papnore për Jetën;

Së fundi i njihen virtytet heroike edhe shërbëtores së Zotit Adele Bonolis, themeluese e veprave të asistencës e të rilindjes shoqërore.

22 janar 2021, 13:55