Presepe, Giotto Presepe, Giotto 

Krishti Fëmijë u sjell shpresё e paqe njerëzve vullnetmirë

Në Ungjill, që është shkruar rreth 70 vjet pas lindjes së Krishtit, tregimi mbi lindjen e Jezusit është i thjeshtë, i treguar me pak fjalë. Por më vonë u krijuan shumë gojëdhëna prekëse për Foshnjen e grazhdit e për Nënën e tij Hyjnore. E shumë më vonë lindi edhe Betlehemi i parë. Sipas “ Liber Pontificalis” ( I, fq.129 ) duhet të ketë qenë Papa Telesfori ai që kremtoi per herë te parë Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes.

R.SH. - Vatikan

Jemi afër Krishtlindjes e feja jonë na ndihmon të shohim se Ai që po vjen  - Jezu Krishti është Biri i Hyjit. Hyj prej Hyji, dritë prej drite, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë; është Hyj që, kur përmbushën kohët, merr natyrën njerëzore për shëlbimin tonë e lind në Betlehem nga Virgjëra Mari. Gjithë kjo do të thotë Lindje e Shëlbuesit.

Krishtlindja e misteri i lindjes së Zotit 

Nga Krishtlindja fillon misteri i shëlbimit e prandaj duhet t’i përgatisim zemrat për ardhjen e Shëlbuesit Jezus, që do të vijë rishtas në mbarimin e botës, por që tashmë ka ardhur në Betlehem: këtë kremtojmë për Krishtlindje, Birin e Hyjit që lind si njeri. Pra, Krishtlindja është festa e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit. Kremtohet me 25 dhjetor. Emri i festës vjen nga gjuha latine: “Natale” ose “Natalis Domini”, që do të thotë “Lindja” ose “ Lindja e Zotit”. Prej këndej rrjedhin të gjitha emërtimet që iu dhanë festës në gjuhët neolatine.

Krishtlindja në traditën apostolike

Në traditën apostolike nuk kemi të dhëna të sakta për ditën kur lindi Jezusi. Kremtimet e para liturgjike, për të cilat bën fjalë tradita apostolike, janë ato të Pashkëve e të Rrëshajëve. Sipas “ Liber Pontificalis” ( I, fq.129 ) duhet të ketë qenë Papa Telesfori ai që kremtoi per herë te parë Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes. Ndonëse tradita nuk e ka te qartë datën e saktë të Lindjes së Krishtit, në ndryshim nga Pashkët, Krishtlindja kremtohet në të njëjtën datë: më 25 dhjetor. Për herë të parë festa nisi të kremtohej në Romë. Pas Romës, duke filluar nga Armenia e duke vazhduar në Afrikë, Gali, Mesopotami, Kostandinopojë - Krishtlindja u bë një nga festat më të mëdha e më të bukura botërore. Rreth vitit 350 pas Krishtit tashmë kremtohej në të gjithë botën e krishterë.

Nuk është diçka e rastit që ky kremtim përputhet me solsticin dimëror “Natalis Solis Invicti”, që dikur ishte festa më e madhe pagane. Kështu kulti i diellit që e shikojnë sytë tanë, shndërrohej në kultin e një drite më të shkëlqyer, me një kuptim shumë më të thellë shpirtëror: Hyjnia e Krishtit i zbulohet barinjve përmes një drite të mbinatyrshme; një yll i ndritshëm udhëheq Mbretërit Dijetarë, drita pushton zemrat duke i mbushur me gëzim dhe i shtyn barinjtë të nisen udhës së Betlehemit. Në viset shqiptare Kërshëndella zevendësoi të kremten e lashtë pagane të Natës së Buzmit. Krishtlindja - është festa e gëzimit, e ngrohtësisë, e dritës.

Krishtlindja në Ungjill

Në Ungjill, që është shkruar rreth 70 vjet pas lindjes së Krishtit, tregimi mbi lindjen e Jezusit është i thjeshtë, i treguar me pak fjalë. Por më vonë u krijuan shumë gojëdhëna prekëse për Foshnjen e grazhdit e për Nënën e tij Hyjnore. E shumë më vonë lindi edhe Betlehemi i parë. Idenë për të përsëritur skenën e lindjes së Krishtit e pati Shën Françesku me 1223 në Greçio (Asizi).

Piktori i shquar italian Gjoto e përjetësoi këtë ngjarje në një nga afresket e tij, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Asizi. Ishte gati si një shfaqje që përsëriste çdo vit ngjarjen e madhe. Shfaqja fillonte me një kor engjëjsh, vazhdonte me këngët e vallet e barinjve. Prej këndej e kanë zanafillen këngët e panumërta popullore të Krishtlindjes në letërsinë botërore e në atë shqiptare, që do të na shoqërojnë udhës së Betelehemit e prej këndej, edhe veprat dramatike kushtuar festës.

Foshnjen Hyjnore - Jezusi në Shpellen e Betlehemit 

Në gjysëm errësirën e Kishës, pranë Shpelles së Betlehemit që ndriçohet vetëm nga qirinjtë e nga dritëzat, të cilat ndizen e shuhen, fëmijët sodisin të mahnitur Foshnjen Hyjnore - Jezusin e këndojnë këngët e së kremtes ose recitojnë vargje kushtuar Birit të Zotit, që lind në një grazhd, mbi kashtë, që vjen të na sjellë gëzimin, paqen!

 Si mund ta dëshmojmë sot Krishtlindjen?

Jezusi vjen të na shëlbojë. Vjen të na çlirojë nga mëkatet tona e secili nga ne mund e duhet të bëjë rrëmimin e ndërgjegjes së vet lidhur me familjen, me vendin e punës, me lagjen e me gjithë shoqërinë, për të kujtuar në se duhet të pajtohet me ndokënd, sepse koha e Krishtlindjes është koha më e përshtatshme për të falur e për të krijuar atmosferë plot harmoni. Secili nga ne, në sa mendon t’i bëjë dhurata familjarëve e miqve, nuk duhet t’i harrojë të varfërit, të pastrehët, ata që s’kanë ç’të hanë, që s’kanë punë, ose që kremtojnë vetëm, larg vatrave të tyre, sepse janë detyruar të emigrojnë.

Kjo është kohë për solidaritet, sepse shpirti i Krishtlindjes është pikërisht dashuria, bamirësia, solidariteti ndërmjet të gjithë njerëzve vullnetmirë. Solidariteti nuk është fjalë boshe, është dashuri në emër të Krishtit. Krishtlindja na fton të gjithëve t’ia dëshmojmë dëshirën për harmoni e dashurinë e krishterë mbarë njerëzve e, prej këndej, të krijojmë atmosferë drejtësie e paqeje.

18 dhjetor 2020, 15:31