San Thomas a Becket San Thomas a Becket 

Më 29 dhjetor kalendari kujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir

Shën Thomas Becket, kryeipeshkëv i Kantërbërit, vdiq martir në vitin 1179 në kohën e mbretërisë së Henrikut II të Anglisë. Ngjarja e jetës së tij – që ka frymëzuar mes tjerash kryeveprën letrare të Thomas Eliot, “Vrasja në katedrale” – është emblematike.

R.SH. - Vatikan

Më 29 dhjetor kalendari kishtar kujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir.  Shën Toma Bechet lindi në Londër në vitin 1120, qe njeri me karakter të madh moral e aftësi të jashtëzakonshme të qeverisjes, bëhet kancelar i mbretërisë së Anglisë e këshilltar i mbretit Henrikut II. Ishte politikan i aftë dhe i shkathtë, administrator i mirë, aq sa mbreti, për ti realizuar disa projekte të veta mbi Kishën, e emëron kryeipeshkëv të Kantërbërit e primat të Kishës angleze (1162).

Kështu Toma shugurohet meshtar në moshën 41 vjeç, e një ditë pas shugurohet ipeshkëv. Mirëpo në këtë moment Toma heq dorë nga detyra e kancelarit, u shpërndan të varfërve të mirat dhe pasuritë që kishte e fillon një jetë të thjeshtë e në lutje të pareshtur drejtuar Zotit: “Dukej si një njeri që papritmas ishte zgjuar nga një gjumë i thellë”. Mbrojtës i paepur i lirisë së Kishës kundër ndërhyrjeve të pushtetit civil, e kundërshtoi mbretin dhe kërkoi pavarësinë e plotë të ipeshkvijve.

Për këtë e humbi miqësinë e mbretit dhe pësoi shumë sprova e mundime derisa mbreti e mërgoi në Francë për gjashtë vjet. Më 1170 i ofrohet pajtimi e ftohet në atdhe, Toma kthehet në vendlindje e mbreti kërkoi gjetjen e ndonjë “mënyre për t’u liruar prej këtij prifti intrigant”. Kështu, kah përfundimi i vitit, katër kalorës të mbretit paraqiten te katedralja e Kantërbërit në orën e lutjes së mbrëmësores.

Para se të therej me thikë për vdekje, duket se Toma pat klithë: “Unë nuk jam armik i mbretit. Jam vetëm prift!”. Kështu pësoi martirizimin pikërisht në katedralen e tij më 29 dhjetor 1170 nga njerëzit e mbretit. Varri i tij u bë menjëherë vend shtegtimi; aty shtegtoi edhe mbreti, për të kërkuar faljen e ndihmën e mikut të dikurshëm, duke e zgjedhur si pajtor qiellor.

                                     “Letrat”  e Shën Tomë Becket

Nuk do të kurorëzohet askush përpos atij që do të ketë luftuar sipas rregullave

Nëse përpiqemi të jemi me të vërtetë çka thuhet për ne, dhe nëse ne që quhemi ipeshkvij dhe kryepriftërinj, dëshirojmë të njohim kuptimin e titullit tonë, është e nevojshme që me zell të pandërprerë të marrim parasysh dhe të ndjekim shembullin e Atij që, i bërë prej Hyjit kryeprift në amshim, ia dhuroi vetveten për ne Atit Qiellor përmbi elterin e kryqit dhe që, prej vëzhguesit të lartë të qiellit, gjithnjë vrojton veprat dhe qëllimet e të gjithë njerëzve, për t’i dhënë në fund çdonjërit shpërblimin sipas veprave të tija.
Dhe vërtet, ne, pasi jemi pasardhës të apostujve e të burrave apostolikë në shkallën më të lartë të Kishës, e kemi lavdinë e emrit, nderin e dinjitetit dhe i kemi pronë në kohë frytet e përpjekjeve shpirtërore, në mënyrë që përmes shërbimit tonë të shkatërrohet pushteti i mëkatit dhe i vdekjes, e ndërtesa e Krishtit, e ngritur mirë mbi fe e në përparimin e virtyteve, të rritet në Zotin si tempull i shenjtë. 
Dhe në të vërtet i madh është numri i ipeshkvijve. Ne, në shugurim, kemi premtuar një zell të madh e një kujdes më të veçantë për të mësuar dhe për të mbarështuar, e çdo ditë e premtojmë këtë gjë me fjalë, por dhashtë Zoti që besnikëria jonë ndaj premtimit të mbështetet në dëshminë e veprave! Të korrat janë të mëdha e për t’i mbledhur dhe për t’i grumbulluar në hambarin e Zotit nuk do të mjaftonte një njeri i vetëm, as një numër i vogël njerëzish.
Megjithatë, kush dyshon se Kisha e Romës nuk është në krye të të gjitha kishave dhe burimi i mësimit katolik? Kush mohon se çelësat e mbretërisë së qiellit iu dhanë Pjetrit? A thua struktura e gjithë Kishës nuk ngritët mbi fenë dhe mbi mësimin e Pjetrit, ndërsa të gjithë të shkojmë në takim me Krishtin si njeri i përsosur, në njësinë e fesë dhe në njohjen e Birit të Hyjit? 
Është e nevojshme që të jenë shumë ata që mbjellin dhe shumë ata që ujisin: përhapja e fjalës dhe shtimi i popujve e kërkojnë këtë; edhe populli i vjetër, të cilit i mjaftonte vetëm një elter, kishte shumë mësues për shkak të nevojës; aq më shumë nevojiten tani për shkak të ardhjes dhe të vërshimit të popujve, për të cilët nuk do të mjaftonte Libani për zjarr të flijimeve dhe nuk do të mjaftonin për therore kafshët jo vetëm të Libanit, por as të tërë Judesë.
Por kushdo që të jetë ai që ujit e mbjell, Hyji nuk i jep shtim veçse atij që ka mbjellë në fenë e Pjetrit dhe mbetet i bashkuar me mësimin e tij.
Dhe vërtet atij i duhet drejtuar për çështjet më të rënda të popujve që duhet të shqyrtohen prej Kryepriftit, dhe gjyqtarët e Kishës i janë nënshtruar atij sepse janë thirrur të marrin pjesë në përkujdesjen e tij për të ushtruar pushtetin që u është besuar.
Le t’ju bjerë ndër mend, së fundi, se si u shëlbuan etërit tanë, në çfarë mënyre dhe në mes të sa vështirësive Kisha u rrit dhe u përhap; ç’shtrëngata ka kaluar anija e Pjetrit, që e ka Krishtin si kapiten; si e arritën kurorën ata, në të cilët feja shkëlqen më qartë në mundim.
Kështu ka ecur përpara e tërë turma e shenjtërve, sepse është e vërtetë se nuk do të kurorëzohet kush tjetër veçse ai që ka luftuar sipas rregullave (Krh. 2 Tim 2, 5).

29 dhjetor 2020, 09:57