Kërko

Sant’Igino, Basilica di san Paolo fuori le mura Sant’Igino, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 11 janar kalendari kishtar përkujton Shën Igjinin, Papë

Shën Igjini, Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin në Zotin. Atëherë kur Barka e Shën Pjetrit kërcënohej nga dallgët e herezisë, me prirjen ta bënte Zbulesën hyjnore një filozofi të thjeshtë fetare, në fronin e Princit të Apostujve u ul një filozof, Igjini, që u përpoq me të gjitha forcat për ruajtjen e tërësisë së mësimit të vërtetë ungjillor.

R.SH. - Vatikan

Më 11 janar martirologu romak përkujton Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin në Zotin.

Për Shën Ingjinin dihet pak e me siguri vetëm se e drejtoi Kishën universale për katër vjet nga viti 138 deri në vitin 142. Mendohet se ishte me origjinë nga Athina. Vdiq gjatë persekutimit të Antonit Pio.  Aty nga fundi i shekullit të 11-të, Shën Ireneu, duke u kthyer nga një udhëtim në Romë, hartoi listën e 12 ipeshkvijve, që pasuan njëri-tjetrin në Selinë romake, duke nisur nga Shën Pjetri deri në ditët e tij.

Igjini ishte i nënti në radhë, i vetmi që mbante këtë emër, pasardhës i Telesforit, që dha një dëshmi të shkëlqyer, domethënë u martirizua nën perandorin Adrian. Libri i Papëve si dhe Martiriologu Romak pohojnë se edhe vetë Igjini pësoi martirizimin më 11 janar të vitit 140 (?), gjatë persekutimit të Antonit Pio dhe u varros pranë trupit të të lumit Shën Pjetër, në kodrën e Vatikanit.  Megjithatë, mund të themi se nuk ka prova të sigurta që Ingjini të ketë vdekur martir. Të tjera ishin meritat e Papës athiniot.

Gjatë papnisë së tij të shkurtër, u pakësuan sulmet e paganëve kundër racës së re të “njerëzve pa atdhe”, siç quheshin të krishterët, ndërsa Kisha u kërcënua nga përhapja e sekteve heretike, në vetë gjirin e saj.

Kështu Igjinit iu desh t’i bënte ballë për katër vjet me radhë, herezisë njostike të Valentinit e të Çedonit, sipas të cilëve, besimtarëve të thjeshtë u mjaftonte feja, ndërsa shkenca, që mund të shpjegojë nivelin filozofik të fesë, u përkiste dijetarëve. 

Igjini, që ishte vetë filozof, i shkishëroi heretikët. Vërejmë se pikërisht atëherë kur Barka e Shën Pjetrit kërcënohej nga dallgët e herezisë, me prirjen ta bënte Zbulesën hyjnore një filozofi të thjeshtë fetare, në fronin e Princit të Apostujve u ul një filozof, që u përpoq me të gjitha forcat për ruajtjen e tërësisë së mësimit të vërtetë ungjillor. 

Duke ndjekur shembullin e Adrianit, që kishte krijuar një aparat efikas burokratik, i cili siguronte mbarështimin e perandorisë së pakufishme romake, ndërhyri në strukturën hierarkike, duke themeluar Urdhrat e vegjël, sepse krijonin mundësinë për t’i shërbyer më mirë Kishës e për t’i përgatitur kandidatët për meshtari, duke i afruar pak nga pak tek Misteret e shenjta. Nga koha e tij arrin deri tek ne edhe prania e nunëve në Sakramentin e Pagëzimit.

11 janar 2021, 09:16