Shteti i Qytetti të Vaztikanit: Sheshi i Shën Pjetrit Shteti i Qytetti të Vaztikanit: Sheshi i Shën Pjetrit 

AIF bëhet ASIF, rregull i ri për Autoritetin e Informimit Financiar

Botohet Statuti, që përcakton disa kompetenca të brendshme. Ripërcaktohen roli i Presidentit dhe i Udhëheqjes.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku miratoi, me një Kirograf, Statutin e Autoritetit të Informimit Financiar, që tani e tutje do të quhet Autoriteti i Drejtimit dhe Informimit Financiar (ASIF). Në një intervistë për mediat e Vatikanit, Presidenti Carmelo Barbagallo,  flet për risitë  kryesore  të Statutit, që hyri dje në fuqi.

Në korrikun e sivjetëm, me rastin e botimit të raportit vjetor, Ju paralajmëruat ndryshimin, që përfshin edhe ndërrimin e emrit: Autoriteti i Drejtimit të Përgjithshëm dhe Informimit Financiar (ASIF). Ç’ kuptim ka ky ndryshim?

“Rishikimi i Statutit është pjesë përbërëse e reformës së përgjithshme, që po e çon përpara Papa Françesku për Selinë e Shenjtë dhe Shtetin e Qytetit të Vatikanit lidhur me transparencën dhe fuqizimin e kontrollit në fushën ekonomiko-financiare. Në këtë fushë, të rejat më të rëndësishme kanë të bëjnë me governance – me drejtimin dhe  rregullin organizativ të Autoritetit. Veç kësaj, modifikimi jo vetëm nominalistik, ka të bëjë edhe me emrin e Autoritetit, të cilit i shtohet termi “drejtim”. Ky ndryshim ka për qëllim të vërë në dukje, veç emrit  të Autoritetit, edhe detyrat, që i ngarkohen. E kjo sepse, përveç funksionit të intelligence dhe kundërvënies së riciklimit e të financimit të terrorizmit, që nga viti 2013 Autoriteti ushtron edhe funksionin e rregullimit e të vigjilencës të tipit “të sigurimit” për entet që kryejnë shërbime financiare me bazë profesionale lidhur me IOR (Institutin për Veprat e Fesë). Prandaj u pa e arsyeshme  të shtohej edhe termi “drejtim”, që natyrisht duhet parë lidhur me fushën financiare”.

Diçka për ndryshimet që kanë të bëjnë me governancën dhe rregullin  e ri organizativ?

“Statuti i ri, duke konfirmuar rolin qeverisës të Këshillit, vë në dukje edhe se Presidenti luan një rol të dorës së parë në hartimin e strategjisë së Autoritetit e, aspekt tjetër jo më pak i rëndësishëm, ka përgjegjësi më të madhe lidhur me drejtimin. Njëkohësisht fuqizohet edhe roli i Drejtimit, i përbërë nga Drejtori dhe nga zëvendës-Drejtori, për të siguruar, kështu, efikasitetin dhe efiçencën operative të Autoritetit. Ka edhe ndryshime të tjera domethënëse, që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm”.

Dy fjalë për ndryshimin e organizimit të brendshëm?

“Në vijë me praktikat më të mira ndërkombëtare, krijohet Zyra e “Rregullimit të Punëve Ligjore”, që do të merret me të gjitha problemet e natyrës juridike, duke përfshirë edhe rregulloren. Tani edhe veprimtaritë e Autoritetit ndahen në tri njësi: “Vigjilenca”, “Rregullimi dhe Punët Zyrtare”, “Informacioni Financiar”. Do të jetë, pastaj, edhe Komisioni i pavarur për vlerësimin e pranimit të personelit laik pranë Selisë Apostolike, që do të garantojë përzgjedhjen më të kujdesshme të kandidatëve si dhe do të ushtrojë më shumë kontroll mbi vendimet e punësimit, duke shmagur rrezikun e arbitraritetit”.

06 dhjetor 2020, 11:18