San Felice da Nola San Felice da Nola 

Më 14 janar kalendari kujton shën Feliksin, martir

Tregimi i Shën Paolinit nga Nola është dokumenti i parë historik për jetën e Shën Feliksit. Lindi në Nolë, në shekullin III. U persekutua, u burgos e u torturua. Më pas u lirua mrekullisht nga një engjëll. Falë paqes kostandiniane, u rikthye në dioqezë. Këtu, nuk e pranoi selinë ipeshkvnore e jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar bukën e gojës me punën e përditshme, deri në vdekje.

R.SH. - Vatikan

Jetën e Shën Feliksit (në gjuhën shqipe, Gëzim), rrëfyestar e martir, na e tregon Shën Paolini i Nolës, falë të cilit u realizua edhe kompleksi më i famshëm i bazilikave paleokristiane në Çimitile, gjashtë kilometra larg nga Nola, në Italinë jugore. Në këtë vend deri në shekullin II pas Krishtit, ishte një varrezë pagane, pranë së cilës të krishterët e parë të zonës varrosnin të vdekurit e tyre në një ‘cæmeterium’, term nga i cili rrjedh toponimi Çimitile.

Këtu u vendosën edhe reliket e Feliksit, që ka shumë mundësi të ketë vdekur aty nga viti 313. Varri i Shenjtit u bë cak shtegtimesh e mrekullish e edhe i gjashtë bazilikave, kushtuar Shën Feliksit, Shën Shtjefnit, Shën Gjonit, Shën Paolinit, Shenjtorëve martirë e Shën Gaulonit. Këtyre bazilikave, më 1789, iu shtua edhe ajo famullitare, e vendosur mbi zonën arkeologjike, kushtuar edhe ajo Shën Feliksit. 

Zanafilla e këtyre viseve të shenjta kulti e lutjesh lidhet me manastirin, që u ndërtua nga ipeshkvi i Nolës, Shën Paolini, me origjinë nga Bordoja e Francës, i cili në vitin 394 u vendos në Çimitile e ndikoi fuqimisht në zhvillimin e vendit. Pranë ‘monasterium’ u mblodhën shumë miq të ipeshkvit shenjt, që më pas do të bëhej pajtor i Nolës e do t’i kushtohej festa e famshme e Zëmbakëve të Nolës, që kremtohet më 22 qershor. Pasi u bë ipeshkëv i Nolës në vitin 409, Shën Paolini u largua nga manastiri, zgjëroi varrezën e ndërtoi Bazilikën e Re (400-403) e cila më pas u përfshi në bazilikën e Shën Gjonit, që komunikonte, përmes një tuneli me tri harqe, me bazilikën e Shën Feliksit in Pinçis.

Kjo e fundit është më e rëndësishmja nga të gjashtë bazilikat, sepse u ndërtua mbi mbetjet e nekropolit të lashtë të Nolës e sidomos, sepse këtu ruhen reliket e Shën Feliksit, mbyllur në një arkë, në të cilën më pas u vendosën edhe reliket e dy ipeshkvijve të tjerë. Ky vend u bë një ‘martyrium’, me një hyrje, që shërben për kalimin e besimtarëve, të cilët duan të zbresin në varr. Që nga ajo kohë besimtarë të panumërt vijojnë të vizitojnë arkën e relikeve e të vendosin aty pomata, që konsiderohen të mrekullueshme e shërbejnë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, pasi kanë prekur vendin ku ruhet trupi i Shenjtit.  Kaq dimë për Shën Feliksin e për ipeshkvin Shenjt Paolinin i cili, tepër i devoçëm i shenjtit, i kushtoi 14 këngë, që njihen si ‘Këngët e lindjes’, sepse të shkruara më 14 janar, ditë kur Feliksi lindi për qiell. 

Tregimi poetik i Shën Paolinit është dokumenti i parë historik për jetën e Shën Feliksit, dmth e para përmbledhje e traditës gojore, mbledhur nga ipeshkvi në zonë. Sipas kësaj përmbledhje, Feliksi lindi në Nolë, në shekullin III, në një familje të ardhur nga lindja. U persekutua, u burgos e u torturua. Më pas u lirua mrekullisht nga një engjëll, që e çoi në një vend të shkretë (prandaj, edhe pse nuk u martirizua, nderohet si martir).

Falë paqes kostandiniane, Feliksi u rikthye në dioqezë. Këtu, ndonëse u zgjodh pasardhës i ipeshkvit Maksim, nuk e pranoi selinë ipeshkvnore e jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar bukën e gojës me punën e përditshme, deri në vdekje. Për nder të tij kremtohen dy festa me procesione madhështore: e para më 5 janar e e dyta, më 14 janar, kur kremtohet edhe festa e tij liturgjike. Sot, më 14 janar, është dita emrit e gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë, që quhen Gëzim, sepse këtë kuptim ka emri Feliks në gjuhën shqipe.

14 janar 2021, 09:41