Vaksinat, Paglia: edhe për shpërndarjen duhet solidaritet

Përballë problemeve serioze lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës kundër Covid-19, Akademia Papnore për Jetën rithekson me forcë se duhen shmangur nacionalizmat dhe vonesat, sidomos kur është fjala për vendet e varfra. Nevojitet transparencë dhe bashkëpunim.

R.SH. - Vatikan

Sipas Akademisë Papnore për Jetën, në garën për prodhimin e shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit, ka tepër antagonizëm e konkurrencë, me rrezikun e padrejtësive, sidomos për vendet më të varfra. Në një notë, vihen në dukje problemet e rënda, që po shihen kudo në botë dhe kërkohet transparencë e bashkëpunim. Përmendet Mesazhi Urbi et Orbi i Papës Françesku, në ditën e Krishtlindjes, 25 dhjetorin e kaluar, kur Ati i Shenjtë bëri një thirrje të ngutshme: “U kërkoj të gjithëve: krerëve të shteteve, kompanive, organizatave ndërkombëtare, të promovojnë bashkëpunimin dhe jo konkurrencën, dhe të gjejnë një zgjidhje për të gjithë: vaksina për të gjithë, veçanërisht për më të ligështit dhe më nevojtarët në të gjitha zonat e planetit. Në radhë të parë, më të ligështit e më nevojtarët!”

Të kapërcehet logjika e “nacionalizmit të vaksinave”

         Këto fjalë duhen dëgjuar me përgjegjësi nga të gjithë, nga bashkësia e krishterë, nga besimtarët e nga gjithë gratë e burrat vullnetmirë - vërehet në notën e nënshkruar nga imzot Vincenzo Paglia dhe imzot Renzo Pegoraro, kryetar dhe kancelar i Akademisë. Kujtohet se Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor dhe Akademia Papnore për Jetën, më 29 dhjetorin e kaluar, botuan një dokument mbi rëndësinë e vaksinimit dhe mbi mënyrat për t'u siguruar që vaksina të jetë pasuri e përbashkët për të gjithë.

         E, ndër të tjera, u kërkua të kapërcehej logjika e “nacionalizmit të vaksinave”, e kuptuar si përpjekje për të pasur sa më shpejt një vaksinë “kombëtare”, për t’ua dhënë së pari banorëve të atij shteti, që e prodhon.  Duhen promovuar e mbështetur marrëveshje ndërkombëtare, në mënyrë që patentat e vaksinave të mos hyjnë në vorbullën e ligjeve të tregtisë e të kontrollohet edhe çmimi në të ardhmen. Prodhimi industrial i vaksinave duhet të bëhet me bashkëpunim ndërmjet shteteve, kompanive farmaceutike dhe organizatave të tjera, që të shpërndahet në të katër anët e botës, theksohet në notë.

"Jo" vonesave

         Periudha, që po jetojmë, sipas Akademisë papnore, është mundësi e jashtëzakonshme për një të ardhme më solidare. Kjo ka qenë e mundur - të paktën pjesërisht - për punën kërkimore-shkencore, pranohet në notë. Me të njëjtën frymë, duhet realizuar një sinergji pozitive në fushën e prodhimit dhe të shpërndarjes së vaksinave, mbi bazën e parimit të subsidiaritetit. Nuk duhet lejuar që disa vende t'i marrin vaksinat shumë vonë, për shkak të reduktimit të sasisë në dispozicion, sepse shtetet e pasura i kanë prenotuar ato paraprakisht. Shpërndarja e vaksinave kërkon një sërë mjetesh, që duhet të bëhen të ditura dhe të vihen në punë për të arritur qëllimin e mbërritjes së tyre në të gjithë botën, siç është rënë dakord. Në fund të notës, një kujtesë për qeveritë dhe organizatat e Bashkimit Evropian dhe të OBSH-së për të ndërhyrë urgjentisht në këtë drejtim. Në këtë mënyrë, shkruajnë imzot Paglia dhe imzot Pegoraro, thirrja e Papës bëhet konkrete: të gjithë, vëllezër dhe motra!

22 janar 2021, 16:50