Imzot Luigi Bonazzi Imzot Luigi Bonazzi 

Emërohet Nunci i ri Apostolik në Shqipëri

Papa emëron Nuncin e ri Apostolik në Shqipëri: është imzot Luigi Bonazzi

R. SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë Françesku emëroi Nuncin e ri Apostolik në Shqipëri. Është Shkëlqesia e Tij, imzot Luigi Bonazzi, kryeipeshkëv titullar i Atella-s, deri tani Nunc Apostolik në Kanada.

Imzot Bonazzi lindi në Gandino, më 19 qershor 1948. U shugurua meshtar më 30 qershor 1973, pasi kishte kryer studimet teologjike e ishte lauruar në psikologji dhe në shkencat e edukimit. Më 1977 vijoi studimet në Akademinë Papnore Kishtare, ku formohen diplomatët e Selisë së Shenjtë.

Në përfundim të studimeve, shërbeu në Nunciaturën apostolike të Kamerunit(1980-83), në Trinidad (1983-86) e në Maltë (1986-89). Më pas u emërua  pranë nunciaturës apostolike në Spanjë (1991-94), këshilltar pranë asaj të SHBA-ve (1994-96), më pas në Itali (1996-99) e në Kanada.

Më 19 qershor 1999 u emërua kryeipeshkëv titullar i Atella-s e nunc apostolik në Haiti, duke e marrë shugurimin ipeshkvnor në Katedralen e Bergamos, më 26  gusht, gjatë një bashkëkremtimi eukaristik, kryesuar nga kardinali Angelo Sodano, asokohe Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Më 30 mars 2004 u emërua nunc apostolik në Kubë.

Më 14 mars 2009 Papa Benedikti XVI e emëroi Nunc në Lituani e Estoni e më 18 dhjetor 2013, Papa Françesku e ngarkoi me detyrën e nuncit në Kanada.

Tani imzot Luigi Bonazzi është nunci i ri apostolik në Shqipëri, ku do të vijojë shërbimin diplomatik që nisi menjëherë pas shembejs së komunismit, me nuncin e parë apostolik,  kardinalin e  ndjerë Ivan Dias.

10 dhjetor 2020, 13:32