Famija Famija 

Një vit i posaçëm, që të nxisë dëshmimin e dashurisë familjare

Nisma shpirtërore, baritore e kulturore për t’i shoqëruar familjet që të mund t’u bëjnë ballë sfidave të kohës sonë. Propozimi vjen nga Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën, që do t’i ndihmojë famullitë, dioqezat, universitetet e shoqatat në kremtimin e Vitit “Familja Amoris Laetitia”, shpallur nga Papa Françesku, e në thellimin e studimit të Nxitjes apostolike kushtuar pikërisht dashurisë familjare.

R. SH. - Vatikan

Më 19 mars 2021 Nxitja Apostolike “Amoris Laetitia”, kushtuar bukurisë dhe gëzimit të dashurisë familjare, kremton 5-vjetorin e shpalljes. E pikërisht në këtë datë Papa Françesku do të përurojë Vitin “Familja Amoris Laetitia”, që do të përfundojë më 26 qershor 2022, me rastin e takimit X Botëror të Familjeve, në Romë, me praninë e Atit të Shenjtë.

Familja, Kishë shtëpiake

“Përvoja e pandemisë - lexojmë në një komunikatë të Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën - e nxori edhe më shumë në dritë rolin qendror të familjes si Kishë shtëpiake dhe vuri në dukje rëndësinë e lidhjeve ndërmjet familjeve”. Përmes nismave të ndryshme me karakter shpirtëror, baritor e kulturor, të programuara për Vitin “Familja, Amoris laetitia”, Papa Françesku synon t’u drejtohet të gjitha bashkësive kishtare të botës, duke nxitur çdo njeri  të jetë dëshmitar i dashurisë familjare.

Mjetet e formimit, në shërbim të bashkësive

Dikasteri - lexojmë akoma në tekst - do të vërë në dispozicion të famullive, të dioqezave, të universiteteve, të lëvizjeve kishtare e të shoqatave familjare “mjetet e përshpirtërisë familjare, të formimit e të aksionit baritor për përgatitjen për martesë, për edukimin e ndjenjave të të rinjve, për shenjtërinë e bashkëshortëve e të familjeve, që e jetojnë hirin e sakramentit në të përditshmen e tyre. Do të organizohen edhe simpoziume akademike ndërkombëtare për thellimin e njohjes së Nxitjes Apostolike, parë lidhur me tematikat aktuale, që kanë të bëjnë me familjen në mbarë botën.

Një kanal,  në disa gjuhë

Duke pasur parasysh hapjen, më 19 marsin e ardhshëm, Dikasteri vatikanas ka përgatitur një broshurë informative, që gjindet në kanalin kushtuar ngjarjes: www.amorislaetitia.va. I realizuar në pesë gjuhë: angleze, franceze, spanjolle, portugeze e italiane, kanali do të përditësohet me propozime e nisma, që do të ndjekin njëra-tjetrën gjatë këtij viti të jashtëzakonshëm.

Objektivat e Vitit “Familja Amoris Laetitia”

Në Nxitjen e Papës Françesku shprehen edhe objektivat e Vitit. Së pari “ të provohet se Ungjilli i familjes është gëzim, që ta mbush zemrën e jetën”. Objektivi i dytë, kumtimi i vlerës së çmuar të sakramentit të martesës, që “ka në vetvete forcën shndërruese të dashurisë njerëzore”. E akoma, “të bëhet familja protagoniste e baritorisë familjare” e të rinjtë “të vetëdijshëm  lidhur me rëndësinë e formimit për dhurimin e vetvetes”.

Së fundi, ftesa për zgjerimin e punës baritore familjare gjatë vitit, që të mund t’i përfshijë të gjithë anëtarët e familjes.     

27 dhjetor 2020, 13:23