Papa Pali VI takon Patriarkun ortodoks Atenagora në vitin 1964 Papa Pali VI takon Patriarkun ortodoks Atenagora në vitin 1964

55 vite më parë, fundi i shkishërimit ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve

Më 7 dhjetor 1965, Deklarata historike e përbashkët, me gjestin e faljes, që i jepte fund skizmës ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, paraprirë një vit më parë nga përqafimi i Papës Pali VI me Patriarkun Atenagora

R.SH. - Vatikan

Koha për të cilën flasim është ajo në prag të përfundimit të Koncilit II të Vatikanit. E ndërsa mbyllej ajo faqe historike, të tjera hapeshin, duke përfshirë edhe një tejet të rëndësishme, më se 900 vite pas skizmës së 1054-ës, për t’i dhënë fund shkishërimeve ndërmjet Kishës së Romës dhe asaj të Kostandinopojës. Ishte 7 dhjetor 1965 kur deklarata e përbashkët e Papës Pali VI dhe e Patriarkut ortodoks Atenagora u lexua njëkohësisht, në seancën solemne të asamblesë konciliare dhe në katedralen e Fanarit në Stamboll.

          Pali VI i dha mitropolitit Melito, përfaqësuesit të Patriarkut Atenagora, Bulën e anulimit të shkishërimit dhe përqafimi me mitropolitin u shoqërua nga një duartrokitje e fuqishme e dy mijë etërve të Koncilit. Nuk shënonte arritjen e bashkimit të plotë, por ishte gjithsesi, një hap domethënës drejt këtij synimi, hap që ua shtroi rrugën takimeve të tjera të rëndësishme.

          Hap, i përgatitur nga çaste të tjera kuptimplote. Pa dyshim, mund të përmendim përqafimin e një viti më parë, më 1964, në Malin e Ullinjve, vendi i Mundimeve të Krishtit, ku shenjti i ardhshëm Pali VI dhe Patriarku Atenagora shkëmbyen një përqafim gjatë udhëtimit të Papës Montini në Tokën Shenjte. Ndodhi pikërisht në përfundim të Koncilit II të Vatikanit, i cili i dha një shtysë të fuqishme ekumenizmit, veçanërisht me dekretin “Unitatis redintegratio”, ku theksohet se “promovimi i rivendosjes së unitetit ndërmjet gjithë të krishterëve është një nga ndjetet kryesore të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”.

Dialogu drejt bashkimit të plotë

          Një fragment nga Ungjilli sipas Mateut kryeson tekstin e Deklaratës së përbashkët të 1965-ës: “Nëse çon një dhuratë për ta kushtuar në lter e aty të bie ndër mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd”. Në të, Pali VI dhe Atenagora nënvizojnë se “pendohen për fjalët fyese, për kritikat e pabazuara dhe për gjestet e dënueshme që, nga të dyja palët, karakterizuan, ose shoqëruan ngjarjet e trishtueshme të asaj epoke”. Theksojnë se “U dhemb shpirti njëlloj e duan t’i zhdukin nga kujtesa dhe nga gjiri i Kishës vendimet e shkishërimit që pasuan, kujtesa e të cilave, deri në ditët tona, përbën pengesë për afrimin” ndërmjet të krishterëve. Së fundi, ata kritikojnë edhe pasojat e shkishërimit, që ka ndikuar veç në rritjen e moskuptimit dhe të mosbesimit të ndërsjellë, duke çuar në prishjen efektive të bashkimit kishtar.

          Deklarojnë edhe se ky akt drejtësie dhe faljeje reciproke “nuk mund të jetë i mjaftueshëm për t’u dhënë fund divergjencave” ndërmjet Kishës Katolike Romake dhe Kishës Ortodokse, por, përmes veprimit të Shpirtit Shenjt, vështirësitë do të kapërcehen falë pastrimit të zemrave, pendimit për gabimet historike dhe dëshirës për mirëkuptim e për dëshminë e përbashkët të fesë apostolike.

07 dhjetor 2020, 17:18