Viti "Famiglia Amoris Laetitia" Viti "Famiglia Amoris Laetitia"

Viti i Familjes: Paglia: aleanca ndërmjet burrit e gruas, pasuri për shoqërinë

Kancelari i Madh i Institutit Teologjik Papnor për Shkencat e Martesës dhe të Familjes bën thirrje për një hov të ri në baritorinë familjare, duke përfshirë më shumë laikët. Prelati nënvizon se forca e lidhjeve familjare ndikon në ruajtjen e strukturës shoqërore: “Të reflektosh mbi familjen do të thotë të flasësh për vetë fatin e njerëzimit”

R.SH. - Vatikan

“T’i jepet hov i ri baritorisë familjare, të rizbulohet familja si pasuri për gjithë shoqërinë dhe të reflektohet mbi shterpësinë e këtij brezi”. Janë të shumta synimet, që përmend imzot Vincenzo Paglia, Kancelar i Madh i Institutit Teologjik Papnor për Shkencat e Martesës dhe të Familjes “Gjon Pali II”, menjëherë pasi Papa Françesku shpalli dje, gjatë Engjëllit të Tënzot të së dielës së fundit të muajit dhjetor, Vitin kushtuar “Familjes Amoris Laetitia”.

Nisma baritore në gjithë botën

 Viti i veçantë, i frymëzuar nga Nxitja Apostolike dhe nga dashuria e mishëruar në Familjen Shenjte, do të fillojë më 19 mars, 5 vite pas botimit të Dokumentit post-sinodal dhe do të përfundojë më 26 qershor 2022, me rastin e Takimit X Botëror të Familjeve. Të shumta, nismat kishtare gjatë këtyre 15 muajve. Dikasteri për Laikët dhe Familjen do t’u japë këshilla për formimin në këtë drejtim dioqezave, famullive, universiteteve, bashkësive kishtare dhe shoqatave familjare. Do të organizohen edhe simpoziume akademike ndërkombëtare, ndërsa në internet, është e hapur që tani një faqe kushtuar vitit, në disa gjuhë. Doracaku i hartuar nga Dikasteri i Vatikanit flet për shumë objektiva, përfshirë mundësinë që “familjet të bëhen protagoniste të baritorisë familjare” dhe të rinjtë “të vetëdijshëm për rëndësinë e formimit në dashurinë e vërtetë dhe në dhurimin e vetvetes”.

Leksioni i pandemisë

Ky reflektim, i cili do të përfshijë të gjithë bashkësinë katolike botërore, bëhet ndërsa pandemia globale e koronavirusit ka nxjerrë në pah rolin e pazëvendësueshëm të institucionit familjar në mirëpritjen, kujdesin dhe ngushëllimin e të gjithë njerëzve. Një mësim, që imzot Vicenzo Paglia nxit të kuptohet më mirë:

 Viti, që Papa dëshiron t’ia kushtojë familjes përkon me shpresën për fundin e pandemisë me anë të vaksinës. Me të vërtetë, gjatë pandemisë, familja, pavarësisht nga kufizimet e saj, dha prova se është realiteti më i qëndrueshëm: ajo arriti t’i ngushëllonte dhe t’i shoqëronte shumë vetë, në një situatë kaq dramatike. Në këtë kuptim, duhet të mësojmë nga ky leksion. Drama e pandemisë na tregoi se askush nuk shpëton i vetëm dhe se të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin, duke filluar nga familja. Kjo përvojë, në dramaticitetin e saj, është leksion i shkëlqyer, që na ndihmon ta kuptojmë më mirë sa e çmuar është familja, si për Kishën, ashtu edhe për shoqërinë.

Reflektimi mbi familjen do të fillojë nga Nxitja Apostolike “Amoris Laetitia”. Cilat janë frytet e këtij dokumenti?

Besoj se këtë vit jemi të thirrur të hyjmë pak më thellë në temat e propozuara nga Nxitja Apostolike. Instituti Papnor “Gjon Pali II” synon të promovojë një punë kërkimore për të kuptuar ç’arritje ka pasur në Kishat lokale, duke u nisur nga “Amoris Laetitia”. Në këto pesë vite ka pasur shumë nisma, që e kanë ripropozuar familjen si vend të jetës së krishterë. Por nuk mjafton të shohim ç’është bërë. Është themelore t’i jepet një shtysë më e fuqishme krejt baritorisë familjare, kuptuar si vend, që duhet të përfshijë gjithë kujdesin baritor. Me pak fjalë, kërkohet që e gjithë baritoria të bëhet “familjare”. Kur Kisha flet për familjen, flet për vetveten.

Papa kujtoi këto ditë se Biri i Zotit e deshi ngrohtësinë e një familjeje, si gjithë fëmijët e, ajo e Nazaretit është model për të gjitha familjet e botës. A mbetet ideali ungjillor i Familjes Shenjte kornizë themelore për gjithë të krishterët?

Papa, në “Amoris Laetitia”, thekson idealin e familjes së dashur nga Zoti që në fillim të krijimit. Tema qendrore është aleanca ndërmjet burrit dhe gruas. Burri dhe gruaja, së bashku - si në familje, ashtu edhe në të gjithë shoqërinë dhe në Kishë - janë të thirrur ta ruajnë gjithësinë e krijuar nga Hyji dhe të përgjigjen për brezat e rinj. Kjo perspektivë ka nevojë për reflektim më të madh si në nivelin teologjik, ashtu edhe në atë baritor. Me një fjalë, kemi nevojë për një “teologji të familjes”, për një reflektim, që lidhet me shkencat humane, pa harruar moralin. Kisha, me reflektimin e saj, i bën një shërbim të çmuar edhe shoqërisë. Kultura bashkëkohore endet në pasiguri: dobësimi i familjes lidhet me dobësimin e shoqërisë. Një shoqëri e çfamiljarizuar çon në shembjen e vetës së parë të numrit shumës, të asaj “ne”, që është baza e çdo shoqërie. Jo rastësisht, Papa përdor termin “vëlla” për të treguar lidhjen universale ndërmjet njerëzve. Enciklikën “Fratelli tutti” nuk mund ta kuptosh pa një vizion të thellë mbi përmasën familjare, që përmbahet në termin “vëlla”.

Ç’nisma janë planifikuar në dioqeza e në famulli për Vitin kushtuar familjes?

Nismat janë të shumta dhe parashikojnë – së bashku me Dikasterin e Laikëve, Familjes dhe Jetës - jo vetëm impenjimin e drejtpërdrejtë për të shpjeguar disa kapituj të dokumentit, por edhe përfshirjen e të gjitha Kishave lokale në reflektimin për kapitujt e ndryshëm të Nxitjes. Fatkeqësisht, i është kushtuar vëmendje vetëm kapitullit të tetë, që flet për kungimin e të divorcuarve të rimartuar, një nga aspektet e problemit. Pyetjet për t’u shtruar këtu janë: pse të rinjtë martohen pak? Pse familjet mbyllen në vetvete? Pse kemi një shterpësi brezi e jo vetëm në lindjen e fëmijëve, por edhe në farkëtimin e shpresës, të kulturës dhe të bujarisë? E pastaj, kemi temën e vështirësisë së dialogut ndërmjet brezave dhe çështjen e të moshuarve. Të gjitha këto duhen diskutuar sipas këshillave, që ka dhënë tashmë dikasteri e që çdo Kishë lokale duhet t’i zhvillojë më tej së bashku me gjithë gratë e burrat vullnetmirë.

28 dhjetor 2020, 17:20