2020.12.15 home page Vaticannews in lingua Ebraica 2020.12.15 home page Vaticannews in lingua Ebraica

Me hebraishten, Vatican News i flet botës në 36 gjuhë

Pasurohet portali i informacionit të Selisë së Shenjtë, i cili, që sot, ofron lajme edhe për lexuesit e gjuhës hebraike. Patriarku Pizzaballa: “Është gjuhë simbolikisht e rëndësishme për ne të krishterët”

R.SH. - Vatikan

Që sot, Vatican News flet edhe në hebraisht. Portali multimedial i informacionit të Selisë së Shenjtë, përuruar tre vite më parë, hap një faqe të re në internet, që i bën 36, gjuhët në të cilat shprehet e përforcohet impenjimi për ta çuar fjalën dhe dëshminë e Papës kudo në botë, duke treguar njëkohësisht, edhe jetën e Kishës universale në vende të ndryshme. Hebraishtja, shkruan Patriarku Latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, në një mesazh me rastin e pranisë së kësaj gjuhe në portalin e Vatican News, nuk është - siç mund të mendohet - vetëm “një gjuhë më shumë ndërmjet të tjerave”.

Hebraishtja, pohon Pizzaballa, “është simbolikisht e rëndësishme për ne të krishterët, sepse është një nga gjuhët në rrënjët e historisë së Kishës: së bashku me greqishten dhe aramaishten, është gjuha e Shkrimeve të Shenjta”. Sigurisht, shton ai, “faqja është në hebraishten bashkëkohore, gjuhë e ringjallur në epokën moderne, por e lidhur drejtpërdrejt me gjuhën e Patriarkëve, të Profetëve dhe të Mbretërve të kohërave të lashta dhe të popullit hebraik të kohës së Jezusit”.

 Patriarku Latin i Jeruzalemit përvijon përpjekjet e bëra nga Kisha kohët e fundit, që nga Koncili II i Vatikanit, për të përforcuar marrëdhëniet miqësore me popullin hebraik e për të kontribuar në “përmirësimin e botës”. Prelati kujton çaste simbolike, si vizitat e Papëve të fundit në sinagoga në anë të ndryshme të botës, takimet me përfaqësuesit e popullit hebraik, vizitat në Tokën Shenjte, në Murin Perëndimor dhe në Yad Vashem, memoriali i Holokaustit.

 Papa Françesku u është drejtuar shpesh popujve të zonës dhe udhëheqësve të tyre, duke kërkuar, jo vetëm në emër të Kishës, një impenjim të ri për zgjidhjen e konflikteve rajonale, që nuk e lejojnë zonën të jetojë në drejtësi, paqe dhe begati. “Edhe për këtë arsye - shkruan Pizzaballa – ka rëndësi që ftesa për pajtim dhe falje të jehojë edhe në hebraisht”.

Në të vërtetë, gjuha hebraike nuk është krejt e re në botën e komunikimit të Selisë së Shenjtë: pati debutuar në faqen e internetit të Radio Vatikanit në tetor 2010, me rastin e Asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, e mbeti deri në dhjetor 2017. Sot, përurohet një epokë e re, falë angazhimit dhe bashkëpunimit të Patriarkatit Latin dhe të Vikariatit të Shën Jakobit të Jeruzalemit.

17 dhjetor 2020, 10:54