CDF i quan “moralisht të pranueshme” vaksinat anti-Covid
R. SH.- Vatikan
“Është moralisht e pranueshme të përdoren vaksinat kundër-Covid-19, realizuar me linjën qelizore ardhur nga fetuset e abortuara në procesin e kërkimeve shkencore për prodhimin e tyre”. Në rastin e pandemisë aktuale “mund të përdoren të gjitha vaksinimet e njohura si klinikisht të sigurta dhe efikase, me sigurinë se përdorimi i këtyre vaksinave nuk është pasojë e bashkëpunimit formal me abortin, nga i cili rrjedhin qelizat e përdorura për prodhimin e vaksinave”. E pohon këtë Kongregata për Doktrinën e Fesë në një notë, nënshkruar nga prefekti, kardinali Luis Ladaria dhe Sekretari, kryeipeshkvi Giacomo Morandi, miratuar shprehimisht nga Papa Françesku më 17 dhjetorin e kaluar.
Dokumenti i CDF, botuar ndërsa shumë vende përgatiten për të vënë në jetë fushatat e vaksinimit, ndërhyn për të sqaruar dyshimet e dala nga deklarata shpesh kontradiktore mbi argumentin. Nota “Mbi moralitetin e përdorimit të disa vaksinave anti-Covid 19” kujton tre mendimet e dhëna mbi të njëjtën temë: atë të Akademisë Papnore për Jetën (PAV) të 2005-sës, Udhëzimin e CDF Dignitas Personae të 2008-tës e, së fundi, edhe notën e Akademisë Papnore për Jetës (PAV) të 2017-tës.
Kongregata për Doktrinën e Fesë nuk synon të gjykojë sigurinë as efikasitetin e vaksinave aktuale kundër Covid-19, gjë që u përket shkencëtarëve dhe agjencive farmaceutike, por përqendrohet mbi aspektin moral të përdorimit të vaksinave, krijuar nga indet e dy fetuseve të abortuar jo spontanisht në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Prej këndej, nota e botuar sot, duke u bazuar mbi Udhëzimin e vitit 2008, pohon se kur, për arsye të ndryshme, mungojnë vaksinat kundër Covid-19 “etikisht të pranueshme”, “është moralisht e pranueshme” të vaksinohesh me ato, që përdorën linjën e qelizave, ardhur nga fetuset e abotuara”.