Sandri: të mos i braktisim të vuajturit në këtë pandemi

Iu paraqit Papës Françesku, dosja që përmban ndihmat e jashtëzakonshme të Kongregatës për Kishat Lindore e të Agjencive të Roaco-s, shenjë afërsie me popullsitë e prekura nga Covid-19

R.SH. - Vatikan

“Shenjë shprese në këtë çast të tmerrshëm”. Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, e paraqet me këto fjalë dosjen për ndihmat e jashtëzakonshme të Dikasterit dhe të Agjencive të Roaco-s (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore) për t’i bërë ballë emergjencës së pandemisë. Kjo dosje iu dorëzua Papës Françesku të hënën, më 21 dhjetor, gjatë urimeve të Krishtlindjes për Kurien Romake.

Sinergji ndërmjet agjencive

         Dokumenti raporton për një shumë të jashtëzakonshme, prej më se 9 milion e 500 mijë eurosh (9,574,907.74 €), e cila është shpenzuar për të përballuar nevojat më të domosdoshme në Armeni, Bjellorusi, Bullgari, Egjipt, Eritre, Etiopi, Gjeorgji, Greqi, në Tokën Shenjte, Indi, Iran, Irak, Kazakistan, Liban, Maqedoni, Poloni, Rumani, Sarajevë, Siri, Turqi dhe Ukrainë. “Një përpjekje e Kongregatës dhe e të gjitha agjencive, që i ndihmojnë kishat tona në këtë situatë – pohon kardinali Sandri. - Po flasim për një simbiozë të vërtetë, një sinergji, një harmoni të jashtëzakonshme ndërmjet këtyre organizmave, të bashkuara nga vetëdija se vetëm së bashku mund të dalim nga kjo gjendje”.

Ndihma nga s’e pret

         Ndihma është garantuar pavarësisht nga pasiguria ekonomike, pasi Kishës i kërkohet ta vazhdojë veprën për të shëruar plagët e hapura, edhe nga pandemia. “Dua të theksoj – vëren kardinali Sandri - se pas nesh janë njerëzit, që me bujari, bëjnë çmos për të ndihmuar. Dua t’i përmend ata, që, pavarësisht se nuk kanë mundësi të mëdha, në varfërinë e tyre, me dinjitet të madh, ditën të japin një kontribut për vëllezërit e tyre në nevojë”.

Sinjal i fuqishëm, duke pasur parasysh udhëtimin apostolik në Irak

         Ndër fondet e dhuruara, dallohen ato për Tokën Shenjte, së cilës i janë dhënë gati 3 milion e 500 mijë euro. Vetëm Irakut i janë dhënë 476,153,61 €. “Një sinjal i fortë, - pohon kardinali Sandri - në funksion të udhëtimit të Atit të Shenjtë, nga 5 deri më 8 mars të vitit të ardhshëm. Shpresohet që të jetë një vizitë e paqes, e vëllazërisë, e shpresës në këtë botë kaq të vështirë për t’u jetuar, për shkak të luftërave, konflikteve, persekutimeve dhe terrorizmit”, përfundon prefekti.

23 dhjetor 2020, 08:49