Cardinale Angelo Comastri Cardinale Angelo Comastri 

Comastri: Krishtlindja, simbol i lumturisë

Në parathënien e një vëllimi të sapo dalë nga Shtypshkronja vatikanase, që përmbledh homeli kushtuar Lindjes së Jezusit, mëkëmbësi i Papës për Qytetin e Vatikanit, kardinali Comastri, kujton gëzimin që sjell Krishti Fëmijë. E sa nevojë ka për këtë gëzim, bota e tmerruar nga pandemia!

R.SH. - Vatikan

Mesazhi paradoksal i Krishtlindjes! Kështu shprehej për Krishtlindjen, në shekullin IV pas Krishtit, Anfiloku i Ikonios, murg që jetoi në Kapadokie, ndërsa meditonte për ngjarjen e Betlehemit. Meditim, që mund ta lexojmë në një vëllim të ri, të sapo dalë nga Shtypshkronja e Vatikanit. Në qendër të këtij vëllimi janë dy predikime të këtij murgu, titulluar “Zoti do të vijë e do të na shpëtojë”. Parathënia e librit është e kardinalit Angelo Comastri, sipas të cilit, homelitë e ruajnë akoma freskinë e jashtëzakonshme të kohës, kur u shkruan.

Kohë dhune, lufte, rrënimi të familjeve, egoizmi, etjeje për para, prona, sundim… Kohë e largët – por që i ngjet si dy pika uji kohës në të cilën fatet e botës, që i ka provuar të gjitha këto të zeza, varen nga një virus i padukshëm, që s’kapet dot e mbjell vdekje, njëlloj e më keq se në shekullin e largët të katërt pas Krishtit.

Paradoksi vijon - ndaj kemi aq shumë nevojë për Krishtlindjen - shkruan kardinali Comastri - Posaçërisht ne, të krishterët, në një shoqëri e cila jeton kundrakrishtlindjen e, prej këndej, nuk e di ç’do të thotë lumturi.

Pa mirësi, nuk ka Krishtlindje

Krishtlindja – pohon akoma Kardinali - është “shenjë dalluese e lumturisë”. Është gurrë drite e shprese, pavarësisht nga telashet e përditshme. Me fjalë të tjera, na tregon rrugën, rrugën e mirësisë”. Nganjëherë nuk duhet shumë mundim për ta përshkuar - vëren kardinali Komastri - duke cekur edhe tematikën e librit “Ti zbret nga yjet”, botuar nga San Paolo. "Mjafton një gjest, një mesazh, një telefonatë për ta bërë të lumtur njeriun. Sidomos të vetmuarin! Në një botë ku vetmia është një nga vuajtjet më të tmerrshme, edhe më e mbrapshtë se pandemia”.

Mëkëmbësi i Papës për Qytetin e Vatikanit  mendon  se duhet të bëjmë një hap drejt të tjerëve! “Se nuk mund të mbyllemi në skutat e egoizmit tonë”. Duajeni njëri tjetrin, ashtu si ju desha unë ju – na kujton urdhërimi i lumturisë. “Pa mirësi - përfundon kardinali Comastri - nuk ka Krishtlindje! Për ta kremtuar, duhet guxim! Duhet bërë një hap, që mund ta ndryshojë gjithë jetën. Hap, i cili të tregon ku mund ta gjesh sekretin e lumturisë!”.

26 dhjetor 2020, 12:32