Sheshi i Shën Pjetrit Sheshi i Shën Pjetrit

Në Këshillin e Kardinajve, jeta e Kishës gjatë pandemisë

Dje, pasdite, në orën 16.00, u zhvillua takimi i planifikuar i Këshillit të Kardinajve, i cili, edhe kësaj radhe, u mbajt në formën virtuale, në lidhje internet

R.SH. - Vatikan

Për shkak të gjendjes shëndetësore, takimi i Këshillit të Kardinajve u mbajt dje pasdite në lidhje internet. Kardinajtë Óscar A. Rodríguez Maradiaga, Reinhard Marx, Sean Patrick O'Malley, Oswald Gracias dhe Fridolin Ambongo Besungu u lidhën me Vatikanin, ku ndodheshin kardinajtë Pietro Parolin dhe Giuseppe Bertello, si edhe Sekretari i Këshillit, imzot Marco Mellino. Edhe Ati i Shenjtë mori pjesë në takim, duke u lidhur nga Shtëpia e Shën Martës. Njoftimi u dha nga Salla e Shtypit e Vatikanit.

“Pas një përshëndetje të shkurtër nga ana e Papës Françesku – lexohet në komunikatë – u paraqit anëtari i ri i Këshillit, kardinali Ambongo Besungu, kryeipeshkëv metropolit i Kinshasës. Gjatë takimit u fol për jetën e Kishës në kontinente të ndryshme, veçanërisht për gjendjen aktuale shëndetësore”. “Sekretari i Këshillit përmblodhi hapat e ndërmarra në hartimin e tekstit të Kushtetutës së re Apostolike, ndërsa janë në studim e sipër vërejtjet, amendamentet dhe propozimet, që kanë bërë Dikasteret e pyetura gjatë muajve të kaluar”. Në notë njoftohet edhe se takimi i ardhshëm i kardinajve, që ndihmojnë Papën në administrimin e punëve të Kishës, do të mbahet në muajin shkurt të vitit 2021.

02 dhjetor 2020, 09:40