Atë Andrzej Koprowski, drejtor i Programeve të Radio Vatikanit ndërmjet  drejtorit të Programeve të Radio Vatikanit ndërmjet viteve 2003-2013 Atë Andrzej Koprowski, drejtor i Programeve të Radio Vatikanit ndërmjet drejtorit të Programeve të Radio Vatikanit ndërmjet viteve 2003-2013 

Atë Koprowski: “Nga një vend i largët”, në Radion e Papës

Ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, jezuiti polak atë Andrzej Koprowski, për rreth dhjetë vjet drejtor i Programeve të Radio Vatikanit. Pas vitit 1989 rithemeloi, në Poloni, gazetarinë katolike në radion e në televizionin e Shtetit.

R. SH. - Vatikan

Ndërsa shëndeti i tij ishte tejet i ligështuar, u prek nga Covid-19, që i shkaktoi edhe vdekjen. Mbylli sytë sot, në spitalin e Varshavës, atë  Andrzej Koprowski, jezuit polak me origjinë nga Lodz, 81 vjeç marsin e ardhshëm. Nga viti 2003 - deri më 2015, drejtoi Radio Vatikanin, fillimisht si asistent, më pas si Drejtor i Programeve, duke zënë vendin e Atë Federico Lombardit, që u emërua drejtor i përgjithshëm.

Vitet në Poloni

Po kujtojmë shkurtimisht një jetë të gjatë, dhuruar me dashuri të pafundme Zotit, kudo që e thirri të shërbejë. Pasi kreu studimet e Filologjisë në Universitetin e Varshavës, në vitin 1961, hyri në shoqërinë  e Jezusit e, më 1969, u shugurua meshtar. Për dhjetë vjet me radhë, deri në vitet ’79, ishte kapelan i studentëve të ateneut të Lublinit - ku pati mësuar edhe Karol Wojtyla - e më pas, rektor  i kolegjit të teologjisë të Jezuitëve në Varshavë. Në Romë erdhi për herë të parë në vitin 1983, si asistent i përgjithshëm i Jezuitëve për Evropën Lindore. E vijoi këtë mision deri më 1989 kur, me rënien e Murit të Berlinit, nisi stina e rilindjes. E në atë stinë, ati jezuit ishte ndërmjet veprimtarëve protagonistë të vendit të vet, që po dilte nga errësira, në dritë. E që e shoqëroi në këtë shtegtim jo të lehtë.

Nga Rilindja pas-komuniste, në Radio Vatikan

Si u rikthye në atdhe, atë Koprowski drejtoi punën për të ringritur në këmbë informimin katolik, krejtësisht të zhdukur nga regjimi komunist. Qe drejtori i parë për programimin televiziv edhe të emitentes shtetërore. E kreu këtë detyrë deri më 1997, kur Shoqëria e Jezusit i kërkoi të drejtojë, si epror provincial, Jezuitët e Provincës së Polonisë veriore. Në vitin 2003 u rikthye në Romë e, pas dy vjetësh si asistent, u emërua Drejtor i Programeve të Radio Vatikanit. Në redaksinë e emitentes papnore atë Koprowski dha kontributin e tij të çmuar në risintonizimin e informimit shumëgjuhësh me kërkesat e globalizimit, që nisi të trokasë edhe në portën  e gazetarisë vatikanase. Nën drejtimin e tij Radioja e Papës e zgjeroi horizontin, duke i dhënë zë kontinenteve dhe problematikave të tyre të veçanta.

U largua nga Radio Vatikani në vitin 2015, për t’u rikthyer në Poloni, ku vijoi shërbimin në sektorin mediatik si autor artikujsh e përkthyes librash, përveç ushtrimit të shërbimit meshtarak, të rrëfyesit e të drejtuesit shpirtëror.

Atë Lombardi: e kam vlerësuar gjithnjë thellësinë e tij shpirtërore

Atë Koprowski u largua nga Radio Vatikani në vitin 2015, për t’u rikthyer në Poloni, ku vijoi për një kohë të gjatë veprimtarinë në shumë fusha të komunikimit. Për këtë veprimtari  flet, në mikrofonet e Radio Vatikanit,  atë Federico Lombardi, jezuit, të cilin atë  Koprowski e zëvendësoi në Drejtimin e Programeve të Radios së Papës, sot kryetar i Këshillit të administrimit të Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger - Benedikti XVI. Atë Lombardi përshkruan thellësinë shpirtërore të Atë Koprowskit, aftësinë për t’i lexuar ngjarjet në jetën e Kishës e të botës, si dhe pasojat e tyre mbi jetën e njerëzve. Atë Lombardi kujton rolin e tij si bashkëpunëtor, duke nënvizuar, veç të tjerash, edhe miqësinë që e lidhi Koprowskin me Papën Gjon Pali II, aq sa të ftohej disa herë për drekë nga Papa Polak, me të cilin  shkëmbente mendime e informacione.

Pranë shqiptarëve

Duhet kujtuar se ishte nga Etërit jezuitë, që e kuptonte shumë mirë “gjuhën” me të cilën flitej në programin shqip, që asokohe kishte në plan të parë historinë e martirizmit të Kishës shqiptare dhe të Rilindjes së saj. Ishte shumë pranë redaksisë sonë posaçërisht kur në Shqipëri shkelte Papa i dytë, Françesku. Ndoshta sepse historia e Kishës shqiptare i kujtonte  historinë e martirizmit të Kishës së tij.

29 janar 2021, 16:39