Atje, ku gjithçka flet për Të Lumin Angelico

U paraqit drejtpëdrejt në streaming-facebook, Salla e të Lumit Angelico, në Muzeun fiorentin të Shën Markut. Është përmbledhja më e rëndësishme në botë e veprave të pikturura mbi dërrasë nga piktori, një nga themeluesit e Rinashimentos fiorentine. Përurimi, që mbyll kremtimet me rastin e 150- vjetorit të Muzeut, është shenjë shprese për rihapjen e vendeve të kulturës, kur betejën ndërmjet artit e pandemisë do ta fitojë, pa dyshim, bukuria e artit!

R.SH. - Vatikan

Përmbledhja më e rëndësishme në botë e veprave mbi dërrasë e të Lumit Angelico mund të soditet në sallën ekspozuese të Muzeut të Shën Markut, në Firence, që njihet edhe si “Sala dell’ Ospizio”, e që nga 17 dhjetori ndërroi emrin, duke u pagëzuar me një tjetër: Angelicus Pictor. Përurimi i ngjarjes, financuar nga Friends of Florence, është kulmi i kremtimeve me rastin e 150-vjetorit të muzeut, nisur në tetor 2019. Të krijon mundësinë të soditësh 16 kryevepra të piktorit e fratit domenikan, që jetoi ndërmjet viteve 1395- 1455.

Ngjyra e drita

Falë ndriçimit të ri, mund të admirohet cilësia sublime e pikturave mbi  dërrasë, vizatimi i rafinuar, kombinimi i pashoq i ngjyrave. Ndriçimi i ri, që ka aq shumë rëndësi për shijimin e pikturës, e vë edhe më shumë në  pah cilësinë tejet të lartë të penelatave të Mjeshtrit të Madh.

Mrekulli mjeshtri

Në  Sallën e pikturave mund të soditësh një mrekulli, dalë nga peneli i një mjeshtri si Giovanni da Fiesole, në shekull Guido di Pietro, që kur ishte nxënës i ri, që sapo e kish marrë në dorë penelin, në atmosferën artistike të stilit të vonë gotik, në Firencën e 400-tës, kur mbi artin sundonin figurat e Lorenzo Monacos e Gherardo Starninës. Emra, që u zbehën shumë shpejt, para atij të të Lumit Angelico.

Mistik e modern

Që në veprat e para kushtuar Zojës me Foshnjën, që ruhen në muzeun e Roterdamit, duket menjëherë mjeshtria e rrallë, tipike për stilin e vonë gotik. E kjo e bën Angjelikon interpretin e parë të revolucionit masaçesk. Ndoshta edhe pse punoi pranë Masaccio-s për risimin  e pikturës fiorentine me një vizion  krejt të veçantë të pasqyrimit të përshpirtërisë.

Frat domenikan

E, si hyri në vitet ’20, në Kuvendin domenikan “Osservanti di Fiesole”, në pikturën e tij u duken menjëherë thekset mistike, por njëkohësisht, edhe prirjet moderne të pikturës fiorentine të epokës.

Shtëpia e tij

Ekspozita e pakrahasueshme monografike e Sallës “I Lumi Angelico”, organizuar sipas kriterit kronologjik, është pjesë e pandarë e kompleksit monumental, Kuvendit të Shën Markut, ku gjithçka flet për të Lumin fra Giovanni da Fiesole. Kuvendi u bë shtëpia e tij për shumë e shumë vjet. Kompleksi qe themeluar nga Cosimo Medici e, më pas, edhe nga Lorenzo il Magnifico, që ia patën besuar restaurimin arkitektit të madh Michelozzo. E piktori domenikan vuri vulën e artit të tij mbi shumë mjedise të këtij kuvendi, ku deri muret flasin me gjuhën e bukurisë. E të ftojnë të ndalohesh posaçërisht tek kiostri i Shëna Ndout, duke  kaluar para ciklit të afreskeve të qelive të katit të parë, deri te “Kryqëzimi” i Sallës Kapitullare e deri tek Gjyqi i mbram, pikturuar për Kishën e kuvendin kamaldolez të Shën Marisë së Engjëjve, në Firence. Këtu vizituesi mbetet pa frymë, para majave më të larta  të artit të krishterë të çdo kohe…

21 dhjetor 2020, 11:35