Kërko

Kardinali Pietro Parolin në Spitalin  e Krishti Fëmijë Kardinali Pietro Parolin në Spitalin e Krishti Fëmijë 

Kardinali Parolin çon në Spitalin Bambino Gesù përshëndetjen dhe përqafimin e Papës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ishte, dje pasdite, në Spitalin e Krishtit Fëmijë, selia e Gianicolos.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin shkoi, dje pasdite, në selinë e Gianicolos të Spitalit të Krishtit Fëmijë, i pritur nga drejtoresha Mariella Enoc. Hirësia e Tij u lidh menjëherë virtualisht me bashkësinë e spitalit, për t’i bërë urimet për Krishtlindje, nga ana e tij dhe e Atit të Shenjtë.

“Falënderojmë Zotin - tha kardinali, duke i shikuar në monitor mjekët, infermierët e rregulltarët e lidhur përmes internetit - që janë këto mjete, të cilat na krijojnë mundësinë të lidhemi me njëri-tjetrin, pavarësisht nga pandemia. Pandemia e kufizoi mundësinë për t’u takuar, por do të më vinte thellësisht keq, nëse nuk do të mund ta realizoja këtë takim tradicional. I përshëndes e i përqafoj një nga një të gjithë ata, që janë të lidhur, duke  u përcjellë edhe përshëndetjen e përqafimin e Papës Françesku”.

Kardinali i falënderoi punonjësit për punën “bujare, të ndërgjegjshme, kompetente, të kujdesshme e shpesh edhe të heshtur, që bëjnë” duke vlerësuar në mënyrë të posaçme  “përgjigjen e gatshme e të frytshme të spitalit gjatë pandemisë, përgjigje që u bë e mundur falë ‘punës së shkëlqyer’, që bëhet çdo ditë në këtë spital, i cili i ka të gjitha burimet ‘njerëzore e shpirtërore’ për të luftuar kundër sëmundjes së Covid  dhe  sëmundjeve të tjera, që i bëjnë fëmijët të vuajnë”.

Lidhur me këtë, Sekretari i Shtetit kujtoi mesazhin e shkruar nga njëri prej fëmijëve të spitalit, në një vizatim, që Kardinali kujtoi se e ruan në studion e tij. Në vizatim skicohen të sëmurët e vegjël, poshtë të cilëve spikat shkrimi: “Lutja jonë është më e fortë se virusi”.

Para urimeve virtuale, kardinali Parolin u takua personalisht, së bashku me  drejtoreshën Enoc dhe dukeshën Maria Grazia Salvati, me një grup të vogël mjekësh, që morën pjesë, pa u trembur as nga vdekja, në betejën kundra Covid-19.

“Përballë një situate të paparë, e të paqartë - u tha Kardinali - ju, falë aftësive tuaja, i dhatë përgjigjen e duhur sëmundjes”. Përgëzime për këtë rezultat - shtoi - falë  edhe punës së koordinimit nga ana e drejtoreshës Enoc. Spitali Bambin Gesù diti të japë ç’kish më të mirë, në këtë situatë të keqe, sepse ju - nënvizoi Kardinali duke iu drejtuar  mjekëve -  jeni mësuar të jepni gjithçka mundeni, në çdo çast të vitit. Nga angazhimi i përditshëm lind edhe aftësia për t’iu përgjigjur të gjitha emergjencave. Zoti i bekoftë përpjekjet tuaja!”.  

Krishti Fëmijë – e fëmijët shqiptarë

Vizita e kardinalit Pietro Parolin në Spitalin romak të Krishtit Fëmijë, një nga spitalet pediatrike më të mira në botë, na kujton se kjo qendër ku mbrohet jeta e mijëra fëmijëve, nuk është aspak e panjohur edhe për fëmijët shqiptarë, që kanë fatin të mjekohen këtu. Vijnë të sëmurë e dalin të shëruar. E ndiqen nga personeli i Spitalit, që i ka gjithnjë të hapura dyert për të varfërit më të varfër, edhe pasi largohen, derisa e rifitojnë plotësisht shëndetin!  

23 dhjetor 2020, 14:50