Papa e krerë të tjerë të krishterë Papa e krerë të tjerë të krishterë

Koch: Doracak për promovimin e bashkimit ndërmjet të krishterëve

Këshilli Papnor për Bashkimin e të Krishterëve boton “Doracakun ekumenik”, një dokument të pasur me këshilla praktike në mbështetje të misionit të ipeshkvijve për promovimin e bashkimit ndërmjet të krishterëve

R.SH. - Vatikan

“Detyrë e detyrim”, jo veprimtari anësore apo “opcionale” e shërbesës së ipeshkvijve. Këtë natyrë ka promovimi i bashkimit ndërmjet të krishterëve, siç kujtohet qartë në dokumentin e sotëm të Këshillit Papnor përkatës. “Ipeshkvi dhe bashkimi i të krishterëve: doracak ekumenik”: ky, titulli i kontributit të përgatitur nga dikasteri vatikanas dhe i miratuar nga Papa, me synimin për t’i ndihmuar barinjtë e Kishës, duke u dhënë përgjigje disa pyetjeve të një takimi të disa viteve më parë. Këtë mision të veçantë ekumenik e përmend edhe vetë Papa Françesku në letrën me rastin e 25-vjetorit të enciklikës “Ut unum sint” (1995), ku uron që Doracaku, i cili pa sot dritën e botimit, t’i inkurajojë e t’i udhëzojë ipeshkvijtë në impenjimin e tyre ekumenik.

“Sfidë për katolikët”

         Teksti ndahet në dy pjesë, njëra kushtuar promovimit të ekumenizmit, tjetra, marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve. Në pjesën e parë, puna drejt unitetit konsiderohet “sfidë për katolikët” dhe ipeshkvi shihet si “njeri i dialogut, që promovon angazhimin ekumenik”, përgjegjës për nismat në këtë fushë. Më tej, përvijohen mënyrat e formimit, fushat e zhvillimit të tij, mjetet e nevojshme për promovimin e tij dhe disa “këshilla praktike”, si parashikimi i një kursi të detyrueshëm për ekumenizmin në të gjitha seminaret dhe në të gjitha fakultetet teologjike, ose publikimi i dokumenteve dhe i materialeve mbi këtë temë në faqen dioqezane të internetit.

Gati për hapin e parë

         Pjesa e dytë e quan lëvizjen ekumenike si “një dhe të pandashme”, megjithëse me “forma të ndryshme sipas përmasave të jetës kishtare”. Flitet për “ekumenizmin shpirtëror”, pra, për nevojën e lutjes me të krishterët e tjerë, për mundësinë e çasteve të përbashkëta gjatë festave dhe kohëve liturgjike, për një kalendar të përbashkët, që jep mundësinë e përgatitjes të gjithë të krishterëve, pavarësisht nga tradita, për kremtimet e rëndësishme. Pastaj flitet për “dialogun e bamirësisë” dhe për nxitjen e kulturës së takimit, për të cilën katolikët, thuhet në tekst, “nuk duhet të presin afrimin e të krishterëve të tjerë”, por të bëjnë hapin e parë. Më tej, reflektohet mbi “ekumenizmin baritor”, mbi misionin, katekizmin e jetën sakramentore, për të arritur në “ekumenizmin praktik” e në “ekumenzimin kulturor”.

         Në një intervistë për mediat e Vatikanit, kryetari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, kardinali Kurt Koch, tregon si lindi ky dokument e cili është qëllimi i tij:

Doracaku Ekumenik lindi nga një kërkesë e anëtarëve të Këshillit tonë Papnor, në vitin 2016. Ndihej nevoja e një dokumenti të shkurtër, që mund të inkurajonte, të ndihmonte dhe t’i udhëzonte ipeshkvijtë katolikë në shërbimin e tyre për promovimin e unitetit. Përveç kësaj, me botimin e këtij Doracaku Ekumenik deshëm të kremtojmë 25-vjetorin e enciklikës “Ut unum sint”, si edhe 60-vjetorin e themelimit të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve.

A mund ta na thoni diçka për përmbajtjen?

Dokumenti ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë, e titulluar “Promovimi i ekumenizmit në Kishën Katolike”, përcakton ç’kërkohet nga Kisha Katolike për përmbushjen e misionit të saj ekumenik. Prandaj, ka në qendër strukturat dhe njerëzit aktivë në fushën ekumenike, në nivelet dioqezane dhe kombëtare, formimin ekumenik dhe përdorimin e mediave dioqezane. Pjesa e dytë, e titulluar “Marrëdhëniet e Kishës Katolike me të krishterët e tjerë”, shqyrton katër mënyra me të cilat Kisha Katolike bashkëvepron me bashkësitë e tjera të krishtera. Mënyra e parë është ajo e ekumenizmit shpirtëror, i cili është “shpirti i lëvizjes ekumenike”, siç thotë Koncili II i Vatikanit. Doracaku thekson në veçanti rëndësinë e Shkrimit Shenjt, të “ekumenizmit të shenjtorëve”, të “ekumenizmit të gjakut” e të pastrimit të kujtesës. Pastaj vjen “dialogu i bamirësisë”, i cili promovon “kulturën e takimit” në nivelin e kontakteve dhe të bashkëpunimit të përditshëm. Pason “dialogu i së vërtetës”, i cili i referohet dialogut teologjik me të krishterët e tjerë. Së fundi, kemi “dialogun e jetës”. Me këtë shprehje nënkuptohen mundësitë për shkëmbim dhe bashkëpunim me të krishterët e tjerë, në tri fusha kryesore: kujdesi baritor, dëshmia në botë dhe kultura.

04 dhjetor 2020, 16:49