Kongregata për Edukimin Katolik miraton tre Udhëzues të rinj

Normat e reja kanë të bëjnë me institucionet e arsimit të lartë dhe rregullojnë bashkimin, shkrirjen dhe përfshirjen e tyre. Imzot Zani: duam t’u përgjigjemi sfidave të sotme, që sistemi i studimeve kishtare të ndjekë nxitjen e Kishës për një frymë të re misionare

R.SH. - Vatikan

Tre Udhëzues, në vazhdën e Kushtetutës Apostolike “Veritatis Gaudium” për universitetet dhe fakultetet kishtare, miratuar nga Papa Françesku, më 8 dhjetor 2017: këto janë dokumentet, që publikoi sot Kongregata e Vatikanit për Edukimin Katolik. Ato synojnë t’i përgjigjen nevojës për krijimin e një rrjeti, që bashkon institutet kishtare të arsimit të lartë, për t’iu përgjigjur kërkesave të misionit të Kishës.

Ndryshimet

          Dokumentet e Kongregatës për Edukimin Katolik përqendrohen në tri fjalë kyçe: bashkimin, shkrirjen dhe përfshirjen e Instituteve. Janë tre ndryshime të rëndësishme, përmes të cilave universitetet e fakultetet kishtare mund të bashkohen, të shkrihen njëri tek tjetri, ose të përfshihen në institucione të tjera arsimore, duke u bërë degë e tyre. Dekreti me të cilin dikasteri vatikanas për edukimin katolik jep lejen për këtë vlen 5 vite - ad quinquennium experimententi gratia - të cilat mund të rinovohen për 5 vite të tjera, ose të revokohen. Udhëzuesit hyjnë në fuqi në ditën e parë të vitit akademik 2021-2022, ose të vitit 2022, sipas kalendarit akademik të rajoneve të ndryshme.

Për një Kishë, që u përgjigjet sfidave të sotme

          Sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik, imzot Vincenzo Zani, shpjegon kuptimin e këtyre ndryshimeve për Institucionet kishtare të arsimit të lartë:

          Kemi mbi 500 institucione kishtare, 120 janë fakultete kishtare - teologji, filozofi, e drejtë kanonike e fakultete të tjera - e pastaj, kemi rreth 400 institute të përfshira, të bashkuara dhe të shkrira në të tjera. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që fakultetet kishtare kanë një sistem studimesh të ngjashëm me atë civil, pra, organizohen në tre cikle studimesh. Cikli i parë përfundon me titullin e bakalaureatit, cikli i dytë me titullin e licencës dhe cikli i tretë me titullin e doktoraturës. Pra, kemi 120 fakultete, por në gjithë botën kemi edhe institucione të tjera që janë bashkuar me universitetet tona, janë përfshirë, ose shkrirë me to. Institutet, degë e universiteteve tona, kanë vetëm ciklin e parë, ndërsa institutet e bashkuara mund të japin jo vetëm bakalaureatin, por edhe licencën; nga ana tjetër, institutet e shkrira me universitetet tona, që janë pak e tejet të specializuara, japin një diplomë të ciklit të dytë, ose të tretë. Këto institucione kanë si pikë referimi fakultetet, prandaj janë nën përgjegjësinë e tyre, por, meqë kemi rinovuar gjithë sistemin e studimeve, gradualisht, po miratojmë norma edhe për to.

          Risia është se këto norma janë shkruar gjithmonë në latinisht, por në këto kohë duhet të përdorim gjuhët moderne e, sidomos, duhet të marrim parasysh se cilësia e institucioneve universitare është rritur. Udhëzimet janë shumë konkrete kanë të bëjnë me mësuesit, me kualifikimin që duhet të kenë. Meqenëse institutet e lidhura me universitetet janë kryesisht seminaret e mëdha, normat bëjnë dallime për formimin e meshtarëve dhe rregulltarëve të ardhshëm. Formimi i tyre i referohet “Ratio Fundamentalis”, në kompetencë të Kongregatës për Klerin. Ne ndjekim studimet e tyre, prandaj i udhëzojmë seminaret që ta ndajnë formimin seminaristik nga studimet e mirëfillta, që lidhen me fakultetet kishtare. Lidhje në rrjet do të thotë edhe shmangie të përsëritjeve. Në Romë, për shembull, kemi shumë fakultete teologjie, filozofie dhe të së drejtës kanonike. Duhen shmangur përsëritjet e duhen vënë më tepër në dukje institucionet më të specializuara. Është punë, që e kemi filluar prej vitesh e normat e reja do të na ndihmojnë për këtë. Universiteti Papnor Urbanian ndodhet në Romë, por ka 110 institute në Afrikë e në Azi, që i konsideron degë të tij. Kjo është mënyrë shumë e mirë për të punuar në rrjet, në bashkëpunim me Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve.

09 dhjetor 2020, 15:53