Predikimi i Kohës së Ardhjes Predikimi i Kohës së Ardhjes 

Krishtlindja është “Sakramenti” i varfërisë

Ardhja e Krishtit në botë e në çdo shpirt e fytyra e Tij e përvuajtur prej “të varfëri”, është themel i dashurisë për të vobegëtit, që karakterizon Kishën. Këtë theksoi predikatari i Shtëpisë papnore, kardinali Raniero Cantalamessa në predikimin e tretë e të fundit të Kohës së Ardhjes, mbajtur në Sallën e Palit VI, në praninë e Papës.

R. SH. - Vatikan

Në Krishtlindje kremtohet “sakramenti” i varfërisë e, duke pasur parasysh edhe kufizimet e kohës, i lartohet Zotit lutja “që ta ringrejë në këmbë njerëzimin  e lodhur e të këputur nga prova tejet e gjatë e pandemisë”.

“Fjalë të forta - kujtoi kardinali Cantalamessa - por themelore”. E kështu, në Predikimin e tretë të mbajtur sot paradite, 18 dhjetor, në Sallën e Palit VI, në praninë e Papës Françesku, predikatari i shtëpisë papnore rikujtoi skenën e Kohës kur erdhi Zoti, Marinë e Jozefin që nuk u përbujtën askund e u detyruan të strehoheshin në një shpellë. Duket se po kjo ngjet edhe sot. Se edhe sot për të varfërit nuk ka vend në hotelin e botës. Ndërsa historia vijon të tregojë përkrah kujt ishte Zoti e përkrah kujt është Kisha. T’u hapësh krahët të varfërve, do të thotë të imitosh përvujtërinë e Zotit.

“Erdhi të banojë mes nesh”: kjo, tema e Predikimit të së Premtes së tretë të Kohës së Ardhjes. Nisi pikërisht me britmën e trishtë të Gjon Pagëzuesit: “Mes jush është njëri, që ju nuk e njihni!”.

Nuk jemi vetëm në shtjellat e stuhisë: me ne është Zoti

E vijoi me një britmë tjetër, që i preku e i prek thellë zemrat. Me atë, që ushtoi nga Sheshi i Shën Pjetrit, në botën mbarë - kujtoi më pas prediktari - mesazhin e paharrueshëm Urbi et Orbi të 27 marsit. Pasi pati lexuar Ungjillin e stuhisë së fashitur, Ati i Shenjtë bëri pyetjen: “Ç’do të thotë fepaktë”, fjalë që Jezusi e pati përdorur për t’i qortuar dishepujt. Duke kujtuar, më pas, se..

“…ata nuk kishin pushuar kurrë së besuari në Të. E as s’iu luturi. Por si i luteshin? ‘Mësues, nuk të bëhet vonë fare kur shikon se ne jemi të humbur? Nuk do t’ia dish për ne? Mendojnë se Jezusi nuk kujdeset për ta e aq i bën se po mbyten”.

Ndërmjet nesh, në familjet tona, një nga gjërat që të dhemb më shumë, është kur dëgjon të thuhet “Nuk  të bëhet fare vonë për mua!?”. Fjalë që hap plagë e shpërthen stuhi ndër zemra:

“Duhet ta ketë tronditur thellë edhe Jezusin. Sepse askush nuk kujdeset për ne më shumë se Ai”.

Ne, dishepujt e sotëm - vijoi predikatari - përsërisim të njëjtin gabim, që patën bërë Apostujt, e meritojmë të njëjtin qortim nga ana e Zotit, nëse gjatë stuhisë së tmerrshme, që po shfryn mbi botën me pandeminë,  harrojmë se nuk jemi vetëm, në barkën që tundet e  shkundet nga dallgët.

Krishtlindja na e zgjeron horizontin

Festa e Krishtlindjes na krijon mundësitë ta zgjerojmë horizontin: nga Deti i Galilesë, në mbarë botën; nga apostujt, tek ne:

“Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne. Zoti është me ne, domethënë përkrah njeriut, miku e aleati i tij kundër forcave të së keqes”.

Duhet të rigjejmë kuptimin e parë e të thjeshtë të mishërimit të Fjalës, përtej të gjitha shpjegimeve teologjike e dogmava, që u krijuan mbi Të. Zoti erdhi të banojë mes nesh! Është Zoti-me-ne. Ai, që e pati profetizuar Izaia:

“Ja, Virgjëra ka për të zënë në kraharor e ka për të lindur një djalë, të cilin kanë për ta quajtur Emanuel, që do të thotë: “Zoti-me-né”.

Këtë theksoi predikatari, duke kujtuar, më pas, të gjitha diskutimet kristologjike të shekullit V - që nga Efezi e Kalçedonia, për të rigjetur paradoksin e shkandullin në pohimin “Zoti u bë njeri!”. E kjo sepse shkrirja e njerëzores me hyjnoren në Vetjen e Krishtit, ishte më e madhja risi e mundshme.

Zoti është dashuri - vijoi predikatari - është përvujtëri.  Zoti bëhet i vogël, për të na lartuar ne të gjithëve. E në këtë kuptim, vërtet i përvujtë është vetëm Zoti.

Britma e Gjon Pagëzuesit vijon…

Gjon Pagëzuesi - kujtoi Predikatari - na la detyrën profetike: të vijojmë   britmën që pati jehuar në brigjet e Lumit Jordan:

 “Në mes jush është  një, që ju nuk e njihni! Ai shpalli profecinë e re, që nuk është thjesht kumtim i shëlbimit të ardhshëm, por zbulesë e pranisë së Krishtit në histori: ‘Unë jam me ju për gjithë ditë, deri në fund të fundit të botës!”.

Krishti nuk është i pranishëm në histori vetëm pse shkruhet e flitet  vazhdimisht për Të, por pse u ngjall e jeton sipas Shpirtit Shenjt. Jeton realisht. Prej këtu nis ungjillëzimi. Nis Kisha!

Papa, atë i të varfërve

“Kisha e Krishtit - kujtoi kardinali Cantamessa - është pambarimisht më e madhe se ajo që tregojnë numrat e statistikat. E ky nuk është triumfalizëm i kotë! Askush, përveç Jezusit, nuk tha deri më sot: “Gjithçka të bëni vetëm për njerin nga këta vëllezër të mi më të vegjël, ma keni bërë mua! E  vëllai më i vogël nuk është besimtari në Krishtin, por çdo njeri që jeton  në mbarë botën”.

Prej këndej edhe roli i Papës, që është “atë i të varfërve” e, me të, edhe i barinjve të Kishës. “Etër të të varfërve! Të gjithë, e posaçërisht  Kryebariu, i cili ulet sot në fronin e Shën Pjetrit”.

18 dhjetor 2020, 12:40